DREJTSHKRIM

ÇFARË dhe Ç’FARË, ku dallojnë dhe si t’i përdorim drejt?

ÇFARË dhe Ç’ janë përemra pyetës, ky i dyti është shkurtim i të parit dhe i barasvlershëm me të, por është më tepër formë bisedore. Ju ftojmë të lexoni artikullin, i cili do t’ju ndihmojë si t’i shkruani saktë këta dy përemra pyetës.

ÇFARË dhe Ç’ janë përemra pyetës, ky i dyti është shkurtim i të parit dhe i barasvlershëm me të, por është më tepër formë bisedore. Sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe:


1. ÇFARË - përemër pyetës. Përdoret në fjali pyetëse përpara foljeve për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një send, për një dukuri a për një veprim të panjohur, që duam ta dimë; ç’. Çfarë po bën? Çfarë është kjo? Çfarë pate ashtu? etj.

2. Ç’ - përemër pyetës. Përdoret në fjali pyetëse përpara foljeve për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një send, për një dukuri a një veprim të panjohur; çfarë. Ç'po bën? Ç’po ndodh? Ç’është kjo? Ç’të tha? Ç’e ke atë? (bisedore)


Por sot, përemri pyetës “çfarë” ngatërrohet shumë me trajtën “ç’farë”. Duhet të dini që përemri pyetës “çfarë?” nuk shkruhet asnjëherë me apostrof “ç’farë”, kurse trajta “ç’farë” është përemri i shkurtuar (çfarë = ç’) para emrit “farë” (fara e bimës, kokrra e drithit etj.) dhe kur duam të dimë për llojin e farës dhe në kuptimet e tjera figurative të këtij emri. P.SH.: Me ç’farë e ke mbjellë këtë tokë? Ç’farë tradhtie mbolle tek ata? Pra, vetëm në këtë rast, kur pyetet për farën e bimës dhe kuptimet figurative të kësaj fjale (pra, “farë”), që janë raste të rralla përdorimi në jetën e përditshme, përdoret me apostrof (ç’farë bime...?, ku ç’= përemër; farë = emër), kurse në rastet e tjera përemri pyetës “çfarë?” asnjëherë nuk shkruhet me apostrof.


Përgatiti: Sevi Lami Agolli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,259 Lexime
6 muaj më parë