DEDIKIM

Dedikim: Ju më motivuat të punoj pa u lodhur!

Mësuesja e gjuhës shqipe dhe letërsisë Bukurie Bashukaj-Hajdarmataj, e shkollës “Hoxhë Zogu”, Tropojë, i dedikon një shkrim të sinqertë nxënësve të saj, të cilët me rezultatet dhe sjelljen e tyre e kanë bërë mjaft krenare.

Nxënës të dashur!

Fytyrat tuaja nuk e ndryshuan buzëqeshjen që kur ju njoha. Ju më motivuat të punoj pa u lodhur, mbi të gjitha kur pashë te ju besimin dhe mirëkuptimin te njëri-tjetri. Asnjëherë nuk e thyet besimin tim ndaj jush. Çdo vit shkollor jam ndjerë krenare për arritjet tuaja. Kisha deshirë të vija në orët mësimore në klasën tuaj të pastër, të rregullt me zhurmën e ëmbël që vetëm ju dinit ta bënit në pushimet midis orëve. Orët me ju ishin mjaft të qeta. Do të më marrë malli për përgjigjet tuaja, punimet estetike, projektet, festat që oraganizonit në raste ditëlindjesh. Ju sot po lini një periudhë të jetës për të filluar periudha të tjera edhe më të vrullshme, të cilat do t'ju bëjnë më të fortë. Kam besim se ju nuk do të hutoheni nga sfidat, por do të gjeni rrugën e drejtë dhe të ndershme. Tek unë do të mbeteni përjetë më të mirët bashkë me Lordjanin dhe Enidonin që mërguan. 


Nuk do t'i harroj kurrë javët e heshtura të shtatorit dhe sytë me lot kur morëm vesh emigrimin e tyre jashtë atdheut. Lordjan do mbetesh i zgjuari dhe poeti i klasës, Enidon do me marrë malli për esetë tuaja të mrekullueshme, Ened shkencëtari dhe filozofi që i zë vend fjala, Ornela e urta e klasës me zërin e ëmbël, Emanuela e sinqerta dhe e dashura me të gjithë, Anisa përkthyesja, aktorja, valltarja. Arta piktorja, e përkëdhelura që na zbukuron çdo ditë klasën me fantazitë e saj, (do të na mungojnë trëndafilat e tu me aromë). Egzoni (babloku) gjithë humor dhe ironi. Klea kaçurrelsja e ëmbël. Ilma e zgjuar, krenare dhe bukuroshe. Erisa flokëgjate, fine dhe plot estetikë. Brisilda inteligjentja e heshtur dhe Migena elegante e veçantë dhe gjithë bukuri. Liridoni sportisti i qeshur dhe i sjellshëm. Ilma gjuhëtarja e bukur dhe krenare.


Ju do të përmendeni çdo ditë nga mësuesit si shembulli më i mirë në lëndët që shkëlqenit. Uroj që të jeni gjithsecili prej jush shembulli më i mirë në jetë. Kështu vazhdoni edhe pse jeta do t'ju sfidojë. Mos e humbni guximin, besimin, durimin e më të rëndësishmen buzëqeshjen. Nëse rrëzoheni ngrihuni më të fortë duke shpërfillur çdo vështirësi. Mos harroni këto vite të arta dhe as familjen tuaj të dytë mësuesit dhe shokët e shkollës. Dëshiroj që të rriteni duke mbajtur brenda jush engjëllin e viteve të fëmijërisë. Dëshiroj që të mos hutoheni pas rrugës së padrejtë si rrugë më e lehtë për të jetuar, por të zgjidhni rrugën e drejtë dhe me dinjitet të jeni të aftë në profesionet që do të zgjedhni. 


Ju uroj rrugëtim të mbarë! Dëshiroj që të ndihem për ju krenare!


Poezi dedikuar maturantëve nga mësuesja Bukurie Bashukaj-Hajdarmataj


Maturantë

U rritët dhe ju bashkë me vitet

Me librat, në bankat e shkollës me ditët

Dhe koha sa shpejt që na ikën

Me ju përcolla dhe dritën.

Dua që të mbeteni tek unë

Përjetë fëmijë, jo më shumë,

Zëra gazmorë të gëzuar

Nxënësit e mi lumturuar.

Kam shumë, shumë kam për t'u thënë

Më falni se ju qortova si nënë,

Do mbeteni për mua fëmijë

Do jeni mall i syve të mi.

Çdo emër juaji në jetë

Do jetë kujtim i sinqertë

Më të mirët, ju, do të mbeteni

Përjetë ju thërras krenari!

(B.A.H)



(Bukurie Bashukaj-Hajdarmataj; Portali Shkollor)

4,750 Lexime
4 vjet më parë