Drejtshkrimi i gjuhës shqipe

DIGJITAL apo DIXHITAL?

Si duhet shkruar e shqiptuar saktë kjo fjalë?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje e jep profesor Emil Lafe, në bashkëpunim me redaktoren e gjuhës shqipe pranë shtëpisë botuese “Albas”, znj. Sevi Agolli.

Sot zhvillimi i teknologjisë dhe i shoqërisë ka sjellë nevojën e përdorimit në gjuhën tonë të fjalëve të huaja të fushave të ndryshme, si informatikë etj. E një ndër fjalët e kësaj fushe që sot përdoret dendur e që hapi një debat në rrjetet sociale për trajtën e saktë të saj, është fjala “digjital” VS “dixhital”.


Por cila është trajta  e saktë e kësaj fjale dhe e fjalëve që e kanë prejardhjen prej saj?


Fjala “digjital” (ose siç shqiptohet e shkruhet dendur sot: “dixhital”) është një fjalë e re në gjuhën shqipe. Ajo ka hyrë si term i informatikës, duke qenë se kjo fushë ka marrë shumë zhvillim sidomos pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar e, bashkë me të, edhe terminologjia e saj. 


Fjala digjital (si mbiemër) është regjistruar për herë të parë në “Fjalorin e gjuhës shqipe” të botuar në vitin 2006 dhe shënohet si term teknik me kuptimet: “numerik; shifror”, me shembujt: aparat digjital, orë digjitale - kështu quhen aparatet dhe orët që nuk kanë akrep të lëvizshëm që të tregojnë vlerat ose kohën, por kanë një ekran ku shfaqen shifra a numra. 


Në fjalorin e vitit 2006 nuk gjenden fjalët digjitalizoj, digjitalizim, i digjitalizuar, që i përdorim gjerësisht sot. Kjo, sepse kur u hartua fjalori, këto fjalë nuk kishin ende këtë përdorim të dendur që kanë sot.


Po pse te ky fjalor është shkruar DIGJITAL dhe jo DIXHITAL, siç shkruhet dhe shqiptohet dendur sot? Pse me “gj” dhe jo me “xh”?

Edhe për këtë rast përgjigjen e jep “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”. Kjo është një fjalë e huaj dhe në drejtshkrimin e fjalëve të huaja luan rol etimologjia ose prejardhja e tyre. Kjo fjalë vjen nga latinishtja “digitalis”, që është një mbiemër i formuar nga emri “digitus”, i cili ka kuptimin “gishtor, gisht”. Si fillim mbiemri “digital” është përdorur si term i anatomisë: arteria/vena digitalis. Në anglisht e në italisht kjo fjalë shqiptohet me “xh” (dixhital), në frëngjisht me “zh” (dizhital), në gjermanisht e në rusisht me “g” (digital), kurse në gjuhën shqipe shkruhen e shqiptohen me “gj” (digjital). Pra, çdo gjuhë ka rregullat e veta të shqiptimit dhe të shkrimit të fjalëve, ndaj sipas rregullave të gjuhës sonë, trajta e saktë e kësaj fjale është: DIGJITAL (jo dixhital). Edhe fjalët e formuara prej saj shkruhen e shqiptohen me “gj”: digjitalizim, i digjitalizuar etj.


Sipas pikën g të kreut III të “Drejtshkrimit” (ku shpjegohet shkrimi i fjalëve të huaja), kemi:

Sipas kësaj rregulle, shkruhen dhe shqiptohen me gj edhe fjalët agjendë  (jo axhendë), gjen  (jo gen, sepse shkenca që studion gjenet quhet gjenetikë e jo genetikë etj.). Pra, nuk duhet ndarë drejtshkrimi i këtyre fjalëve.

(Përgatiti: Prof. Dr. Emil Lafe, Sevi (Lami) Agolli; Portali Shkollor)

29,842 Lexime
1 vit më parë