EDUKIM

Dita botërore kundër AIDS

Me rastin e ditës botërore kundër HiV Aids-it, u realizua aktiviteti ndërgjegjësues, në shkollën "11 Shkurti". Fakte, të dhëna, informacione, kurizitete, këshilla iu servirën nxënësve të kësaj shkolle.

1 Dhjetori njihet si dita botrore kundër AIDS! 1 milion  është numri i personave që humbin jetën çdo vit nga HIV-i  dhe nuk marrin mjekim apo e nisin me vonesë. Në shkollë, shtuam pyetjen  ç’është HIV-i dhe ç’është AIDS, mënyrat sesi mund te futet në trup dhe si mund ta parandalojmë. Biseda u zhvillua me nxënës maturante. HIV => Virusi imuno defiçencës humane. HIV është një virus që infekton dhe përhapet vetëm tek njerëzit. Sulmon sistemin tonë imunitar duke shkatërruar qelizat që mbrojnë shëndetin. AIDS => Sindromi imunodefiçencës së fituar. AIDS  është faza e fundit e infeksionit HIV, e cila shoqërohet me një ose me disa probleme të tjera të rënda shëndetësore. Mënyra sesi HIV mund të futet në trup: 

-nëpërmjet gjakut;

-marrëdhënieve seksuale;

-nënave shtatzëna;

-ushqyerjes me gji.     


Dita Botërore e Sensibilizimit kundër HIV/AIDS organizohet çdo vit më 1 dhjetor për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me HIV/AIDS dhe për të demostruar solidaritetin ndërkombëtar në përballimin e kësaj pandemie. Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin për HIV/AIDS në të gjithë botën. Edhe në shkollën “11 Shkurti”, nën kujdesin e psikologes Edisa Kaziu Xhihani u realizua ky aktivitet. Nxënësit shprehën interes të lartë, për të zgjeruar njohuritë e tyre, informacionet e tyre, rreth HIV-it, shkaqeve dhe pasojave te tij. 


Nga viti 2011 deri në vitin 2015, Dita Botërore e HIV/AIDS-it organizohet nën sloganin

“Drejt zeros: Zero infeksione të reja nga virusi HIV, Zero diskriminim për personat me HIV/AIDS, Zero vdekje nga AIDS"


Faktet kryesore për HIV/AIDS

HIV vazhdon të jetë një çështje madhore globale e shëndetit publik që ka marrë më shumë se 34 milionë jetë deri tani. Vetëm në vitin 2014, rreth 1.2 milionë njerëz kanë vdekur globalisht nga shkaqe të lidhura me HIV-in.

Në nivel global, deri në fund të vitit 2014, numri i personave që jetojnë me HIV ishte rreth 36.9 milionë, me 2 milionë raste të reja vetëm në vitin 2014.

Infeksioni HIV diagnostikohet nëpërmjet testeve të shpejta diagnostike, që zbulojnë praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Këto teste japin rezultate të shpejta; esenciale për diagnozën dhe trajtimin e hershëm.

Nuk ka shërim për infeksionin HIV. Megjithatë, trajtimi efektiv me medikamente antiretrovirale (ARV) mund të kontrollojë virusin në mënyrë që personat me HIV të gëzojnë jetë të shëndetshme dhe produktive.

Është vlerësuar se, aktualisht vetëm 51% e personave me HIV dinë statusin e tyre të infektimit me HIV, pra nëse ata janë të infektuar apo jo.

Në vitin 2014, 14.9 milionë njerëz që jetojnë me HIV, të cilët përfaqësojnë 40% të personave që jetojnë me HIV, morën terapi antiretrovirale në nivel global.


Çfarë është HIV-i?

HIV (Human Immunodeficiency Virus) është virusi i cili prek dhe dobëson sistemin imunitar të organizmit të njeriut duke e lënë atë të pambrojtur nga infeksionet dhe nga disa lloje kanceri. Virusi shkatërron dhe dëmton gradualisht funksionin e qelizave të imunitetit. Funksioni imun i organizmit matet nëpërmjet numërimin të qelizave CD4.


Çfarë është AIDS-i?

AIDS (Acquired Immune Deficiency Syndrome) është një term që i referohet fazës më të avancuar të infeksionit HIV. AIDS është dëmtimi i parikthyeshëm dhe progresiv i sistemit imunitar të njeriut prej virusit HIV, i cili çorganizon gjithë sistemin imunitar të tij. Në këtë situatë organizmi nuk është i aftë të përgjigjet ndaj agjentëve parazitarë, viralë, mykotikë dhe atyre oportunistë apo të kontrollojë disa tumore, duke u shfaqur edhe AIDS. AIDS apo i njohur si SIDA është përcaktuar si zhvillimi i disa lloje kanceri, infeksioneve apo manifestimeve të tjera të rënda klinike. HIV nuk është sinonim i AIDS-it. Kjo do të thotë që një person i cili është i infektuar dhe ka virusin HIV në gjak nuk është me patjetër i sëmurë me AIDS. Ai mund të jetë i infektuar me virusin HIV por mund të mos jetë i sëmurë me AIDS.


Cilat janë shenjat e AIDS-it?

Shumë persona që jetojnë me HIV, në muajt e parë mbas infektimit, nuk kanë shenja të dukshme dhe nuk janë në dijeni të gjendjes së tyre/statusit pozitiv deri në fazat e vonshme.

Për t’u zhvilluar shenjat, përgjithësisht mund të kalojnë nga 2 deri në 15 vjet, nga momenti i infektimit deri në shfaqjen e tyre, në varësi të personit. Koha e saktë nga momenti i infektimit me HIV deri në zhvillimin e sëmundjes dhe shfaqjen e shenjave është e pamundur të llogaritet. Kjo kohë është e ndryshme për persona të ndryshëm dhe është në varësi të stilit të jetesës, të mënyrës së të ushqyerit, terapisë dhe mbështetjes sociale dhe psikologjike. Me futjen e terapisë antiretrovirale dhe profilaksisë për infeksionet oportuniste, është zgjatur koha e fillimit të sëmundjes dhe sigurisht mbijetesa e të sëmurëve.

Javët e para pas infeksionit fillestar, këta persona mund të mos kenë asnjë simptomë ose mund të shfaqin shenja të ngjashme me gripin, duke përfshirë ethe, dhimbje koke, skuqje apo dhimbje të fytit. Më pas, me dobësimin progresiv të sistemit imunitar, infeksioni përparon dhe një person mund të zhvillojë edhe shenja të tjera të cilat ndryshojnë në varësi të fazës së infeksionit.

Shenjat më të shpeshta janë: fryrje e nyjeve limfatike, humbje e madhe në peshë, dobësi e madhe, ethe/temperaturë e vazhdueshme, diarre e vazhdueshme që nuk dominohet nga mjekimi, kollë dhe shenja të tjera sipas llojit të infeksioneve të ndryshme oportuniste. Pa trajtim, ata mund të zhvillojnë sëmundje të rënda të tilla si tuberkulozi, meningjiti dhe lloje të ndryshme kanceri.


Si transmetohet HIV-i?

HIV mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të infektuara të trupit si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.




Disa sjellje e kushte që sjellin rrezik më të madh për t’u infektuar me HIV përfshijnë:

-Marrëdhënie seksuale të pambrojtura, vaginale ose anale.

-Infeksione seksualisht të transmetueshme si sifilizi, herpesi, klamidia, gonorrea dhe vaginosa bakterore.

-Shkëmbimin e gjilpërave të kontaminuara, shiringave dhe pajisjeve të tjera gjatë injektimit të drogës.

-Marrjen e injeksioneve apo transfuzioneve të gjakut të pasigurta, si dhe procedurat mjekësore që përfshijnë prerjen josterile me instrumente të mprehta të kontaminuara.

-Shpimet aksidentale me gjilpërë, përfshirë dëmtimet e stafit shëndetësor.

-Transmetimin nga një nënë e infektuar te fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes dhe ushqyerjes me gji.

 

Njerëzit nuk mund të infektohen nëpërmjet kontaktit të zakonshëm gjatë bashkëjetesës normale që mund të sjellë përdorimin e përbashkët të dushit, vaskës,  ëc-së, peshqirit, telefonit, mjeteve të transportit publik, pishinës, frekuentimit të shkollës etj. Po ashtu, infeksioni HIV nuk rezulton të merret nga e puthura, përqafimi, shtrëngimi i duarve, teshtitja dhe kollitja, si dhe nuk transmetohet përmes ujit, ushqimit, ajrit, pickimit të insekteve apo kujdesit për kafshët.


Si diagnostikohet HIV/AIDS?

Testet të ndryshme janë sot në dispozicion për të zbuluar praninë ose mungesën e antitrupave të HIV-it. Infeksioni HIV zakonisht evidentohet nëpërmjet testeve të gjakut të cilat zbulojnë antitrupat e prodhuara nga një person, si pjesë e sistemit të tij imunitar për të luftuar infeksionin HIV. Shumica e këtyre personave i zhvillojnë këto antitrupa brenda 28 ditësh, dhe për këtë arsye antitrupat mund të mos kapen menjëherë pas infeksionit. Kjo periudhë e hershme e infeksionit quhet periudha dritare dhe përfaqëson kohën edhe rrezikun më të madh të transmetimit të infeksionit. Megjithatë transmetimi i HIV-it mund të ndodhë gjatë të gjitha fazave të infeksionit.


Shërbimet e testimit për HIV

Testimi për HIV duhet të jetë vullnetar. Testimi i detyrueshëm nuk është i pranueshëm sepse minon praktikat e mira të shëndetit publik dhe shkel të drejtat e njeriut.

Disa vende kanë futur ose janë duke konsideruar vetëtestimin. Vetëtestimi për HIV është një proces ku një person i cili dëshiron të dijë statusin e tij/të saj HIV merr një mostër, kryen një test dhe interpreton rezultatet e testimit në mënyrë private. Vetëtestimi për HIV nuk jep një diagnozë definitive; vetëtestimi është një test i parë i cili kërkon analiza të mëtejshme nga një punonjës shëndetësor duke përdorur një testim kombëtar të vërtetuar.


Si parandalohet infeksioni HIV?

Njerëzit mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut. Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it, të cilat shpesh janë përdorur në kombinim me njëra- tjetrën përfshijnë:

-Përdorimin e prezervativit/kondomit;

-Përdorimi korrekt i prezervativit/kondomit gjatë marrëdhënieve seksuale vaginale ose anale mund të mbrojë kundër përhapjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV;

-Testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST;

-Testimi për HIV dhe IST-të e tjera këshillohet me forcë për të gjithë personat e ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut. Në këtë mënyrë ata mësojnë shpejt statusin e tyre të infeksionit, mënyrat parandaluese të nevojshme dhe shërbimet e trajtimit. OBSH-ja rekomandon gjithashtu ofrimin e testimit edhe për partnerët;


Si trajtohet AIDS-i?

Me gjithë përpjekjet e shkencëtarëve, për momentin nuk ka akoma një mjekim specifik apo vaksinë për infeksionin HIV. Por, fatmirësisht sot ekzistojnë trajtime efektive me barna antiretrovirale (ARV) të cilat mundësojnë ngadalësimin e përhapjes së virusit HIV, si dhe trajtojnë infeksionet oportuniste. Barnat antiretrovirale nuk kurojnë infeksionin HIV, por kontrollojnë shumimin e virusit brenda trupit të një personi dhe i mundësojnë sistemit imunitar të tij të rifitojë kapacitetin për të luftuar infeksionet. Mjekimi me ARV zgjat jetën e të sëmurëve dhe rrit cilësinë e saj, duke e shndërruar AIDS-in në një sëmundje kronike.

Të gjitha këto informacione, u përcollën në mënyrë të detajuar tek nxënësit duke i këshilluar dhe duke i ofruar të gjitha përgjigjet e duhura për cdo pyetje të mundshme të tyre.





(Organizoi aktivitetin Edisa Kaziu Xhihani; Portali Shkollor)

3,111 Lexime
5 vjet më parë