IDE PËR MËSIMDHËNIE

Do të doja që mësuesja ime ta dijë

Katie Schwartz, kur filloi punë si mësuese në shkollën e qytetit Denfer në Kolorado, vuri re se ekzistonte një hendek goxha i madh mes saj si mësuese dhe nxënësve të saj. Ndaj, nisi një projekt...

Katie Schwartz, kur filloi punë si mësuese në shkollën e qytetit Denfer në Kolorado, vuri re se ekzistonte një hendek goxha i madh mes saj si mësuese dhe nxënësve të saj dhe se ky hendek sa vinte e thellohej gjithnjë e më shumë. Për këtë, Katie vendosi të marrë masa për tu afruar më shumë me nxënësit e saj të vegjël. Për këtë, ajo përgatiti një miniprojekt të cilin e titulloi: "Do të doja që mësuesja ime ta dijë..." 


Projekti konsistonte në një letër në të cilën ajo shkruante pyetjen: "Çfarë do të doje të dinim rreth teje?" Dhe më poshtë përgjigjen: "Do të doja që mësuesja ime ta dijë që ...", ku secili duhej të shkruante diçka që përkonte me situatën që po përjeton në shtëpi apo kudo tjetër. 


Një nxënës shkroi: "Do të doja që mësuesja ta dijë që nuk kam miq e shokë me të cilët të luaj"

Një i dytë shkroi: "Do të doja që mësuesja ta dijë sa shumë mall kam për babain. Çdo ditë hyj në dhomën e tij por ai nuk është aty. E di që asnjëherë nuk do ta gjej aty".

Nxënësi i tretë shkroi: "Do të doja që mësuesja ime ta dijë që nuk kam stilolapsa në shtëpi me të cilët të bëj detyrat e shtëpisë." 

Nxënësi i katërt shkroi: "Do të doja që mësuesja ime ta dijë që motra ime është e verbër dhe se unë i shërbej gjatë gjithë ditës". 

Kurse një nga vajzat e klasës kishte shkruar: "Do të doja që mësuesja ime ta dijë që babi dhe mami im zihen çdo ditë. E urrej të kthehem në shtëpi, ashtu siç urrej të vij në shkollë gjithashtu, pasi më duhet të jap llogari për mësime që nuk i kam përsëritur dhe për detyra që nuk i kam bërë". Përgjigjet e fëmijëve spontane dhe të sinqerta përbëjnë një çelës për mësuesen, e cila zbuloi anët e fshehta në jetën e nxënësve të saj. Prandaj dhe ia nisi punës me secilin prej tyre, sipas problemeve që kishte. Filloi t'i vizitojë disa prej tyre edhe në shtëpi, merrej me problematikat dhe filloi t'i njohë dhe t'i kuptojë më mirë. U jepte detyra sipas kushteve të secilit, duke e shndërruar shkollën në një faktor mbështetës për nxënësit. Projekti i mësuese Katie gjeti zbatim edhe në shumë shkolla të tjera të Kolorados, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit.


(Portali Shkollor)

2,189 Lexime
2 muaj më parë