INTERVISTË

Doktori i Shkencave Lekë Pepkolaj: Forca e edukimit online, didaktika universitare do të ndryshojë

Çfarë do të ndodh me edukimin online nëse fillojnë shkollat dhe universitetet?Profesori dhe studiuesi Lekë Pepkolaj, duket se ka një opinion të qartë për këtë pjesë! Kjo mësimdhënie sipas tij do të vazhdojë me një ritëm më të përmirësuar në universitete.


Megjithëse ende nuk kanë dhënë një informacion zyrtar nëse institucionet arsimore do të rifillojnë punën apo jo, edukimi online duket se ka treguar rolin e tij të rëndësishëm këto kohë, të paktën në studimet universitare. Profesori dhe studiuesi Lekë Pepkolaj, i doktoruar në Itali në fushën e matematikës dhe një nga eksponentët më të mirë të kësaj fushe në vendin tone, ka arritur në përfundimin se në universitet edukimi online do të vazhdojë më mirë se më përpara. Duke sjellë disa argumente konkretë ju ftojmë të lexoni intervistën që Portali Shkollor ka zhvilluar me të. 




Z. Pepkolaj sot kemi kënaqësinë t’ju intervistojmë jo vetëm si profesor që keni vite që jeni angazhuar me mësimdhënien online por edhe si kërkues i mirëfilltë shkencor i kësaj fushe.


Ju falenderoj për intervistën, kenaqësi edhe e imja të ndaj njohuritë me portalin tuaj kaq të ndjekur dhe të rendësishëm. 



Shqipëria për më shumë se një muaj po zhvillon një përvojë të re në arsim. Fillimisht ne duam të dimë se cilat janë përparësitë dhe mangësitë e edukimit në largësi?


Në fakt kjo nuk duhej të ishte një përvojë e re për arsimin tonë parauniveristar sepse kemi që në vitet 2014-2016 që ka hyrë në zbatim kurrikula e re. Një nga pikat më të rëndësishme të saj është zbatimi TIK-ut në mësimdhënie dhe nxënie. Kjo situatë na zuri pa infrastrukturën e duhur nëpër shkolla, që kjo përvojë e re të ishte e praktikuar më përpara me nxënësin dhe me një staf pedagogjik të pa kualifikuar. 

Në lidhje me përparësitë dhe mangësitë e edukimit në largësi, tematika është e gjerë por do të mundohem ta shpjegoj sa më shkurt dhe sa me qartë edhe për publikun e gjerë. 

Edukimi online përfshin disa komponentë:

Komponenti teknologjik: mjetet e komunikimit (në rastin tonë kompjuteri, me të gjitha mjetet e tij teknike, rrjetet, platformat, programet kompjuterike, etj). 

  • Komponenti kulturor: lënda për t’u transmetuar, si njohuri e sistemuar dhe e strukturuar.
  • Komponenti didaktik: metoda dhe strategji përmes të cilave transmetohen njohuritë tek përdoruesi.
  •  Komponenti shoqëror: shkëmbimi i njohurive me anëtarët e tjerë të të njëjtit komunitet dhe ndërveprimi mes përdoruesëve.
  • Komponenti organizativ: si organizohen njohuritë dhe lënda didaktike.
  • Komponenti i përgjithshëm strategjik: filozofia themelore mbi të cilën bazohet lloji i veçantë i edukimit.

Këto komponente, të cilave iu referuam, duhet të ndërlidhen njëra me tjetrën në mënyrë që të krijohet një shërbim i efektshëm.

Përparësitë e edukimit online në lidhje me nxënësin ose studentin:

  • Karakteri ndërveprues dhe joshës i lëndës mësimore.
  • Lakueshmëria dhe shumëanshmëria sipas gadishmërisë (hapësira, koha dhe vendi). 
  • Edukimi sipas ritmit të vet, në mënyrë të pavarur nga nxënësit ose studentët e tjerë.
  • Vetëvlerësimi gjatë mësimit dhe në fund të lëndës. 
  • Kontrolli individual i përparmit gjatë edukimit online.

Mangësitë e edukimit online në lidhje me nxënësin ose studentin:

  • Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë me edukuesin (përveç në rastin e edukimit të përzier të nxënies, pra blended learning).
  • Mësimi i mjeteve teknologjike dhe qëndrueshmëria ndaj teknologjive të reja.

Përparësitë e edukimit online në lidhje me edukuesin:

  • Kontrolli i nxënësve ose studentëve nga platformat e nxënies, vetëvlerësimi.
  • Edukimi me mjete ndërvepruese dhe joshëse. 
  • Fuqia e rregjistrave të punës së bërë.
  • Hedhja e materialeve didaktike investim për të ardhmen, i përditëson shumë më lehtë.

Mangësitë e edukimit online në lidhje me edukuesin:

  • Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë me nxënësin ose studentin (përveç në rastin e edukimit në formën blended learning).



Nga dallon edukimi online me edukimin në largësi? Këto kohë i kemi dëgjuar të përdoren të dy termat por duket sikur nuk janë edhe aq të qartë kuptimet e tyre?


Pyetja është e drejtë dhe ju përdorët saktë termin edukim, ku përfshihet procesi mësimor (mësimdhënia dhe nxënia) ku janë të qasjes formale, edukimi jo formal (kurse të ndryshme jo institucionale) dhe edukimi informal, për gjatë gjithë jetës. Edukim në largësi do të thotë edukim pa praninë fizike të edukuesit. Kemi tre faza të edukimit në largësi: 

a) letërkëmbimi (posta e zakonshme) b) teknologjitë audio dhe video c) teknologjitë informatike. 

Pra edukimi online (në linjë) është faza e tretë e edukimit në largësi. Pra është edukimi me anë të perdorimit të teknologjive multimediale (kompjuteri si pjesë e palëvishme ose pjesët e lëvizshme dhe interneti, etj). Edukimi online bëhet në dy forma: sinkrone (në të njëjtën kohë) dhe asinkrone (në kohë të ndryshme). Mendoj që ngatërresa ndodh sepse me ‘online’ kuptohet vetëm versioni sinkron. Pra je në linjë (online) domethënë ke aktivizuar internetin, ku mund të komunikohet drejtpërdrejt (sinkron) ose jo (asinkron). ‘Ofline’ nuk është asinkron.   



A transmetohen si duhet lëndët mësimore për nxënësit dhe për studentët?


Po, lënda mësimore mund të jepet sipas këtyre tri kategorive të përgjithshme:

  • Mësime ose leksione ndërvepruese: njësi mësimore të formateve të ndryshme ku mund të jenë audio, video, animacione, grafikë, me të cilat nxënësi ose studenti mund të bashkëveprojë dhe nga të cilat mund të merren një feedback në kohë.
  • Simulimet: nxënësi ose studenti mund të hyjë në një realitet virtual në të cilin përballet me situata konkrete dhe nxënë, kryesisht me teknikën learning by doing.
  • Burime për studime më të thella: këto janë materiale mësimore jo ndërvepruese, në format multimedial (video, audio, ...) që nxënësi ose studenti konsultohet, por me të cilat nuk ndërveprohet. 



A është edukimi në prani i barabartë me edukimin online?


Një pyetje që në rangun e kërkuesëve shkencor han mjaft debat. Nuk mund të flitet për barazi por asnjëra formë nuk e zevendëson tjetrën. Nga përvoja ime, ku kam vite që përdor metodologjinë e tipit brended learning ku është një farë lloj gërshetimi i edukimit online dhe i atij në prani. Në literaturë haset shpesh edhe si kurse pjesërisht online. 



Nëse kjo situatë do të zgjasi edhe më shumë në kohë çfarë mendohet të ndodhë me arsimin dhe shkollat në veçanti?


Kemi gjashtë javë që janë mbyllur institucionet arsimore dhe në media, portale të ndryshme hasim lloj lloj idesh dhe zgjidhjesh. Më bën përshtypje mos dhënia e ndonjë fondi për arsimin dhe vazhdohet të mos jepet ku Italia dha rreth 80 milionë euro. Viti shkollorë duhet të mbyllet patjetër, sesi do të vazhdohet deri në fund varet a do të hapen shkollat apo universitetet, ku e shoh pak të vështirë. Zgjidhja më e mirë do të ishte që institucionet e politikave arsimore të mbedhin specialistat më të mirë të kësaj fushe dhe të vendosin. Në Itali kemi parë që për vendime të tilla diskutohen edhe në senat. Nuk duhet të harrojmë se me kushtetutë nxënësve duhet t’iu garantohet arsimin cilësorë. 



Sipas mendimit tuaj a duhet të ketë një ndërhyrje në ligj për shkollat e larta për përfshirjen e mësimit online sepse realisht në universitet ky lloj mësimi po kryhet pa u bazuar në diçka të tillë?


Po, ligji ka nevojë të rishikohet por në prizmin e edukimit sinkron sepse universitetet e kanë përdorur dhe përdorin edukimin asinkron. Duhet parë në kushtet tona a e zevendëson edukimi sinkron edukimin në prani? Pastaj duhet të shikohen raportet e këtyre dy llojeve edukimi. 

Për shkollat mendoj se duhet të rishikohet përdorimi i telefonave, si mjet didaktik në shkollë. 



Si mund të motivohen mësuesit ose pedagogët të cilët janë treguar shumë të arrirë në këtë periudhë edukimi të pazakontë nëpërmjet profesionalizmit të tyre?


Përpara së ti përgjigjem pyetjes duhet të shikohet sesa ja kanë arritur qëllimit mësuesit apo pedagogët dhe nuk shoh të jetë matur nxënia. Së pari duhen falenderuar sidomos mësuesit për punën e tyre të pa lodhur për t’iu qëndruar sa më afër nxënësve, për të mos humbur kuptimin e shkollës. Në media apo portale nuk kam hasur shpesh mësuesë, pedagogë apo specialist që të flasin për: epërsitë e teknologjive didaktike, planet e ndryshme pedagogjike madje edhe sipas shkallës së vështirësive të përdoruesit, metodologjitë didaktike të përshtatshme për edukimin online. Pra, ka shumë shumë punë për t’u bërë. 

Motivimi edukuesëve është problem mjaft delikat dhe ka shumë faktorë që dërgojnë atë edhe në demotivim, ku pjesa më e madhe e mësuesve janë të tillë. Ata edukues që janë treguar të aftë në rastin e tanishëm, institucionet arsimore duhet t’i stimulojnë në organizime konferencash, workshopesh, trajnimesh, sidomos në nivel shkolle apo univeristeti. Këta specialist të aftë mendoj që edhe pagesa i stimulon akoma më shumë. 



Si mendon që vazhdohet dhe si të vazhdohet me edukimin online mbasi të fillojnë shkollat dhe universitetet?


Kjo është një pyetje mjaft interesante. Vijmë nga një shkollë e fortë e tipit behaviorist ku këtë qasje filozofike shumica e përdorin edhe sot si në shkollë ose universitet.

Kjo situatë sikur e thashë edhe më lart e gjeti mësuesin të pa kualifikuar. Në këtë kohë është punuar shumë por jo punë e sistemuar dhe mirë menaxhuar nga shkolla apo institucionet të tjera. Kjo ngarkesë ka sjellur edhe stres tek mësuesit dhe kam frikë për një vazhdim të rregullt dhe si duhet të edukimit online. 

Institucionet arsimore duhet të investojnë në blerjen e platformave të e-learning dhe të jenë në bazë shkolle. Mesuesi i TIK-ut të administrojë platformën, me pagese ose ti ulet ngarkesa. Mund të përdoren edhe platforma falas por të menaxhuara gjithmonë nga shkolla. Metodologjia e përdorur të jetë e tipit blended learning. Tjetër problem, duhet menduar që të jenë veprimtari të detyrueshme? Apo veprimtari jashtëkurrikulare? Parë motivimin e mësuesve unë votoj për të parën. Ngarkesa e mesuesit nuk duhet të shtohet, në qoftë se mendohet të shtohet duhet të paguhet.  

Në universitet gjendja është pak më ndryshe, platformat e nxënies ekzistonin edhe pse diku përdoreshin dhe diku jo. Mendoj që në universitet edukimi online do të vazhdojë më mirë se më përpara. 



Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,389 Lexime
1 muaj më parë