Mesazhi i drejtorit

Drejtori i shkollës letër prindërve të nxënësve

"Njësoj si fëmiët tuaj nuk ju zgjodhën ju, po ashtu nuk zgjedhin as mësueset. Edhe mësueset mësojnë të jenë mësuese siç ju mësoni të jeni prindër. Mes jush dhe mësueseve janë fëmijët."

Të dashur prindër!


Po ju shkruan një prind nxënësish, një djalë mësuesish, një drejtor shkolle e një mesues njëherazi; po ju shkruan po ashtu edhe ai që beson te magjia e arsimit të mirë kombëtar. Qytetërimi është Arsim; Ekonomia është Arsim; Rendi është Arsim; Shëndeti është Arsim; gjithçka për një komb është në thelb Arsim.


Të dashur prindër të nxënësve që këtë të hënë nisin shkollën, së pari na u qoftë udha dritë fëmijëve! Desha t’i flas dy fjalë me ju si t’i flisja me veten, pa zbukurime e formula. Prindër, ju nuk i keni zgjedhur fëmijët tuaj para se t’i kishit ashtu si ata nuk ju kanë zgjedhur ju. Nuk vajtën të dyja palët në ndonjë MAPO e të thonin: Shoqe të lutem, desha një vajzë të bindur ose po nuk pate, më bëj një djalë artist.


Jo, askush nuk zgjodhi kënd dhe sekushi mësoi rrugës të jetë prind. Njësoj si fëmiët tuaj nuk ju zgjodhën ju, po ashtu nuk zgjedhin as mësueset. Edhe mësueset mësojnë të jenë mësuese siç ju mësoni të jeni prindër. Mes jush dhe mësueseve janë fëmijët.


Nëse mësuesi thotë që duhet rikopjuar krejt mësimi me shkrim në fletore dhe juve ju duket “pa vlerë”, ju lutem mos t’ia thoni këtë fëmijës. Shkoni po deshët në mbledhjet me prindër dhe diskutojeni, por mos e thyeni autoritetin e mësuesit te fëmija se e dëmtoni, fëmijën të parin.


Nëse mësuesja e gjeografisë (qëllon që ju ta njihni), ju jep “konsiderata” apo “moskonsiderata” për metodën e mesueses së matematikës, ju lutem kapërceni mbi qejfin e muhabetit me mësuesen dhe lerjani matematikën mësueses së matematikës.


Nëse mësuesi i fiskulturës vendos t’i nxjerrë në kohë të mirë e të keqe fëmijët e t’u “marrë shpirtin” me ushtrime, ju lutem mos trazoni gjithë miqtë tuaj mjekë për t’i sajuar fëmijës një “raport”.


Nëse nuk jeni dakord me vendimet apo qëndrimet e mësuesve (dhe jeni të lutur të vigjëloni), ju lutem shmangni në sy të fëmijëve çdo cilësim fyes për mësuesit; fëmijët tanë nuk kanë nevojë aspak për një aleancë me prindërit kundër mësuesve a kundër shkollës. Mos lëshoni pe për këtë, pavarësisht se fëmijët tuaj të zgjuar do mundohen t’ju përfshijnë në “Pakte”, “Aleanca” e gjithfarë përbetimesh.


Nëse fëmijët qëllon të marrin nota jo të mira, ju lutem mos i trembni e as mos i fyeni. Rrezikoni t’i bëni gënjeshtarë e ziliqarë të kompleksuar.


Të dashur prindër, kur ju kanë thënë se nota tregon dijen, jua kanë thënë gabim: në fakt çdo notë tregon vetëm një stad të dijes, atë të asaj dite kur është marrë nota. Kush tha që stadi nuk kapërcehet me studim?? (Ju lutem pa terror!).


Nëse fëmijët ju thonë se “mesuesja është çmend dhe ka dhënë një mal me detyra”, ju lutem mos u bëni kot zemërdhembshur duke iu shkruar mësuesve justifikime gënjeshtrash të tipit “erdhëm vonë në shtëpi”, ose “mbrëmë vajza kishte dhimbje koke ndaj nuk i përfundoi detyrat”. Fëmija nuk ka nevojë për aleanca gënjeshtrash kundër detyrimeve shkollore.


Kaq kisha, me mend e me zemër! Si prind e si mesues. Rroftë dija e rroftë shkolla e i paçim mësuesit e fëmijëve! Veç jetës, asgjë tjetër nuk e ka rëndësinë e shkollës. Asgjë! 


Drejtori i shkollës 

Tauland ÇALA


(Portali Shkollor)

12,199 Lexime
5 vjet më parë