Ekselenca

"Dua të lë gjurmë dhe ta ndryshoj këtë botë"

''Të dashur mësues, ju falënderoj që keni zgjedhur këtë profesion fisnik, edukuar prindërit tanë, na edukoni ne dhe do të edukoni fëmijët tanë.''

Sindi Sahiti është nxënëse në gjimnazin “Sandër Prosi” në vitin e tretë. Ajo është një ndër nxënëset më të mira të Tiranës. Ne biseduam me Sindin dhe ajo na tregoi se si është për të të jetë nxënëse ekselente.


Sindi si ndihesh tani që je një ndër nxënëset më të mira të qytet?

Sot nuk është e lehtë të jesh një nga nxënësit më të mirë. Për të arritur këtë duhet përkushtim, dëshirë dhe vizion për të ardhmen. Unë i vura qëllimin vetes të arrija të isha mirë me mësime dhe e arrita. Ishte e vështirë por ja dola dhe  jam vërtetë e lumtur.


Ky vlerësim është meritë e jotja sigurisht, por cili është roli i familjes tënde në këtë sukses? 

Familja është një shtyllë e rëndësishme për mua, pasi jo vetëm që më kanë plotësuar kushtet por dhe më kanë lënë të lirë të bëj zgjedhjet e mia. Pjesëtarët e familjes time më kanë ndihmuar jashtëzakonisht, unë jam vërtet mirënjohëse dhe jam kjo që jam prej tyre.


Po roli i mësuesve të tu?

Mësuesit e mi nuk kanë qenë vetëm mësues por miq, mësues, prind dhe psikologët e mi. Të gjithë mësuesit janë miqësor dhe shumë mirëkuptues. Në shumë raste më kanë shpjeguar gjëra që nuk i kuptoja, më kanë pyetur pa më vënë në siklet. Mësuesit më kanë nxitur për të qenë ndër më të mirët.


Si ndihesh në shkollë? Cili është mësuesi/ja që do të doje t’i ngjaje?

Unë nuk jam një tip shumë i vështirë, por ndonjëherë mund të has dhe vështirësi. Në përgjithësi jam e shoqërueshme dhe shkolla për mua nuk është vetëm mësime por dhe një mënyrë për të marrë kënaqësi pasi në kontakt me njerëz të ndryshme mëson gjëra të ndryshme, madje mund të gjendesh në situata të cilat nuk ke qenë kurrë dhe çdo gjë është e re. Unë në shkollë shkoj me shumë dëshirë për shkak të miqve të mi dhe ambientit që na rrethon.


Në qoftë se do të merrja një shembull nga mësuesit, do të kisha marrë shembullin e zyshës time kujdestare Fatbardha Vrapi e cila përkushtohet te e gjithë klasa pa lënë askënd mbrapa, na kupton dhe na kritikon të gjithëve në mënyrë të barabartë. Unë do kisha dëshirë t’i ngjaja.


Cila është lënda jote e preferuar? E ke zgjedhur profesionin e ardhshëm? Çfarë do të bëhet Sindi?

Nuk mund të them se kam vetëm një, por aty ku shijoj mendimet e mia plotësisht është letërsia. 

Qëllimi im më i madh është të bëhem gazetare, për vetë faktin sepse unë dua të lë gjurmë dhe të ndryshoj këtë botë.


A ke sot një mesazh për të gjithë mësuesit? Cili është ai?

Po unë kam një mesazh. 

''Të dashur mësues, ju falënderoj që keni zgjedhur këtë profesion fisnik, edukuar prindërit tanë, na edukoni ne dhe do të edukoni fëmijët tanë.''


Nëse do kishe një shkop magjik çfarë do të ndryshoje në shkollë? Po në qytet?

Nëse do të kisha një shkop magjik unë do doja të ndryshoja ambientin shkollor pasi është në kushte të vështira, por jo vetëm, unë do doja të ndryshoja dhe mënyrën e sjelljes së nxënësve me mësuesit dhe me njeri - tjetrin. Do doja të ndryshoja sistemin në shkollë duke afruar me sistemin japonez apo sisteme të tjera jashtë Shqipërisë pasi shkolla ka nevojë për barazi, kujdes dhe përkushtim.


Në qytet nuk do të kisha një listë të madhe me ndryshime por, do doja të shtoja më shumë hapësira të gjelbra ku njerëzit mund të qetësohen dhe të shijojnë natyrën, të kishte më shumë vende për të studiuar si biblioteka.  Dua që mentaliteti shqiptar dhe sjelljet e papërshtatshme të zhdukeshin nga komuniteti ynë.


(A. Hoxhaj; Portali Shkollor)

7,561 Lexime
6 vjet më parë