Në vend të protestës

E fuqishmja grua!

Rrugët tona janë sigurisht të ndryshme, ashtu edhe sakrificat, gjërat për të cilat luftojmë, ëndrrat që mbyllim në zemër, për t'u përpjekur ndërkohë, të realizojmë ëndrra të njerëzve që i vëmë para vetes. Ja pse tingëllon kaq fuqishëm fjala grua, dhe brishtësinë e saj, e kthen në magji!

Grua...! 

Tingëllon aq fuqishëm e ndërthuret aq bukur me brishtësinë e saj. Madje jam pothuajse e sigurt që tingëllon po aq bukur në çdo gjuhë të botës. Do ta quaja fatkeqësi për një popull nëse nuk do të kuptonte plotësisht se çfarë do të thotë grua dhe se sa e vakët do të ishte çdo sekondë pa prezencën e saj. Është madje ironike që në shumë kultura, figura e saj ulet, dhe pse?! 


Mendimi im është ndoshta mendimi i një femre kryengritëse e do cenonte krenarinë e gjinisë tjetër, por gjithmonë kam menduar se disa burra të vegjël, kanë frikë nga potenciali i saj. Madje, madje, gjithçka e përditshmërisë së saj shihet me një nën çmim, dhe është e qartë përse..., sepse kurrë nuk ka munguar ajo përditshmëri, e nëse do të mungonte, do të ishte aq shumë e çmueshme...


E nëse do të uleshim të flisnim për gruan?! 


Nëse do të analizonim çdo detaj të jetës së saj? 


I vjen ndokujt në mend fjala sakrificë kur flet për gruan? Mua po, madje fjala sakrificë më ulëret me të madhe kur them fjalën grua. Që fëmijë, shumë e vogël, një vajzë sakrifikon çokollatën e saj për vëllait. Po, unë e kam bërë, e madje jam e sigurt që çdonjëra nga ne e ka bëre...duket se prej atij momenti, jeta e saj, shënon një sakrificë të vazhdueshme; disa të nevojshme, e disa jo, disa të merituara nga pala tjetër, e disa jo....


Sigurisht bazohem më tepër tek femra shqiptare, duke qenë një femër e tillë vetë. E pavarësisht kësaj, duhet të nënvizojmë se të gjithë ne jemi rritur në familje të ndryshme, e sigurisht bazuar në këtë, kemi marr formimin, kemi krijuar ëndrrat, zakonet, planet tona për jetën...që gjithsesi na duhet shpeshherë t’i ndryshojmë gjatë rrugës, sepse ne jemi femra! E në gjithë këtë mes, më lejoni të them se duhet ta duartrokasim njëra-tjetrën, veçanërisht për faktin se sa shpejt adaptohemi në çdo situatë, në çdo vend, në rrethana që kurrë nuk i kishim menduar...! 



Unë jam krenare për veten. Po, e them këtë me bindje. 


A shkoi jeta ime ashtu siç e kisha planifikuar? 

Jo.

A u realizuan ëndrrat e mija? 


Jo të gjitha deri më sot. Por unë si njeri ndihem mjaftueshëm e realizuar, se gjithçka që kam përballuar, më kanë bërë atë që unë jam sot. Fakti që unë kisha ëndrra në profesionin që doja në vendin tim, fakti që i lashë ato ëndrra e kapërceva oqeane në një botë të panjohur për mua, llojet e punëve që kam bërë, të gjitha këto me kanë kthyer në atë që unë jam sot, dhe jam krenare për veten; secila nga ne duhet të jetë! 


A është e lehtë të jesh nënë e dy fëmijëve të vegjël,  ndërkohë që nuk kanë afër gjyshër, teze, dajë, xhaxha, kushërinj? 


Jo! E megjithatë, në mes të gjithë kësaj, unë përpiqem, përpos gjithë të tjerave, që fëmija im, të mos e humbasë gjuhën shqipe, ndërkohë që në shkollë, mësojnë gjuhën e vendit ku jetojmë. Lexojmë përralla shqip në darkë, ndërkohë që gjithë pasditen kemi bërë detyrat në një gjuhë tjetër. 


Rrugët tona janë sigurisht të ndryshme, ashtu edhe sakrificat, gjërat për të cilat luftojmë, ëndrrat që mbyllim në zemër, për t'u përpjekur ndërkohë, të realizojmë ëndrra të njerëzve që i vëmë para vetes. Ja pse tingëllon kaq fuqishëm fjala grua, dhe brishtësinë e saj, e kthen atë në magji!



Nga Orsjola Tavani



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,429 Lexime
3 vjet më parë