INTERVISTË

Edukimi i fëmijëve është punë dhe detyrë

Intervistë me Elmira Kambon, drejtoreshë e gjimnazit "Fuat Babani", Bilisht. Mësuesja shprehet se dhurata më e bukur për 7 mars janë telefonatat, mesazhet e urimit që merr nga ish-nxënësit e saj.

Mësuese faleminderit që pranuat ftesën për një intervistë. Do të jetë kënaqësi për mua!



Mësuese, si fillim ju lutem na thoni diçka rreth jetës suaj profesionale.


Kam lindur ne Bilisht me 03.09.1972. Arsimin bazë e kam marrë në qytetin tim të lindjes, në Bilisht. Arsimin e lartë e kam kryer në Universitetin "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, dega Biologji-Kimi. Prej vitit 1995 e në vazhdim kam ushtruar profesionin e mësuesit dhe aktualisht jam drejtoreshë në gjimnazin "Fuat Babani", Bilisht. Në gjimnazin të cilin sot drejtoj kam një eksperiencë pune 24 vjeçare.  



Pse keni zgjedhur që jetën tuaj ta lidhni ngushtë me profesionin e një mësimdhënësit?


Mësuesia është profesioni që më ka intriguar që fëmijë. Një mësues i mirë mund të shndërrohet në mit, në hero apo në një model frymëzimi për nxënësit e vet. Është një profesion që të vendos gjithmonë përballë sfidash dhe kur përkushtohesh maksimalisht të shpërblen me emocione dhe ndjesi gjithmonë pozitive.



Cilat kanë qenë ndjesitë e para kur ke dalë para nxënësve? 


Emocion, përgjegjësi. Kam pasur fatin që gjithmonë të punoj me nxënës gjimnazistë. Në këtë periudhë të jetës nxënësi ka dilema të shumta në lidhje me të ardhmen dhe ti si mësues merr një rol të rëndësishëm në fatin e tij. 



Në qoftë se do të ktheheshe në kohë, a do kishe diçka për të ndryshuar?


Njeriu nga natyra është qenie që gjithmonë reflekton dhe mendon për mundësi alternative për çdo veprim të rëndësishëm që merr në jetë. Mendoj se për gjërat më të rëndësishme kam bërë zgjedhjet e duhura dhe nuk do të doja të ndryshoja asgjë. Ndoshta do t’i kushtoja më tepër kohë familjarëve të mi. 



Pse keni zgjedhur pikërisht të jeni një mësuese e shkencave ekzakte? 


Më pëlqejnë gjërat kur thuhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, kërkojnë saktësi dhe nuk lenë hapësira për diskutime. Fizika ka qënë gjithashtu një nga lëndët më interesante për t’u studiuar. Është detyrë e shkencës që gjithmonë është në evolucion, gjithmonë sjell risi dhe zgjon kuriozitetin e njeriut për të zbuluar veten dhe botën që e rrethon. Jo më kot ky shekull është cilësuar si shekulli i “Biologjisë”.



Edhe pse jeni një mësuese, njëkohësisht keni bërë edhe rolin e nënës dhe të bashkëshortes, ka qenë e vështirë për ju?


Përkundrazi, familja ka qenë gjithmonë mbështetje për mua. Në fund të ditës familja është vendi që të ofron qetësi dhe ngrohtësi. Meqënëse në një familje mbizotëron respekti dhe mirëkuptimi, askush nuk mund t’i bëhet barrë tjetrit.



Cilën situatë do të veçoje si më të bukurën gjatë karrierës sate? Po më të keqe?


Janë të shumta momentet që më kanë falur kënaqësi në punë, tani që po e mendoj e kam të vështirë të veçoj një prej tyre. Momentet më emocionuese kanë qenë kur nxënësit kanë marrë rezultatet e provimeve të maturës apo kanë fituar degët e preferuara në Universitet. Lumturia e tyrë më ka falur emocione të papërshkrueshme. Është normale që në punë çdo njeri të kalojë edhe si ato momente të vështira, por me ndihmën e miqëve dhe kolegëve gjithmonë ia kam dalë të jap më të mirën nga vetja.



Thonë që është e vështirë të mbash mend të gjithë nxënësit që ke pasur. A është e vërtetë sipas teje? 


Në të vërtetë i kujtoj pothuajëse të gjithë nxënësit që kam pasur ndër vite. Padiskutim që disa prej tyre të nguliten në kujtesë dhe gjithmonë spikasin nga të tjerët. Nuk është e thënë që të ngelen në kujtesë vetëm nxënësit me rezultate të shkëlqyera në mësime, ka dhe nxënës që të fiksohen për shkak të karakterit të tyre të veçantë. Lista është shumë e gjatë dhe nuk do të përmend emra konkretë.



Sa e vlerësuar ndihesh sot nga nxënësit që ke pasur? Po nga kolegët? 


Shumë e vlerësuar! Këtë gjë e ndiej nga urimet që marr për çdo festë nga ish-nxënësit, që edhe pse kanë kaluar vite, vazhdojnë të më kujtojnë me mesazhe apo telefonata. Nga reagimet e tyre dhe të familjarëve, sa herë që i ndesh në rrugë. Marrëdhënia me kolegët është shumë e rëndësishme. Në një institucion arsimor bashkëpunimi është një nga elementët kyç për të arritur suksesin. 



Ti je një mësuese me 26 vite eksperiencë si mendon se kanë ndryshuar brezat nga viti në vit?


Bota ku jetojmë është në ndryshim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë. Gjatë 26 viteve të mia të punës kam parë që ky ndryshim te nxënësit ka pasur sa efekte pozitive, aq dhe negative. Nxënësit janë më të lirshëm më të pavarur dhe kanë më tepër mundësi për të zgjedhur. Por për fat të keq shikoj që ka një varësi të madhe ndaj teknologjisë, që shpesh keqpërdoret. Të rinjtë janë larguar nga libri dhe kënaqësia që të jep leximi.



Mësuese së fundmi keni marë dhe postin e drejtoreshës në “Gjimnazin Fuat Babani Bilisht”. Çfarë do të thotë kjo për ju? A i trembeshit diçkaje në këtë pozicion?


Së pari e shikoj si vlerësim, por dhe përgjegjësi. Detyra e një drejtuesi nuk është ta menaxhojë institucionin që drejton, por duhet të japë më të mirën nga vetja për ta zhvilluar dhe për ta përshtatur me kërkesat e kohës. 

Jo, aspak! Përvoja si mësuese prej shumë vitesh në këtë shkollë, fakti që për disa vite kam qëndruar në pozicioni e nëndrejtorit  të shkollës dhe duke ditur që stoli që do të drejtoj është me përvojë shumëvjeçare pozitive në arsim, është një arsye më shumë për të vazhduar së bashku me ta rrugëtimin në arsim.



Cila është motoja juaj në punë?


Motoja ime në punë është: “Edukimi i fëmijëve është punë dhe detyrë”. 



Mësuese dhe një pyetje të fundit për ta mbyllur, cila ka qenë dhurata më e vecantë për ju që keni marrë për festën e mësuesit? 


Dhurata më e bukur janë telefonatat, mesazhet e urimit që marr nga ish-nxënësit e mi që edhe pse kanë kaluar shumë vite vazhdojnë më tregojnë respektin dhe vlerësimin e tyre. 


Është edhe një moment që më ka emocionuar shumë, kur dy ish nxënëset e mia që kishin  mbaruar gjimnazin para disa vitesh, më kanë suprizuar me një buqetë me lule, shoqëruar me një dedikim shumë të veçantë. 



Mësuese ishte kënaqësi për mua që të zhvilloja një intervistë me ty! Faleminderit për kohën dhe suksese të mëtejshme! Gëzuar dhe nga ana ime festën e mësuesit 7 Marsin!



Intervistoi Ermes Hoxhalli




Publikim Parajsa Shtini

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,041 Lexime
3 vjet më parë