LEXUESJA E VITIT

Emi Resuli, “Lexuesja e Vitit”

Është vetëm 7 vjeç, por është shpallur “Lexuesja e Vitit”. Pasioni i saj për librin është i admirueshëm.

Është vetëm 7 vjeç, por është shpallur “Lexuesja e Vitit”. Emi Resuli, vogëlushja nga Tirana, është ndër anëtaret më të vogla të bibliotekës “Hamit Beqaj” në njësinë bashkiake 8, të kryeqytetit. Që prej hapjes së kësaj biblioteke në muajin Tetor të vitit 2018, Emi është anëtarja më e rregullt e bibliotekës dhe siç tregon stafi aty, ajo merr çdo javë nga një libër pë t’a lexuar.

Ndonëse Emi vjen nga një familje, e cila ka një bibliotekë personale në shtëpi dhe prindërit kujdesen që biblioteka të jetë e pasuruar, 7 vjeçarja e ka shndërruar në ritual të përjavshëm tërheqjen e librit, në bibliotekën e lagjes.  Siç tregon vetë Emi, ajo merr pjesë në çdo lexim të nismës “Lexojmë për fëmijët”. Ndaj jo më kot, në Ditën Botërore te Librit, 23 Prill, ajo mori çertifikatën  e “Lexueses së Vitit” nga Bashkia Tiranë.

Emi “kondrapedali” i botës së teknologjisë

Në kohën kur çdo i rritur dhe çdo fëmijë është i orientuar drejt virtuales dhe internetit, zgjedhjet e 7 vjeçares drejt librit si formë klasike e leximit, duken të rralla dhe të habitshme. Në çdo vizitë të sajën në bibliotekën “Hamit Beqaj”, Emi shoqërohet nga i ati Artan Resuli dhe bashkërisht zgjedhin me shumë kujdes çdo libër.


Vogëlushja këshillohet gjithmonë me babain e saj, i cili e orienton të tërheqë nga biblioteka librat kult të letërsisë për fëmijë, kryesisht ata të botuar para viteve ’90-të.  Ajo çka të bën më shumë përshtypje nga Emi, është edhe fakti se 7 vjeçarja ka një fletore të vogël, ku nxjerr çdo fjalë të re që lexon dhe mëson nga librat. Duke e shënuar në fletore, ajo mëson bashkë me të atin kuptimet e këtyre fjalëve.

Emi tregon se ky është një nga misionet e saj me leximin, ku pas çdo libri që lexon duhet të mësojë fjalë të reja e bashkë me to, kuptimin dhe përdorimin e tyre. Është pikërisht ky fakt, që e ka bërë Emin të jetë një fëmijë me fjalor vërtet shumë më të pasur se moshatarët e saj. Për babain e saj, Z. Artan kjo është diçka shumë e rëndësishme, pasi është një mënyrë përfitimi shumë e madhe.


“Liria e Librit”

Kur i pyet drejtuesit e bibliotekës “Hamit Beqaj” lidhur me Emin, ata mund të tregojnë dhjetra ndodhi për të. Nje prej tyre është edhe gjatë leximit publik me shkrimtaren Persida Asllani, e cila erdhi pranë bibliotekës për të lexuar librin e shkruar prej saj “Më quajnë Musine Kokalari”. Emi në fakt, e kishte nisur leximin e këtij libri dhe nisi të pyesë për mënyrën e rrëfimit dhe për më shumë detaje tragjike të jetës së Musinesë. 7 vjeçares i dukej e pabesueshme që një njeri, ishte “dënur me vdekje” vetëm për atë që mendonte ndaj e habitur tha, “Po ne jemi të lirë të mendojmë si të duam dhe ta themi atë që mendojmë”!


Rikthimi i shkëlqimit të bibliotekave të lagjes

Tirana numëron rreth 10 biblioteka lagjesh, të cilat ishin lënë në harresë prej vitesh. Edhe pse ekzistonin si ambiente, ato frekuentoheshin kryesisht nga mosha e tretë, pasi prej gati një dekade nuk pasuroheshin me tituj të rinj dhe nuk ishin aspak tërheqëse për të rinjtë.

Prej vitit 2016, Bashkia nisi rikonstruksionin dhe shndërrimin e një pjese të tyre në qendra multifunksionale.  I tillë është dhe rasti i bibliotekës numër 3, e cila u rikonstruktua tërësisht në Tetor të vitit 2018. Fondi i kësaj biblioteke u pasurua me rreth 15 mijë tituj dhe në harkun kohor të më pak se një viti,  numri i antarëve është trefishuar.  Biblioteka “Hamit Beqaj” ndërmorri për herë të patë nismin e leximit për fëmijë nga pesonazhe të ndryshëm publik, duke kthyer kështu shkëlqimin e dikurshmëm të bibliotekave të lagjes.



(Portali Shkollor)

3,226 Lexime
4 vjet më parë