Fenomen në shkolla

Evans Drishti: A ju vret “opinioni”?

Përbën një histori më vete çështja e “opinionit”. Kjo vjen si rezultat i krijimit të një raporti të hekurt nxënës – mësues, me pësimin e një bllokimi që në pikënisje, duke u pranuar si “i pandryshueshëm” dhe “i patjetërsueshëm”. Analiza e radhës nga mësuesi Evans Drishti.


...

Ulej përherë në fund të bankave, mu në qoshe, në cepin e djathtë të laboratorit. Gjithnjë në heshtje, si në ndrojtje, si të ishte i fajësuar apo të kish fajësuar dikë. Ndrojtja e kishte bërë disi edhe të mbyllur, jo thjesht si natyrë, por edhe në raport me të tjerët. Brishtësia e shpirtit kishte bërë folezë në zemrën dhe mendjen e padjallëzuar të tij, S’ishte se s’e donte librin, por ja që në të shumtën e rasteve i shfaqej si një gjigant që do ta kafshonte, i vinte si të ishte një peshë e rënduar mu përpara syve të tij, fletëzat i dukeshin si të ishin kapakët e një porte madhështore që priste të çelej e të mbyllej vetëm prej duarve të tij…. Nuk shquhej për ndonjë shkathtësi, as për ndonjë mendje të mprehtë, e megjithatë kishte plot dëshirë t’i afrohej librit, ta rrokte e ta përqafonte si të ishte një mik shumë i dashur që kish kohë pa e takuar. 

Mësimdhënësi në laborator fliste e shpjegonte pa u ndalur dhe atij i dukej si një makineri shtypi që vetëm nxjerr fletë të shtypura nga goja dhe ashtu siç dalin edhe radhiten njëherazi. Mësuesi e kish pyetur në fillimet e herës, por seç kishte pësuar një ngërç, e si pasojë edhe atë që e kish ditur për fatin e tij të keq e kishte ngatërruar. Një herë të vetme kishte ndodhur kështu, por ja që kjo kishte mjaftuar që mësuesi i tij ta kishte marrë me një sy jo fort dashamirës, e si rezultat kishte krijuar një përshtypje se nuk vlente më shumë se nota “5”. Një gjë e tillë e kishte brengosur së tepërmi e që nga ajo kohë ndjente një lloj ftohtësie nga lënda, nga libri, nga ora mësimore e natyrshëm edhe nga mësimdhënësi. Çdo ditë që shkonte në shtëpi as që e merrte mundimin të merrej me atë libër dhe për rrjedhojë me atë lëndë, madje as që donte ta shihte me sy. Seç i jepte një lloj pështjellimi sa herë që e merrte ta shtinte në çantë! Po kaq brengosëse erdhi dhe iu bë edhe sa herë që vinte në shkollë, pasi ajo orë mësimore tashmë për të ishte më e padëshirueshmja. Edhe në ato raste kur mësuesi i drejtonte ndonjë pyetje, që për fat të keq edhe të tilla raste ishin të rralla, ai si për nga inati tregohej i mpirë dhe s’kthente përgjigje, ose nganjëherë i përgjigjej edhe me frazën klasike “s’e di!”, por kjo tashmë nuk i bënte fare përshtypje, pasi as mësuesit të tij s’i bënte më përshtypje…

Një ditë e kishte mbërthyer një zell i çuditshëm, i ndikuar edhe një nga shoku i tij i klasës, të cilin e donte dhe e respektonte së tepërmi, teksa ishte ulur disa orë të mira për t’u përgatitur për mësimet e zhvilluara orët e fundit. Këtë herë kishte vendosur të merrte kurajën e t’ia dëshmonte mësuesit se ishte përgatitur. Me t’i ardhur radha u ngrit për t’i shpjeguar ato që ishte munduar t’i mësonte, i radhiti mjaft mirë çështjet kryesore, e teksa po priste me plot entuziazëm se mësuesi do të reagonte pas një përgatitjeje të tillë, pësoi një tjetër zhgënjim kur mësuesi ia ktheu: “Ulu se nuk mjafton vetëm kaq, do të pyetesh sërish herën tjetër!”. Nuk e donte veten aspak në ato çaste, u ul rrëmbimthi, kishte një dëshirë të zjarrtë përbrenda ta shqyente atë “libër të mallkuar” pasi kërkonte që së paku të vlerësohej për atë mundim që kishte marrë. Sërish zemra iu pikëllua, sërish shpirti iu lëndua, sërish fytyra iu zverdh… E ndjente vetëm tepër të pafuqishëm ta thyente këtë “opinion”. Donte të qante, të ulëriste, s’kishte dëshirë të shihte askënd, as mësuesin që jo e jo, por as shokët e tij të klasës, madje as mikun e tij të ngushtë që i qëndronte afër, madje që e kishte ndihmuar të mësonte diçka më shumë nga e zakonshmja. U mbyll në vetmi… U mbyll në heshtjen e tij… Njëlloj si të ishin ngrysur petalet e një luleje shumëngjyrëshe dhe aromatike… 

  ...


Përbën një histori më vete mjaft të hershme çështja e “opinionit”, dhe për rrjedhojë edhe një dhembje të pazbërthyeshme. Kjo vjen si rezultat i krijimit të një raporti të hekurt nxënës – mësues, me pësimin e një bllokimi që në pikënisje, duke u pranuar si “i pandryshueshëm” dhe “i patjetërsueshëm”. 


Njeriu është një qenie e ndryshueshme, mendja e të cilit prodhon me qindra e mijëra qeliza sa herë që aktivizohet. Njeriu ka një konstrukt fizik dhe shpirtëror të përsosur që drejtohet vazhdimisht nga truri në raport të ngushtë me zemrën. Janë pikërisht këta dy organe që i sjellin ripërtëritjen e herëpashershme njeriut duke sjellë edhe reflektime të ndryshme qofshin ato pozitive apo edhe negative. 


S’duhet të harrojmë se: 


Nxënësi vjen në shkollë me idenë dhe dëshirën të marrë diçka nga laboratori edukues dhe për rrjedhojë një shkëndijë dëshire rrezaton përherë në mendjen dhe shpirtin e tij. 


Mbart mbi supe një çantë, sado e lehtë të duket, sado e rëndomtë, sado e thjeshtë të duket nga paraqitja, e megjithatë gjendet brenda saj qoftë edhe një libër, qoftë edhe një fletore, qoftë edhe një mjet shkollor, sepse një ide e përshkon mendjen e tij, ideja e të ardhurit në shkollë dhe e të qenurit “nxënës”.


Nxënësi ulet në bankën shkollore, ndërkohë që herë pas here sytë dhe mendjen i drejton tek mësimdhënësi, tenton dhe guxon të jetë pjesë e asaj atmosfere edukative. 


Nxënësi mendon, shikon, vështron, gjykon, vepron, kërkon, komunikon, nxënësi flet, buzëqesh, ironizon… Nxënësi reagon, ndrydhet, asgjëson, inspiron, komenton, artikulon…sepse nxënësi jeton… 


Nxënësi flet, por flet me botën e tij dhe për botën e tij, flet me shpirtin e tij dhe për shpirtin e tij, flet me mendjen e tij dhe për mendjen e tij…


Nxënësi gjykon, por gjykon në heshtjen e tij për veten dhe për tjetrin, për shokun e tij të afërt apo të largët, për atë që e quan mik të vetin apo edhe për atë që e quan armik të vetin…


Gjykon nxënësi edhe për mësuesin, sa herë që e vështron atë, sa herë që i afrohet atij apo edhe i largohet, gëzohet në çastin e afrimit pasi kërkon dhe dëshiron interesim, por pikëllohet sa herë që mësimdhënësi shfaq mospërfillje ndaj tij, sepse edhe nxënësi ka ndjenja dhe përjeton…
 
Nxënësi pret, të shfletojë librin, edhe pse në shumë raste i vjen si të jetë armiku i tij, pret të reagojë mësimdhënësi ndaj prezencës së tij, ndaj fjalës së tij, ndaj intuitës së tij… 


Nxënësi tenton të bëjë qoftë edhe një hap për të shfaqur ekzistencën dhe peshën e tij në laboratorin edukativ, pasi e di se aty është mundësia dhe foleza e ndryshimit dhe se ai ka ardhur pikërisht të ndryshojë… 


Nxënësi ka sedër si ndaj vetes, por mbi të gjitha ndaj shokëve dhe ambientit që e rrethon, dhe kjo shpeshherë e bën atë të reflektojë se s’mund të jetë më i pafuqishëm se të tjerët. 


Sa e kuptojmë reagimin e fëmijës? 


Në përpjekje për të dhënë më të mirën e mundshme në reflektimin sa më të plotë të njohurive për temën përkatëse angazhohemi me mish e me shpirt më qëllimin e mirë të jemi sa më të kuptueshëm për “të nxënit” tek secili prej nxënësve. 

Ju ka ndodhur ndonjëherë që teksa u jeni drejtuar nxënësve me pyetjen klasike “A ka kush diçka të paqartë?” e ndërkohë që nuk merrni asnjë reagim negativ, ndjeheni mjaft të qetësuar me idenë se e tërë puna juaj është plotësuar, por që në orën e ardhshme, me të nisur reagimet negative nga nxënësit kur ata ju kthehen duke ju thënë: “Nuk e kam kuptuar temën” ngeleni të shastisur dhe të brengosur dhe natyrshëm “inatoseni” me veten për shkak të ngërçit të krijuar? 



Cili është reagimi juaj i çastit? 


Natyrshëm, kërkoni dhe tentoni të kuptoni se cila çështje nuk është kuptuar dhe cilët janë ata “natyra” nxënësish tek të cilët është shfaqur një “ngërç” i tillë i padëshirueshëm. Kështu menjëherë, të vetëdijshëm apo të pavetëdijshëm krijoni një “opinion” ne emër të njohjes së natyrës fëmijërore. 


Për shumë mësimdhënës ky “opinion” vijon edhe përtej procesit mësimor, në bashkëbisedimet e ndryshme mes kolegësh, si një mundësi për të gjykuar akoma më thellë rreth rastit të krijuar dhe aftësisë apo intelektit të fëmijës. Por përtej kësaj, a mund të jemi tërë kohës vetëm mbartës të këtyre “opinioneve”? 


Ka plot raste pozitive kur mësimdhënësi tenton të hyjë akoma më në brendësi të natyrës së fëmijës, të kuptojë aftësitë e tij perceptive, punën dhe angazhimin e tij individual duke u bërë një udhërrëfyes për nevojën emergjente të fëmijës në “nxënien” sa më të rregullt të koncepteve bazike. Në këtë mënyrë fëmija ndjehet më i lehtësuar pasi: 


  1. Është i qartë në vetvete për hapat që duhet të ndërmarrë në një përvetësim sa më të kuptueshëm të njohurive;
  2. Arrin të gjykojë dhe arsyetojë teoremat përkatëse sipas një logjike të shëndetshme jashtë mënyrës mekanike të të përvetësuarit; 
  3. Kupton se libri s’peshon rëndë dhe s’duhet parë si një armik i pabesë, përkundrazi duhet parë si një armatë magjike që jep vetëm forcë;
  4. Lexon qartë përkufizimet të shoqëruara me shembujt përkatës dhe arrin të krijojë perceptimet e qarta për secilën prej tyre;
  5. Gëzohet teksa sheh dhe ndjen nga afër interesimin e mësimdhënësit ndaj tij  duke e thyer “opinionin” që ka krijuar ndaj tij në shumë raste;
  6. I gëzohet faktit se nuk ndjehet i nënçmuar individualisht dhe në mesin e shokëve, por përkundrazi çiltërsia dhe mirëkuptimi bëhen emërues i përbashkët i një mbarëvajtjeje; 
  7. E thyen ngërçin që ndjen në brendësi të shpirtit të tij dhe nuk nguron të shpalosë çdo mendim të tijin për çdo tematikë;
  8. Lidhet shumë pas enigmave që ofron lënda dhe për rrjedhojë libri shkollor duke u përfshirë dukshëm në tekstet e prezantuara;
  9. Shmang brengosjen e mëparshme dhe “guxon” të dalë përtej librit duke u orientuar edhe për të tjera ndodhi të treguara në leximet jashtë klase. 
  10. Është një domosdoshmëri e përhershme dhe një detyrë e vijueshme të rrisim komunikimin e drejtpërdrejtë me secilin prej nxënësve, të hyjmë sa më shumë në botën ideore dhe imagjinare të tyre, t’i konkretizojmë njohuritë bazike me dëshmitë reale të përditshmërisë, të thyejmë perceptimet e gabuara që nxisin vetëm “ngërçet” e padëshirueshme dhe të qartësojmë çdo terminologji që na shfaqet gjatë procesit… 
  11. Përsa kohë që të besojmë se çdo njohuri e ofruar në mënyrë të saktë dhe të drejtë reflekton pozitivisht në perceptimet ideore dhe inspiruese të imagjinatës së fëmijës duke rritur dhe formuar intelektin e tij atëherë kemi pranuar se aftësitë e “të kuptuarit” dhe “të gjykuarit” tek fëmija vijnë gjithnjë në rritje duke formuar kështu një personalitet të qëndrueshëm dhe dinamik.

Kështu: 

  • Sa më të qartë të tregohemi në ofrimin e njohurive aq më i qartë do jetë edhe fëmija në percetim. 
  • Sa më të kuptueshëm të tregohemi për fëmijën aq më i kuptueshëm do shfaqet edhe ai ndaj shpjegimit të bërë. 
  • Sa më të lehtësueshëm të tregohemi për botëkuptimin dhe horizontin e fëmijës aq më të pranueshëm do bëhemi edhe për botëkuptimin e tij. 
  • Sa më të komunikueshëm të tregohemi për natyrën e fëmijës aq më i pranishëm do jetë edhe ai në atmosferën e krijuar. 
  • S’duhet harruar se një çelës i mbarëvajtjeve në punën tonë si mësimdhënës është edhe shmangja e “opinionit” të krijuar, kjo pasi ky ngërç krijon rrjedhimisht një reciprocitet të dukshëm duke u hapur rrugën shumë abuzimeve që nuk ndikojnë vetëm në raportin mësimdhënës – nxënës, por edhe në trinonim mësimdhënës – nxënës – prind, duke shkuar më tej edhe në marrëdhëniet shoqërore… 


Si mendoni, ju vret “opinioni”?.... 




 

Nga Evans Drishtimësues i Gjuhës dhe Letërsisë pranë Medresesë së Shkodrës


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.



2,600 Lexime
3 vjet më parë