Opinion

Evans Drishti: A mund të jetë nxënësi shok me mësuesin?

Nxënësi ka për detyrë të respektojë identitetin dhe intelektualitetin e mësuesit, të mos shpërdorojë mirësjelljen dhe dashamirësinë e tij, të mos kapërcejë kufijtë e një komunikimi etik ashtu sikurse edhe mësimdhënësi ka për detyrë të vlerësojë aftësitë dhe kapacitetin e nxënësit.

Klasën e kishim në të njëjtin kat me dhomën e mësuesve apo të ashtëquajtur “këshilli pedagogjik”. Edhe nëse tentoje të dilje apo të nxirrje qoftë edhe kokën te dera me qëllimin e thjeshtë për të vërejtur se cili mësues po i afrohej klasës, e kishe tejet të vështirë ta bëje një veprim të këtillë për shkak të ngurimit se mos vallë nga ajo derë e hekurt atje përtej korridorit dëgjohej një zë i ashpër mësuesi që të bënte ndoshta edhe me shenjë të futeshe menjëherë brënda. 


Me hyrjen e mësuesit në klasë mbizotëronte një qetësi e thellë, një heshtje etike që zgjaste për disa sekonda me qëndrimin në këmbë për të pritur me pas “urdhërin” e mësimdhënësit për një qëndrim të lirë dhe natyrshëm “ulur” në banka. Mësuesin e karakterizonte një qëndrim serioz i përhershëm që në raste të caktuar merrte padyshim edhe nuanca kënaqësie dhe reflektime buzëqeshjeje pa kaluar tonet serioze të një bashkëbisedimi sa të këndshëm po aq edhe frytdhënës. 


Të gjithë ishim të gatshëm të shfrytëzonim çdo minutë dhe orë mësimore për të përfituar nga ai oqean dijesh, por edhe një kulturë dhe diapazon të gjithanshëm të atyre edukatorëve, të cilët qenë të ndërgjegjshëm se kur duhet të ishin mësimdhënës seriozë e kur duhet të krijonin edhe ca batuta të çastit, që natyrshëm ngeleshin në atmosferën e klasës dhe s’depërtonin aspak përjashta. Kjo pasi të gjithë ne, ishim të edukuar me atë frymë që edhe mësimin ta merrnim seriozisht, por edhe të reflektonim një dashamirësi për krijimin e një atmosfere harmonike prej së cilës ishim po aq të vetëdijshëm se kishim përfituar shumë. 


Mësuesi për ne ishte një mësimdhënës që në çdo situatë reflektonte urtësi dhe maturi, ishte një edukator që ofronte çiltërsi dhe dashamirësi, ishte një psikolog që reflektonte delikatesë dhe mprehtësi shpirtërore, ishte një artist që komunikonte mjaft këndshëm dhe me finesë duke ditur të përdorte fjalën e bukur shqipe me aq ngrohtësi dhe koherencë, ishte një bashkëbisedues që vihej edhe në moshën e një bashëmoshatari për të kuptuar nga afër natyrën e secilit prej nesh ku me një buzëqeshje të çastit, ku me një batutë, ku me një sarkazëm e ku me mjeshtëri thumbuese për të na rrokur shpirtrat tanë të brishtë… 


Teksa vinim re përherë impenjimin e tij të vazhdueshëm jo vetëm duke na ofruar një dije të qartë dhe mjaft të bollshme, por edhe duke na zgjeruar vizionin dhe horizontin tonë duke na çliruar nga ngërçet e moshës e duke na e lehtësuar rrugëtimin e zhvillimit intelektual, s’kish si të mos tregoheshim të kujdesshëm edhe në raportet tona me të. 


Pasi ai ishte një vlerë që reflektonte urtësi dhe ne qemë shëmbëlltyra e kësaj vlere dhe urtësie 

Për t’iu kthyer realitetit të sotëm… 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi thumbon …

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi ironizon … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi fajëson… 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi katalizon … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi debaton …

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi ashpërsisht reagon … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi tejkalon … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi s’nguron … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi s’heziton … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi s’peshon … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi s’argumenton … 

Në emër të lirisë së fjalës nxënësi s’duron … 


Në realitetin e sotëm vëmë re një fenomen tejet keqardhës në fakt, sipas të cilit kanë ndryshuar rolet e ku e drejta për t’u shprehur ka nisur të mbizotërojë përmbi detyrimin për të kuptuar situatën dhe rrethanën e krijuar. 


Në tendencën e krijimit të një mirëkuptimi apo të një ure lidhëse në diapazonin edukator – nxënës, gjatë prirjes së mësimdhënësit për të krijuar një atmosferë sa më miqësore dhe dashamirëse me shpresën për të sjellur një efekt sa më pozitiv në ngritjen e një niveli edukativ dhe arsimor, shihet dukshëm një prirje e moshës së re për ta kapërcyer këtë raport magjik duke ndryshuar jo rrallëherë pozicionet dhe duke marrë përmasat e një “miqësie të padëshirueshme”.


A mund të jetë nxënësi një shok i mësuesit? 


Natyrisht që jo, përsa kohë që kjo lidhje apo ky afrimitet miqësor do kapërcente qëllimin final të këtij raporti edukator – nxënës, që më pas do sillte efekte tejet negative në rezultatin e fëmijës dhe për rrjedhojë edhe të punës edukative. Sinjalet e para të kësaj influence mund të vihen re që në pikënisje, në përdorimin e një fjalori joetik në komunikimin individual dhe jo vetëm. Që nga ky moment mësimdhënësi nuk pasqyron atë vlerë dhe peshë që ka patur më parë duke humbur në mjegullën e rënduar të një asfeksimi të pavend. Humbet kontrolli, individualiteti, serioziteti, kënaqësia … Bashkëbisedimi bie në një nivel të ulët duke humbur edhe temparamentin intelektual. 

Natyrisht që po, përsa kohë që të dyja palët ruajnë linjat përkatëse, reflektojnë urtësi, dlirësi, çiltërsi, sinqeritet, dashamirësi, bashkëkohësi, kompaktësi, logjikë, diferencë moshe… Me këtë rast nxënësi mëson shumë nga mësimdhënësi si për nga temperamenti, vizioni, largpamësia, kthjelltësia dhe urtësia intelektuale ashtu edhe për nga sjelljet dhe reagimet e tij.


S’duhet harruar se: 


Nxënësi ka për detyrë të respektojë identitetin dhe intelektualitetin e mësuesit, të mos shpërdorojë mirësjelljen dhe dashamirësinë e tij, të mos kapërcejë kufijtë e një komunikimi etik ashtu sikurse edhe mësimdhënësi ka për detyrë të vlerësojë aftësitë dhe kapacitetin e nxënësit, të identifikojë tiparet dhe veçoritë dalluese perceptuese dhe gjykuese të nxënësit për orientime sa më të drejta drejt një zhvillimi dhe integrimi sa më të qëndrueshëm në shoqëri. 


Nga mësuesi Evans Drishti 



Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,766 Lexime
3 vjet më parë