Reflektim

Evans Drishti: Hiqni duart prej xhepave kur të flisni me një mësimdhënës!

Në shkrimin e tij të radhës, bashkëpunëtori ynë, mësuesi Evans Drishti sjell një reflektim mbi respektimin e figurës së mësimdhënësit. Prej shumë vitesh shoqëria jonë ka harruar se personaliteti i tij / i saj është një vlerë jo vetëm për institucionin ku punon, por për mbarë shoqërinë. Çfarë duhet bërë?

Para 90’-ës 


S’po flasim për një kohë shumë të shkuar, por për vitet e fundit para viteve 90’, periudhë kur trokiti edhe demokracia në vendin tonë. 


Kujtojmë së bashku respektin që tregohej ndaj një mësimdhënësi... 


Kur hyje në shkollë…

Kur hyje në klasë duke trokitur dhe duke marrë leje nga mësimdhënësi/ja…

Kur qëndroje në bankë në mënyrë të rregullt duke patur parasysh edhe hijen e mësimdhënësit/ses… 

Kur përdorje me delikatesë dhe kujdes mjetet e punës dhe librat që të mos sillje asnjë shqetësim as për mësimdhënësin/sen as për shokët e klasës…

Kur përqendroje vëmendjen tek fjala e mësimdhënësit/ses, pasi çdo fjalë e tij / e saj peshonte së tepërmi dhe për ty mbarte një domethënie… 

Kur dilje në tabelë për t’u pyetur apo për të zhvilluar ndonjë ushtrim, duart nuk i vije në xhepa, pasi merrej si një veprim joetik, madje ofendues ndaj figurës së mësimdhënësit/ses… 

Kur kishe diçka për t’ia thënë veçmas mësimdhënësit/ses, turpëroheshe deri edhe në skuqje të faqeve, duart i mbaje përpara në shenjë respekti dhe vlerësimi ndaj figurës së tij/saj…

Kur ndodhte që mësimdhënësi/ja të tërhiqte vëmendjen, ndjeheshe në vështirësi dhe të vriste ndërgjegjja duke “u betuar” me veten se nuk do të ndodhte më një gjë e tillë…

Kur të kërkohej të shkoje në këshillin pedagogjik për të kryer një “angazhim” të shkurtër, nuk hyje në “dhomën” e këshillit pedagogjik me duar në xhepa, përkundrazi rregulloheshe, trokisje në derë, gjeje fjalët e duhura për të kërkuar “kryerjen” e atij angazhimi, në dalje pastaj i përshëndesje mësimdhënësit e tjerë, i falënderoje, i respektoje dhe dilje nga ajo “dhomë” me një përkujdesje të veçantë…

Kur të ndodhte të takoje ndonjë nga mësimdhënësit në korridorin apo në oborrin e shkollës i përshëndesje me shumë respekt dhe padyshim me një buzëqeshje të ngrohtë, por asnjëherë me duar në xhepa… 

Kur të ndodhte të mblidheshit me një grup nxënësish për realizimin e ndonjë projekti, tregoheshe i kujdesshëm së bashku me grupin e nxënësve që çdo veprim të ishte në nivelin e duhur, gjithmonë në respekt të figurës së mësimdhënësit/ses… 

Kur zhvilloheshin “punët laboratorike” tregoheshe i kujdesshëm si në përdorimin e mjeteve të laboratorit ashtu edhe në komunikim me mësimdhënësin/sen, gjithnjë në respekt të figurës së tij/saj dhe të përkushtimit që shfaqte në edukimin tënd…

Kur të nevojitej në ndonjë rast ta thërrisje mësimdhënësin, asnjëherë nuk e ngrije zërin për të mos shqetësuar të tjerët, por vrapoje me hapa të shpejtë duke i komunikuar “njerëzoren” përpara figurës së tij, por asnjëherë me duar në xhepa… 



Pas 90’-ës 


Me mbërritjen e “lirisë” dhe “demokracisë” natyrshëm ndryshoi edhe koncepti për “normat” e shoqërisë. 

Prirja për të qenë “i lirë” kërkonte “të pushtonte” çdo veprim njerëzor, duke “rënduar” në shumë raste edhe në “etikën e komunikimit”. 

Me duar në xhepa duke ecur rrugës për në shkollë… 

Me duar në xhepa duke hyrë në klasë… 

Me duar në xhepa duke përshëndetur mësimdhënësit apo edhe shokët / shoqet…

Me duar në xhepa duke bashkëbiseduar për një “çështje” të caktuar… 

Me duar në xhepa gjatë qëndrimit në një proces mësimor apo në një sallë laboratorike… 

Me duar në xhepa duke kërkuar të kryhet një shërbim i caktuar… 

Me duar në xhepa… 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së qëndrimit. 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së identifikimit. 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së reflektimit. 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së komunikimit. 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së rehatisë. 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së personifikimit. 

Me duar në xhepa në emër të “lirisë” së angazhimit. 


Ndodh shpeshtazi në kohët e sotme, t’i tërheqësh vëmendje një nxënësi që të rregullojë qëndrimin e tij në bankë, në klasë apo edhe në ambiente të ndryshme të shkollës…


Ndodh shpeshtazi në kohët e sotme të shohësh në një ambient shkollor një mësimdhënës dhe një nxënës apo një grup nxënësish, të cilët qëndrojnë me duar ne xhepa, teksa mësimdhënësi bashkëbisedon me të / ta për një çështje të caktuar… 


Qëndrimi me duar në xhepa në të shumtën e rasteve tregon: 

  • Një vetëdijëshmëri të një “rritjeje” dhe “pjekurie” të parakohshme. 
  • Një reflektim të një “qetësie” fizike dhe shpirtërore të shumëdëshiruar apo të imponuar. 
  • Një dëshmi të “përthyerjes” së një “hierarkie” që rëndon dukshëm në “personalitetin” e të riut. 
  • Një “vizion” dhe një “koherencë” të zhvillimit ideor të të riut. 
  • Një “ves” i përftuar nga rrethanat e kohës dhe të vendit….


Është për t’u theksuar se fenomeni në fjalë nuk vihet re vetëm në disa mosha të caktuara, por ka shfaqur një gjithë përfshirje krejtësisht “të padëshirueshme” duke u kthyer tashmë në një shqetësim për ambientin ku zhvillohet një proces i caktuar edukativ dhe arsimor. 


Pa harruar këtu se, në fakt, ka edhe raste kur këtë fenomen e shohim me keqardhje edhe tek vetë disa mësimdhënës që “përpiqen” me mish e me shpirt t’u përshtaten “reflekseve adoleshente” të kohës si një premisë për të krijuar një “bashkëkohësi” të pëlqyer nga të dyja palët. 


Gjëja më parësore që duhet kërkuar është respektimi i mësimdhënësit si një autoritet i padiskutueshëm në një proces edukativ dhe arsimor. Mos të harrojmë se mësimdhënësi “gëzon” një “imunitet” gjatë ushtrimit të profesionit të tij fisnik. Personaliteti i tij / i saj është një vlerë jo vetëm për institucionin ku punon, por për mbarë shoqërinë. 


Identifikimi i këtyre “sëmundjeve” dhe “kurimi” i tyre kërkojnë natyrshëm një kohë të caktuar, e cila mbetet gjithnjë në varësi të përmirësimit dhe zhvillimit pozitiv të “mentalitetit” dhe “vizionit” që mbartim dhe ushqejmë si shoqëri. 



Nga Evans Drishti 

 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,945 Lexime
2 vjet më parë