Evans Drishti: Mësuesi skenarist, regjisor, skenograf, aktor, muzikant, shkrimtar, stilist, përveçse mësimdhënës… por përse i varfër ekonomikisht?
Evans Drishti sjell portretin e mësuesit që kthehet në skenarist, regjisor, aktor, muzikant, shkrimtar e stilist për të realizuar aktivitetet shkollore. Me barrë të madhe pune e pa mbështetje financiare, ai pyet: si ka mundësi që ky rol i shumëfishtë mbetet i nënvlerësuar?
Nga Evans Drishti
Kur bie rasti i çdo lloj organizimi në institucionet arsimore parauniversitare, mësuesit i bie një ”barrë” aspak e lehtë për të përgatitur një organizim të caktuar, ku në qendër natyrshëm janë nxënësit.
Ai/ajo zhvishet nga këllëfi i të qenurit ”mësimdhënës” duke iu përveshur punës me ditë e javë të tëra në përgatitje të atij eventi.
Mësuesi duhet të jetë “Skenarist” që të përgatisë libretin e programit, të bëjë kërkime të shumta të materialeve të ndryshme, materialet të jenë në kontekstin e programit që do realizohet. t’i zgjedhë materialet në varësi të nxënësve pjesëmarrës në atë event etj.
Mësuesi duhet të jetë “Regjisor”, që të bëjë një lidhje kronologjike të pjesëve të libretit, ta ambientojë nxënësin interpretues me tekstin, t’i ofrojë hapësirën dhe orientimet e duhura në lidhje me mënyrën e interpretimit, t’i tregojë mënyrat e hyrje, daljeve dhe lëvizjeve në skenë, të japë orientimet e duhura të lidhjeve që duhet të kenë nxënësit me njëri -tjetrin etj.
Mësuesi duhet të jetë “Skenograf”,që të ideojë një imazh të qartë dhe të kuptueshëm të skenës në kontekstin e programit, të gjejë materialet e duhura të krijimit të imazhit, të bëjë lidhjet dhe kuraturën e duhur të skenës, të ideojë një titull të qartë, të kuptueshëm dhe tërheqës në lidhje me programin, të ndërthur modelin e shkrimit me strukturën e skenës. Të ofrojë ndriçimin e duhur dhe ngjyrat e përshtatshme për eventin e kërkuar etj.
Mësuesi duhet të jetë “Aktor”, që të ofrojë orientimet e duhura nxënësve interpretues si ta përcjellin materialin në formën më tërheqëse për spektatorin. të dijë si duhet të funksionojë gjuha e trupit e nxënësit interpretues për të patur një sukses në interpretim. të përfshihet në botën e ndodhisë që prezantohet duke luajtur rolin e çdo personazhi, të kuptojë qartë natyrën e çdo nxënësi interpretues duke ia bashkangjitur me rigorozitet personazhin e përshtatshëm etj.
Mësuesi duhet të jetë “Muzikant”, që të dijë dhe të hulumtojë pjesë të ndryshme muzikore për t’ia përshtatur me pjesën interpretuesve, të kuptojë se cila pjesë muzikore përshtatet me tekstin që do vihet në skenë, të njohë zhanret e ndryshme muzikore për të dalluar pjesët sipas eventeve që organizohen. të njohë natyrën e nxënësit interpretues me zhanrin muzikor përkatës etj.
Mësuesi duhet të jetë “Shkrimtar”, pasi në shumë raste përpiqet të sjellë tekste të shkruara nga ai/ajo vetë për të sjellë diçka ndryshe nga vitet e mëparshme.
Ashtu sikurse mësuesit i duhet të jetë edhe “Stilist” për të përcaktuar veshjen e duhur që duhet të ketë nxënësi interpretues në ditën e shfaqjes. Një veshje pa stil e pa ngjyra do sillte një kontrast të paimagjinueshëm mes pjesës dhe veshjes, gjë e cila do i shkaktonte një turbullesë dhe shokim edhe vetë nxënësit që interpreton.
Të theksojmë se, nuk janë të gjithë mësuesit që merren me organizime, por kryesisht ata të letërsisë, apo edhe të ndonjë fushe tjetër.
Konkretisht, sapo u përcoll atmosfera e festave të nëntorit dhe mësuesit organizues u impenjuan me tërë këto angazhime për të përjetësuar ato emocione mbresëlënëse të paharrueshme. E ndërkaq, me hyrjen në muajin dhjetor vijon puna për të tjera përgatitje, jo thjesht dhe vetëm për përmbylljen e vitit 2025, por edhe për pikënisjen dhe vijimësinë e një viti të ri të 2026-tës.
Të mos harrohet fakti se këta mësues kanë bërë paralelisht edhe të gjitha orët mësimore që kanë në dispozicion.
Dikush mund të mendojë: “Mësuesit e aktiviteteve kanë normë javore 3 (tri) orë në dispozicion për aktivitetet”, por është mëse e kuptueshme se kjo normë mbetet e papërfillshme krahasuar me tërë atë angazhim që u duhet të ndërmarrin.
Ndaj është i domosdoshëm “Honorati” për mësuesin e aktivitetit duke bërë natyrshëm edhe diferencim energjent mes asaj kategorie që thjesht dhe vetëm ngelen në mësimdhënie dhe atyre që angazhohen përtej, duke sjellë suksese të shumta për institucionin dhe brezin e ri.
Mësuesi PRODUCENT
Nëse flasim këtu me gjuhën e terminologjisë bashkëkohore, mësuesi është kthyer në njëPRODUCENT të eventeve në shkollë. Nëse në mediet e njohura kombëtare vihen ekipe të posaçme për të realizuar të gjitha këto etapa, natyrshëm duke u mirëpaguar për vizionin që sjellin, për angazhimin, për qasjet plot peshë dhe transformuese, për profesionalizmin dhe mjeshtërinë në bashkëpunime duke nxjerrë rezultate mahnitëse, në institucionet shkollore është pikërisht ky mësues i aktiviteteve që merr përsipër tërë këtë BARRË duke u kthyer në një producent me shumë peshë dhe vlerë për t’u dhënë kënaqësinë e shumë dëshirueshme nxënësve të brezit të ri.
Në fund të ditës, mësuesi ngelet pa mbështetje ekonomike, e për rrjedhojë në pamundësi për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e domosdoshme të një zhvillimi profesional dhe intelektual. Për të mos folur këtu, që mbetet i varfër ekonomikisht për të realizuar një integritet përtej institucionit ku punon e përtej vendit ku jeton.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Si mund të ndryshojmë rrënjësisht qasjen drejt gjithëpërfshirjes, mësimdhënies dhe mësimnxënies ideale?
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Në ndihmë të mësuesit kandidat ose praktikant