Jeta në shkollë

Evans Drishti: Mos hezitoni të pyesni!

Pse duhet të pyesim? Sa e rëndësishme është në shkolla që nxënësit t’i drejtojnë pyetje mësuesve? Po këta të fundit a duhet të pyesin e të ndajnë eksperienca me kolegët e tyre? Mësuesi Evans Drishti këtë herë shkruan për një tjetër tematikë reale që ndodh në shkolla.

Ishte përgatitur më së miri për të trajtuar në audiencë një temë mjaft interesante dhe tërheqëse, që njëkohësisht ishte edhe bashkëkohore për nga vetë problematika që merrej në shqyrtim. Kishte përgatitur materiale të shumta qofshin ato vizuale apo edhe dorëshkrime. Mbërriti me të shpejtë në auditor si për të fituar kohë dhe për të bërë një lloj parapërgatitje edhe për nxënësit. Kishte menduar gjithnjë se koha nuk mjaftonte për gjëra të bukura, megjithatë ruante bindjen se përsa kohë që e bukura të reflektojë ajo mbetet diçka sublime dhe inkurajuese. Me të nisur bisedën vështrimet i hodhi në auditor në përpjekje për të kuptuar se në ç’psikologji ndjeheshin të pranishmit, të cilët padyshim i shihte edhe si një motorinë e emancipimit shoqëror. Priste, ç’është e vërteta, të kishte edhe ndërhyrje nga salla nëpërmjet pyetjeve të ndryshme që mund të rridhnin natyrshëm nga biseda dhe trajtesa e tematikës, por akoma heshtje… U përpoq të depërtonte në mendjen e secilit duke i nxitur nëpërmjet një bashkëbisedimi duke u përqendruar dhe fokusuar tek “fjalët kyçe” si një orientim më i qartë për në arritje të kuptimësisë së duhur. Minutat kaluan si pa u ndjerë e ndërkohë energjia e tij shfaqej e pashtershme për të shpalosur në tërësinë e plotë gjitha dimensionet. U përpoq të krijonte “empatinë” e duhur duke ofruar argumentime dhe shpjegime të qarta, një pjesë e të cilave shfaqeshin në pamje vizive e një pjesë nëpërmjet dorëshkrimeve të mbajtura aq kujdesshëm. 


Priste me padurim që të kishte pyetje nga të pranishmit, si një energji reciproke që duhej të merrte pas tërë atij shpjegimi rigoroz. Mendoi t’ua drejtonte vetë pyetjet si një mundësi reflektuese dhe një lehtësim për të arritur qëllimin e shumëkërkuar, por përgjigjet vinin tejet të shkurtra dhe pa ndonjë peshë specifike. Pyeti veten dhe të pranishmit për të satën herë nëse kishte arritur të ishte sado pakëz i qartë në komentet e veta, e ndërkohë përgjigja vinte përherë shkurtazi: “PO!” dhe asgjë më shumë se kaq… 


Trishtuese ishte për të, pasi s’mund të ishte kjo, natyrshëm sipas mendimit të tij, por edhe në aspektin logjik e parë në tërësinë e çështjes, ajo që do të plotësonte pritshmëritë përkatëse. Tentonte hera-herës të merrte një shkëndijë sado të vogël si një tejçim i gjithë atij stërmundimi për të reflektuar në “thelbin” e tematikës. “Kishte qenë i qartë apo i turbullt në ato që kishte thënë? Në ç’nivel përkonte vallë e tërë trajtesa? Sa komod ndjeheshin të pranishmit për të kuptuar “baziken”? Përse nuk pyesnin vallë këta “intelektualë”? Ose kishte qenë vërtetë aq i qartë sa të mos ndjehej nevoja e ndonjë pyetjeje, e pavarësisht kësaj kush dëshironte gjente mundësinë të shtronte pyetje të ndryshme, ose rrethanat ishin të atilla që të pranishmit thjesht mbeteshin në pozicionin e “dëgjuesit” pa bërë asnjë përpjekje për të kapërcyer “kufijtë e paprekshëm”. Ndjente një lloj brengosje në vetvete, ngaqë ishte i mirëvetëdijshëm se qëllimi i një trajtese të atillë s’ishte thjesht “të kryhej” shpjegimi, por edhe të nxirreshin konkluzione që padyshim do të ishin me vlerë edhe për të. E megjithatë vijonte të priste në pritshmërinë e ndonjë pyetjeje… 


Prezenca e një mësimdhënësi në auditor ka një simbolikë të veçantë pasi: 


Së pari: mësimdhënësi në atë moment dhe për tërë minutat në vijimësi që i përkasin asaj ore është “menaxhuesi” që ofron orientimet e duhura për krijimin e një atmosfere sa më efikase. 


Së dyti: “menaxhuesi” është shëmbëlltyra më reale dhe konkrete në plotësimin e “pritshmërive” të nxënësve, nisur edhe nga fakti se çdo nxënës vjen në institucionin edukativ me një qëllim të caktuar, ngritjen e nivelit dhe formimin intelektual. 


Së treti: Çdo “e thënë” nga ana e “menaxhuesit” përbën bazën qendrore të një formimi të shëndetshëm, e ndërkohë bashkëbisedimet reflektojnë pjekurinë dhe maturinë e audiencës si dhe kuptimësinë e tematikës. 


Ndodh shpesh në realitetet tona që pasi mësimdhënësi ka shpjeguar temën e ditës u drejtohet nxënësve me këtë pyetje: “A ka diçka të paqartë? A e keni kuptuar temën? A ka dikush të shtrojë ndonjë pyetje rreth kësaj teme?” Në të tilla raste përgjigja vjen e menjëhershme nga pjesa dërrmuese e nxënësve: “Jo!” Por ja që ndodh edhe ana tjetër e medaljes, sipas së cilës kur vjen ora tjetër mësimore dalin nxënës të ndryshëm që shprehin paqartësi për temën e kaluar. Kjo ndodh për disa rrethana: 

  • Në rastet kur nxënësi ka hasur paqartësi gjatë mësimnxënies dhe ka pikëpyetje për koncepte apo çështje që lidhen ose me temën ose të ngjashme me të. Kjo mënyrë përbën thelbin e kuptimësisë dhe të qartësisë, pasi del qartazi se nxënësi është impenjuar seriozisht për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes. 
  • Në rastet kur nxënësi nuk e ka lexuar temën përkatëse, por i kërkon mësimdhënësit një “rishpjegim” me qëllimin e kalimit të minutave, në mënyrë që ai apo edhe disa të tjerë të mos pyeten në atë orë mësimore për atë temë. Kjo përbën një nga metodat më të përhapura për t’iu shmangur edukimit të shëndetshëm dhe shkon deri në abuzim të situatës. 
  • Në rastet kur dalin pyetje të atilla që e nxjerrin “paaftësinë e nxënësit” në plan të pare, ndërkohë që temat janë të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën dhe nxënësi nuk ka shprehur interes në përvetësimin e tyre. 
  • Në situata dhe rrethana të caktuara mësimdhënësi në rolin e “menaxhuesit” e ndjen veten thjesht dhe vetëm një “artikulues” i fjalëve dhe shprehive që përbëjnë boshtin e një teme të dhënë. Ata mbeten përçues dhe tejçues vetëm të atyre frazave që kalojnë në libër, dhe kjo në mënyrë mekanike, duke mos përçuar te nxënësi aspektin “logjik” të diskutimit të bërë. Për rrjedhojë nxënësi orientohet vetëm me ato që janë dhënë në materialin mësimor duke hasur më vonë vështirësi të shumta në perceptimin dhe konceptimin e çështjeve të ndryshme. 

Prandaj mbetet domosdoshmëri që menaxhimi i situatës të përkojë jo vetëm bazuar në materialin mësimor, por edhe përtej tij. Mësimdhënësi në rolin e menaxhuesit di të përdorë mjaft mirë edhe teknikën e komunikimit me të pranishmit duke krijuar një gjithpërfshirje në botën e secilit dhe duke “ngacmuar” aftësitë perceptive që ka çdonjëri prej tyre. Kjo e bën nxënësin të jetë më aktiv në procesin e nxënies dhe rrjedhimisht të shfaqë kuriozitet për atë që flitet. 


Një tjetër fenomen që vihet re në realitetin e procesit mësimor është edhe aktivizimi vetëm i dy apo tre nxënësve të ashtëquajtur “të mirë”, që natyrshëm dallojnë për interesimin e vijueshëm që shfaqin në proces, ndërkohë që pjesa tjetër e të pranishmëve fatkeqësisht nuk interesohen dhe mbeten “të distancuar” nga tematika dhe shpjegimi që bëhet. Në rrethana të tilla del si domosdoshmëri që impenjimi i “menaxhuesit” duhet të jetë më efikas duke tejçuar të paktën njohuritë më bazike tek ajo kategori “e distancuar” e nxënësve duke krijuar një “kolektivitet” dominues në ambientin laboratorik. Në këtë mënyrë secili prej nxënësve “bindet” në vetvete për të shtruar “një pyetje” që natyrshëm për masën e gjerë mund të mos ketë ndonjë peshë të madhe, por për formimin e atij karakteri mbart një rëndësi edhe të çastit edhe për të kuptuar përfshirjen e tij në atë proces. 


Pyetjet që mund të drejtohen mund të jenë të natyrave të ndryshme si: 

Pyetje për përzgjedhjen e më të saktës; 

Pyetje plotësuese; 

Pyetje rikujtuese; 

Pyetje për të strukturuar esencën; 

Pyetje analizuese; 

Pyetje sintetizuese.

 

Parë në këtë aspekt, është me vend të krijohet hapësira e duhur e një bashkëbisedimi, ku nëpërmjet tabelës dhe metodës “pyetje – përgjigje” nxënësit reflektojnë në përzgjedhjen e frazave kyçe të tematikave, në ofrimin e informacioneve shtesë për temën në fjalë, në krijimin e “rimarrjes” duke krijuar lidhje të ngushta tematikore me temat e mëparshme, në krijimin e alternativave për një analogji të tematikës me qëllim dhënien e thelbit, duke vijuar më tej me shtjellimet e detajuara dhe sintetizuese. Të gjitha këto çelin hapësira të bollshme në formimin e pyetjeve të larmishme që të çojnë drejt të kuptuarit të plotë dhe thelbësor të temës në fjalë. 


S’mjafton vetëm atmosfera brenda laboratorit edukativ për të krijuar efikasitetin e shtjellimit të çështjeve dhe krijimin e alternativave pyetësore, përkundrazi bashkëbisedimi mes kolegëve të fushës apo edhe të fushave të ndryshme përbën një çelës në “menaxhimin” e një atmosfere produktive. 


Sa komunikojmë me kolegët e punës, qofshin ata të së njëjtës sferë apo edhe të sferave të ndryshme në lidhje me tematika të ndryshme të procesit edukativ? Sa bashkëveprues dhe bashkëpunues jemi në të tilla raste dhe rrethana? 


  • Organizimi i projekteve të ndryshme kurrikulare në bashkëpunim me kolegë të sferave të ndryshme përbën një efikasitet mjaft kyç në reflektimin dhe përçimin e njohurive të ndryshme tek nxënësit. 
  • Shpalosni pikat e përbashkëta të sferave të ndryshme. Kështu nëse dëshironi të merrni në shqyrtim autorë të ndryshëm nga klasikët vendas dhe të huaj është mjaft efikase që të përcillen edhe lidhjet e tyre me vendet ku kanë jetuar dhe ndikimet që kanë pasur në realitetet e tyre. 
  • Merrni fraza të ndryshme të autorëve të ndryshëm duke i pasqyruar ose në mënyrë vizuale apo edhe të prezantuara në teza të larmishme që u ofrohen nxënësve për analizim. 
  • U shtrohen nxënësve nëpër teza variante pyetjesh të ndryshme që kanë të bëjnë me inlektualitetin, vizionin dhe risitë që përcjellin figura të ndryshme që merrni në trajtesë. 
  • Kërkoni prej nxënësve që të gjejnë në tekstet e ofruara terminologji të caktuar të fushës që studiohet ku vetë nxënësit shtrojnë pyetjet përkatëse për atë terminologji. 
  • Nxënësit reflektojnë pikëpamjet e tyre rreth shprehive që kanë gjetur në tekste duke nxjerrë në pah alternativa të njohurive të ndryshme të fushave të ndryshme të jetës 


Përse duhet të pyesim? 


Të drejtosh një pyetje të bukur e bën njeriun të mendojë. Vetëm njerëzit që mendojnë mund të pyesin diçka. 


  • Pyetjet ndihmojnë për qartësimin e çështjeve që trajtohen. 
  • Çdo pyetje që shtrojmë na bën t’i rikthehemi të shkuarës së afërt apo të largët. Pa të shkuarën tonë s’mund të kuptojmë të tanishmes dhe aq më tepër të ndërtojmë të ardhmen. 
  • Pyetjet e bëjnë më tërheqës dhe interesant komunikimin duke mundësuar edhe një vijimësi të një komunikimi produktiv. 
  • Pyetjet na mundësojnë të fokusohemi që të kuptojmë bisedat dhe fjalimet e njerëzve “lider” duke arritur një pozicionim të caktuar në shoqëri. 
  • Pyetjet na mundësojnë të zhvillojmë raportet brenda një ekipi. 


Sa për kujtesë: 

Vetëm nëpërmjet leximit arrijmë të zgjerojmë horizontin tonë duke u përballur me koncepte dhe çështje interesante dhe intriguese, të cilat natyrshëm na “detyrojnë” të shtrojmë edhe pyetje “interesante” dhe “spikatëse”. 


Të shtrosh një pyetje është inteligjencë 

Të heshtësh është inferioritet 

Mos hezitoni ta pyesni veten “Kush jam?” që të kuptoni se çfarë ju nevojitet!... 

 

Nga Evans Drishti 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

1,863 Lexime
2 vjet më parë