Reflektim

Evans Drishti: Të falënderoj nxënës i elitës për rezultatin e shkëlqyer!...

Ky shkrim vjen në shenjë mirënjohje dhe falenderimi për të gjithë nxënësit elitarë, të cilët me vullnetin dhe dëshirën e tyre janë shëmbëlltyrë e përkryer e përkushtimit dhe e djersës së mësimdhënësve në procesin e artë të arsimimit.

U përmbyll me sukses periudha e dytë e këtij viti shkollor. Nisi tashmë edhe periudha e tretë. 

Shumë tema u trajtuan, u diskutuan, u qartësuan, u analizuan, u shpjeguan… 

Shumë pyetje u shtruan për diskutime. Shumë përgjigje u dhanë e të tjera përgjigje pyetjesh mbeten në pritje. 

Erdhi koha e testit përfundimtar!...

Dikush kish lexuar diçka e dikush asgjë, dikush kish kuptuar diçka e dikush kish rënë në heshtje… 

E këndshmja, e bukura dhe më kuptimplota është se ka disa (sado të pakët në numër) që nuk reshtën së mësuari, së lexuari, së kuptuari, së nënvizuari gjatë tërë periudhës. S’është se e bënë vetëm për një “notë dhjetë” apo thjesht për të demonstruar se janë “inteligjentë”. 

Jo!... 

Lexuan sepse e duan leximin, e duan fjalën dhe fjalinë, e duan frazën dhe shprehinë, e duan lëndën dhe tematikën, e duan shpjegimin dhe komentimin, por mbi të gjitha duan arsyetimin për temën që mësojnë. 

Arsyetuan me kujdes çdo tematikë dhe fenomen të shfaqur në diskutime të ndryshme. 

Shënjuan çdo fjalë apo frazë që tingëllonte dhe reflektonte domethënie për atë që mësuan. 

Ndoqën çdo shpjegim dhe koment të mësuesit gjatë tërë procesit edukativ. 

E ushtruan veten në shumë praktika të rëndësishme të lëndëve të ndryshme. 

S’u mjaftuan me të “lehtën” sa për të kaluar radhën, përkundrazi këmbëngulën tek “më e vështira”. 

I besuan forcës dhe intelektualitetit të mësuesit të tyre duke pritur me ngulm çdo të re që reflektoi nga mendja e ndritur e mësimdhënësit. 

U treguan bashkëpunues në çdo rrethanë të procesit mësimor dhe edukativ. 

E natyrshëm, çdo përgjigje e tyre shkëmbehet me një notë maksimale, plotësisht të meritueshme. 

Me të afruar koha e testit përfundimtar, ata e ndjejnë veten mëse të sigurtë dhe të përgatitur. 

S’kanë asnjë ndrojë, asnjë stres, asnjë pakënaqësi, asnjë mëdyshje … Janë të gatshëm, pasi e njohin lëndën më së miri, njohin tematikat e trajtuara, njohin ushtrimet e zhvilluara… 

Ata e ndjejnë veten të gatshëm, pasi kanë fituar qasje të larmishme për çështje të fushave shkencore e natyrore. 

Ata janë natyra të atilla, që nuk ngelin të kufizuar vetëm tek teksti i dhënë në libër, përkundrazi kërkojnë dhe hulumtojnë diçka më shumë. 

Kjo vetëm me një synim, “Të zgjerojnë vizionet e tyre”. 

E imagjinoni se ç’ndodh më tej? 

Hidhen menjëherë në praktikë. 

Socializohen dita – ditës, javë për javë, muaj për muaj e vit pas viti. 

Angazhohen në shumë evente sociale e kulturore. 

Guxojnë të bëjnë diçka përtej shkollës, pasi janë të bindur në aftësitë që zotërojnë. 

Patjetër që “ia dalin” sepse ata nuk janë thjesht “të dhjetës”, por të dijes dhe angazhimit. Kjo u sjell vullnet, dëshirë e ambicie për të realizuar ëndrrat e tyre. 

*** 


Erdhi koha e testit… Fleta i vihet përpara. Në fakt janë disa fletë. Në faqen e parë një tekst me një strukturë disa paragrafe dhe disa pyetje që prisnin përgjigje në faqet e mëpasme. 

Ishte mëse i kthjellët në kokën e tij. Mbante si pararojë fjalën që i kish thënë mësuesi: “Në fillim lexo dhe kupto tekstin e dhënë, e pasi të gjykosh qartë e drejtë vijon në përgjigjet e pyetjeve” 

Kështu veproi… Pasi e lexoi tekstin e dhënë me shumë kujdes, e kuptoi. Shënoi fjalët dhe frazat kyçe që përbënin edhe thelbin e kontekstit dhe nisi t’u përgjigjej pyetjeve. 

Çdo kërkesë i vinte e kuptueshme, e për rrjedhojë s’vononte përgjigja e saktë. 

Shkruajti qartë dhe bukur. Gjithçka thelbësore. Pa hallakatje. Pa degëzime në përgjigje. Shkurt, qartë dhe në kontekstin e kërkuar. 

S’i kuptoi fare minutat që kishin kaluar dhe dorëzoi fletën e testit në kohën e duhur. 

Ndjehej i çlodhur dhe pse jo “krenar me veten”. I sigurtë edhe për një rezultat “të shkëlqyer” 

Ashtu ndodhi!... 


Me mbërritjen e përgjigjeve përjetoi dy kënaqësi: e para se kishte marrë notën “10” dhe e dyta se ishte “i vetmi” që kishte këtë vlerësim maksimal. 

U ndje i lehtësuar shpirtërisht, pasi i tërë angazhimi ish shpërblyer… Jo vetëm kaq!... Për pak çaste ngeli disi në befasi. S’e priste reagimin aq dinjitoz e domethënës edhe të mësimdhënësit të tij, i cili e falënderoi përzemërsisht për rezultatin që kishte arritur, por mbi të gjitha për modelin e mrekullueshëm të tij si një nxënës me personalitet të veçantë. 


***


Sa nxënës të shkëlqyer kemi në shkollat tona? 

Kur të mendojmë se çdo nxënës posedon aftësi të ndryshme edhe numri i këtyre elitave vjen gjithnjë në rritje. 

Sa shumë rëndësi ka për një mësimdhënës, për një staf pedagogjik, për një drejtori të tregohen falënderues ndaj këtyre elitave që mbeten përherë shëmbëlltyrë e atij përkushtimi të arsimtarëve në përçimin e vlerave arsimore, sociale e kulturore tek brezat! … 


Ritheksojmë domosdoshmërinë energjente të mbështetjes së këtyre elitave, pasi çdo kontribut dhe shërbim i tyre në shoqëri është një vlerë e zhvillimit intelektual, social e kulturor për një komb të tërë. 

 



Nga Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

860 Lexime
11 muaj më parë