Dedikim

Faleminderit iluministi ynë i fashitjes së paditurisë!

Ky ndoshta është dedikimi më kuptimplotë që meriton çdo mësues si misionar i dijes. Por kjo letër i është kushtuar mësueses Anila Bazellari. Nxënësi nga Pogradeci Jurgen Skënderasi ka ditur shumë mirë se si të emocionojë dhe të falënderojë vërtetë mësuesen e tij!

Mësues… A do të mundje t’i vendosje një emër tjetër, përveçse “Prind i dytë”? Absolutisht që jo. 


Mësuesi është drita që na ndriçon mendjen. Një person me dashuri të pakufizuar dhe me një zemër shumë të madhe për trupin që posedon. Përcjellës i ngrohtësisë në çdo moment të ditës. Burimi i dijes dhe i arsyes, kur te secili prej nesh mbretëron perdja e zymtë e paditurisë. 


Një qenie hyjnore, para të cilit edhe fjalët më të bukura e humbasin vlerën, varfërohen dhe vetëm për faktin se ato plotësojnë vetëm një pjesë të vogël të karakterit të tij. 


Mësuesi është si një qiri, që digjet e tretet dalëngadalë, për t’u falur individëve që e rrethojnë dritën e nevojshme për të ecur përpara. 


Ligjëruesi me fjalë të panumërta që përpiqet të ndryshojë qoftë edhe vetëm një pikëpamje tonën. 


I veshur gjithmonë me një buzëqeshje të ravijëzuar në fytyrë, e duke u munduar ta fshehë lodhjen fizike, psikologjike apo shpirtërore. 


Çelësi i vetëm që hap me mijëra dyer njëkohësisht. Dhënësi i dhuratës më të vyer që rrallëherë merr falënderime. 


Libri i mbushur plot me dije që qëndron i çelur për çdo libërdashës. Shtegu që të çon gjithnjë drejt të vërtetës. 


Ura shumëvjeçare që lidh botën fëmijnore me realitetin madhor. 


Skulptori profesionist që skalit te ne anën tonë më të fortë. 


I pakursyeri në falje, që i fshin nga kujtesa gabimet tona ashtu si vala e detit fshin gjurmët e sapokrijuara në rërën e lagur. 


Udhërrëfyes përjetësie e propagandues i përhershëm i ekzistencës së një lidhje të pathyeshme me bazë besimin dhe respektin reciprok, kujtimi i të cilit do të jetë i vulosur përjetësisht në zemrat tona, i pamposhtur nga uragani i kalimit të viteve. 


O mësues, o fanar i së vërtetës! 


Fjalët janë të pakta për të shprehur mirënjohjen tonë kundrejt gjithçkaje që Ju keni bërë për ne, kundrejt zërit dhe dorës mikluese, kundrejt këshillave, orientimeve apo edhe kritikave. 


Faleminderit iluministi ynë i fashitjes së paditurisë!




Nga Jurgen Skënderasi 

(Dedikuar të gjithë mësuesve por veçanërisht mësueses së tij Anila Bazellari, shkolla “Nehemia”, Pogradec). 



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,870 Lexime
3 vjet më parë