
Fatbardha Amzaj: Roli i prindërve dhe mësuesve në formimin e fëmijës
Fatbardha Amzaj, mësuese në shkollën “4 Heronjtë” Vlorë, thekson rëndësinë e bashkëpunimit prind–mësues. Vetëm përmes përfshirjes aktive të prindërve dhe përkushtimit të mësuesve mund të sigurohet zhvillimi i plotë i fëmijës.
Nga Fatbardha Amzaj, mësuese, shkolla "4 Heronjtë" Vlorë
Në orët mësimore të Qytetarisë apo Gjuhës shqipe temat mbi familjen dhe mënyrat se si fëmijët e kalojnë kohën e lirë janë shpesh pikënisje për diskutime domethënëse. Pyesim nxënësit: “Si e kaloni kohën pas mësimit apo gjatë fundjavës?”, dhe përgjigjet janë të larmishme...
Një nxënës tregon se është aktiv në qendrën kulturore të qytetit, këndon në kor, shkon në kurse vallëzimi, luan piano dhe merret me sport. Një tjetër thotë se shkon pesë herë në javë në futboll. Dikush ndjek kursin e anglishtes, basketboll, volejboll apo ndjek kursin e pikturës. Ndërkohë, ka edhe fëmijë që tregojnë se kalojnë shumë kohë në platforma si TikTok, duke parë histori apo video virale. Disa thonë me krenari se u janë dhuruar telefona, PlayStation apo pajisje të tjera, të cilat shpesh bëhen prioritet përpara mësimeve dhe detyrave të shtëpisë.
Është e dukshme se sjellja e fëmijëve sot ka ndryshuar. Janë më të hapur emocionalisht, flasin lirshëm, janë më të informuar ndonjëherë edhe më shumë nga sa do të ishte e përshtatshme për moshën e tyre. Ky ndikim mediatik, i kombinuar me ndryshime në stilin e prindërimit, ndikon drejtpërdrejt në vëmendjen dhe angazhimin gjatë procesit mësimor.
Në shumë raste, prindërit për arsye të ndryshme objektive apo subjektive kanë kaluar përgjegjësinë e të mësuarit, detyrave dhe projekteve tek mësuesit dhe vetë fëmijët. Por lind pyetja: a mund ta kontrollojë më mirë fëmijën dikush tjetër? A mjafton vetëm besimi se fëmija do të ecë përpara vetë?
Nga përvoja ime si prind, them jo. Prindi duhet të jetë i përfshirë. Duke ndjekur, ndihmuar dhe orientuar fëmijën çdo ditë, ai kupton më mirë cilat janë pikat e forta ashtu edhe ato të dobëta të fëmijës së tij njësoj si mësuesi në klasë. Vetëm kështu mund të krijohet një binom i fortë prind–mësues, ku qëllimi është i përbashkët: suksesi dhe zhvillimi i fëmijës.
Prindërit duhet të jenë më të pranishëm, të ofrojnë kohë, dashuri dhe kontroll të shëndetshëm. Duhet të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me mësuesit. Nga ana tjetër e them me bindje, mësuesit punojnë me përkushtim jo vetëm për të krijuar një klasë model, por për të përmbushur me sukses kurrikulën, për të rritur nivelin e mësimnxënies, për të përmirësuar sjelljet dhe për të realizuar misionin edukativ që shkon përtej librave.
Në përfundim, një thirrje për të gjithë prindërit:
Mbështesni mësuesit e fëmijëve tuaj! Bashkëpunoni pozitivisht me ta! Krijoni një urë të fortë komunikimi që do të shërbejë si themel për mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe për zhvillimin e gjithanshëm të fëmijës suaj!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Mësuesit që motivojnë, formojnë” – Një studim i vlefshëm nga pedagogia shqiptare Dr.Rozeta Biçaku Çekrezi
Kualifikimi i mësuesve 2025, procedurat dhe kriteret e vlerësimit
Manushaqe Hoxha Laçi: Koha të ringrejmë në lartësinë e duhur dhe të mbajmë të pastër figurën e mësuesit