MATURA SHTETËRORE - LETËRSI

"Fausti" Gëte - lexim i komentuar nga Rita Petro (Pjesa II)

Në vazhdim të projektit tonë me video për veprat e përfshira në programin e Maturës Shtetërore, po ju paraqesim “Leximin e komentuar” për veprën “Fausti” të shkrimtarit Johan Volfgang Gëte (me përkthim të Skënder Luarasit). Më poshtë po japim pikat kryesore, ku ndalemi në “Pjesën e dytë".

Në vazhdim të projektit tonë me video për veprat e përfshira në programin e Maturës Shtetërore, po ju paraqesim “Leximin e komentuar” për veprën “Fausti” të shkrimtarit Johan Volfgang Gëte (me përkthim të Skënder Luarasit). Për shkak të vështirësisë së veprës dhe për një panoramë të gjerësishme të saj, janë përgatitur dy video: “Pjesa e parë” dhe “Pjesa e dytë”. Më poshtë po japim pikat kryesore, ku ndalemi në “Pjesën e  dytë”. 


NATA E VALPURGËS

Sipas besimit popullor gjerman, në natën e 1 majit shtrigat organizonin një orgji satanike në Broken, në një nga malet e larta të Harcit. Ato fluturonin sipër një fshese apo ndonjë kafshe. Kjo quhet nata e luftës së djallit kundër së mirës.

Detajet e skenës - Errësira e natës, lajmërimi i ardhjes së pranverës, kur ringjallja ndodh jo vetëm në natyrë, por dhe brenda trupave njerëzorë, hijet, shtrigat, lugetërit, flakëjeshilja që udhëheq Mefistofelin dhe Faustin, hija e Gretës që ka kryer vrasje, personazhe mistike, por edhe reale të kohës së Gëtes përzihen me njëra-tjetrën në këtë dramë mister.


DITË E ZYMTË, FUSHË

Është e vetmja skenë e “Faustit” e shkruar në prozë.

Faustin e vret ideja se, - faji i Margaritës ishte një ëndërr e bukur, - po as Fausti nuk është fajtor, dhe as Mefistofeli nuk pranon se ishte ai fajtor…por kjo gjë do të ndodhte, se ishte e shkruar nga fati. 

Margarita zgjedh mes lirisë dhe dashurisë për Faustin, ekzekutimin; shpirti i saj do të shpëtohej, se ajo e mori dënimin në jetën tokësore, dhe shkon e pastër në gjirin e perëndisë.

 

PJESA E DYTË  


Vise të bukura

Gëtja nuk flet për dëshpërimin e Faustit; atë e kuptojmë kur ai ndodhet në prehje të natyrës, i rrethuar nga engjëjt, teksa gjen ngushëllim dhe i ripërtërihen fuqitë për të vazhduar “për një jetë prore më të ndritur”.



PALLATI I PERANDORIT

Perandori – më tepër se një figurë historike, Gëtja ka dashur të japë fundin e një perandorie në rënie, pasi ajo mendon vetëm për luksin e saj dhe aspak për popullin. 

Mesazhi aktual – kritika e hapur ndaj korrupsionit, që ka kapur të gjitha institucionet e perandorisë.

Mefistofeli e kupton se është mungesa e parasë arsyeja që perandoria nuk mund të mbahet në këmbë. Ndaj zgjidhjen e vendos ai. Fausti bëhet këshilltar i perandorit dhe e shpëton shtetin nga një krizë financiare me anë të futjes në përdorim të kartëmonedhave të shpikura nga Mefistofeli.



KARNAVALI

Kjo skenë është ndërtuar me motive mitologjike, ku marrin pjesë figura me kostume alegorike. Zjarri që shpërtheu është lajmëtar i revolucionit për rrëzimin e monarkëve, ndonëse Gëtja përdor simbolin për ta shprehur këtë.  



GALERI E ERRËT

Mefistofeli dhe Fausti janë nëpër galerinë e errët të nëndheshme, se duhet të përmbushin dëshirën e perandorit për të parë Paridin me Helenen.

Një pikë e fortë kthese në ndjeshmërinë e Faustit përbën përballja me Helenën.

Kjo bukuri nuk është aq konkrete sesa estetike, dhe prandaj është e barasvlershme me përsosmërinë.

Kur zgjat duart ta prekë, turbullon botën e të vdekurve dhe alivanoset.

 


KTHIM NË DHOMËN GOTIKE TË FAUSTIT

Mefistofeli e kthen prapa Faustin, duke ia ndërprerë udhëtimin. Ai ka të drejtë, kur i drejtohet Faustit, se vetë u prangose në prangat e dashurisë.

Mefistofeli shkon të shohë laboratorin e Vagnerit, i cili po bën shpikjen e madhe, nga epruveta do të krijohet një qenie organike.

Kjo qenie që quhet Homunukli, është e vetëdijshme për epërsinë e qenies natyrale  – “ç’është natyrale lakmon gjithësinë/artificiales i mjafton një kupë”. Homunkuli do të kthehet në një meteor që udhëheq Faustin, i cili mbahet në ajër te manteli magjik i Mefistofelit për në botën antike greke.

Në krijimin e kësaj figure, Gëtja është frymëzuar nga studimet e prof. Vagnerit, që thoshte se mund të krijoheshin qenie organike në mënyrë artificiale, si dhe nga filozofia idealiste e Kantit, Shelingut etj.

 


NATA KLASIKE E VALPURGËS

Kjo skenë, ndonëse do të na çojë te shpirtrat e mitologjisë greke, është punuar sipas variantit gjerman të natës së Valpurgës. Këta shpirtra simbolizojnë forcat e errëta të natyrës, që krijojnë atë botë harmonike, në qendër të së cilës është Helena.

Rruga për te Helena, pra për te përsosmëria, do ta detyrojë Faustin të kalojë nëpër 3 faza:

Faza e ulët – krijesat e përbindshme të natyrës, që e bëjnë edhe Mefistofelin të ndihet i huaj mes tyre.

Faza e mesme – gjysmëperënditë. Gjatë rrugës ata do të ndiejnë tërmete të fuqishme në tokë dhe në det, ku ngrihen “valë shkumbëmëdha”, të cilat do të përcaktojnë dhe relievin e tokës.

Faza e lartë – bukuria e përsosur.  Dashuria dhe adhurimi për Helenën do ta mbajnë aty Faustin dhe ata do të kenë së bashku dhe një fëmijë, Euforionin, simbol i Poezisë. Por vdekja e tij nga dëshira e fluturimit tregon simbolikisht dhe vdekjen e Bajronit, poetit të adhuruar nga Gëtja, që vdiq në Misolongji të Greqisë.

Simbolike është dhe zhdukja e Helenës me birin e saj të vdekur, duke i lënë Faustit rrobat e saj që shndërrohen në re dhe ai me to vazhdon udhëtimin e tij.

 

 

MALE TË LARTA

E kuptojmë menjëherë se jemi në Gjermani, pasi dhe vargu dhe rima ndryshojnë nga ai i poemave antike në vargun popullor gjerman me rimë.

Fausti i përgjigjet ironive të Mefistofelit me një argument të fuqishëm që tregon se ai e ka kuptuar qëllimin e jetës së tij”:

“Kërkoj pushtet mbi zotërim/vepra ka vlerë, jo lavdia.”

Fausti do të kryejë vepra në të mirë të njerëzimit, duke i kthyer elementet e natyrës në shërbim të tij.

 


FUNDI TRAGJIK DHE BASTI I FITUAR

Në fund të jetës, Fausti, nga kthetrat e djallit, do të bjerë në kthetrat e brengës.  Pavarësisht kësaj, nuk do të vdesë në shtrat, por duke bërë thirrje për veprim.

Bastin e fiton Zoti, engjëjt e të cilit e çojnë pjesën e pavdekshme të Faustit në parajsë për t’u bashkuar me Margaritën.

Gëtja e mbyll poemën jo me predikim fetar, por me një mesazh filozofik, kur thotë:

“E amëshueshmja qiellore na tërheq gjithnjë lart e më lart

ku qëllimi i pafundëm këtu gjen plotesë”. 



DILEMA E KUPTIMIT TË JETËS

Janë dy skaje të kundërta mendimesh që ngrenë krye te çdo qenie njerëzore:

Ç’kuptim ka që erdha në botë, dhe po shkoj sikur skam ekzistuar kurrë = nga hiçi në hiç.

Unë do të luftoj deri në minutën e fundit të jetës, me qëllim për të lënë gjurmët e mia, veprën time që do t’u shërbejë atyre që vijnë pas. Vdekja merr kuptim – nga hiçi në përjetësi.


..............................................................

Ky lexim ka për synim t’ju vijë në ndihmë maturantëve për një rishikim të përmbledhur të veprës letrare, i cili merr parasysh renditjen e ngjarjeve, siç është në vepër. Leximi i komentuar nuk është as analizë letrare dhe as koment, të cilat janë të përfshira në botime të tjera. Shpresojmë, që nëpërmjet kësaj mënyre, të nxitim dëshirën e nxënësit për ta lexuar në mënyrë të drejtuar veprën, duke zbuluar tekstin dhe nëntekstin e saj.      

Rita Petro është specialiste didakte e lëndës së gjuhës e letërsisë në arsimin parauniverisitar (që prej vitit 1985) dhe bashkautore në 40 tekste shkollore, që përdoren nga nxënësit shqiptarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe në Diasporë.


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

7,021 Lexime
4 vjet më parë