Intervistë

“Fëmija është një libër ku lexojmë dhe shkruajmë”

“Buzëqeshini nxënësve tuaj dhe pse buzëqeshja juaj është e trishtueshme, sepse me e trishtueshme se një buzëqeshje e trishtueshme është trishtimi kur nuk buzëqesh kurrë”.

Quhet Nertila Tosku dhe është drejtoreshë e gjimnazit “Zihni Magani” në Peqin. Emërimi në krye të kësaj detyre erdhi pas 15 viteve punë në arsim. Ishte një ndjesi e veçantë për të pasi do të drejtonte gjimnazin ku ajo kishte mësuar vite më parë, disa prej kolegëve të tanishëm ishin mësuesit e saj. Çelësi i suksesit në krye të kësaj shkolle është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi me kolegët, por ajo di më së mirë se si të krijojë një marrëdhënie pozitive me nxënësit, madje më parë është zgjedhur nga vetë nxënësit si mësuesja më e mirë.


Si ishte ai momenti i parë kur ju u emëruat drejtoreshë e gjimnazit?

Momenti i parë ishte shumë emocionues, jo vetëm për faktin që u emërova drejtoreshë, por edhe sepse unë aty kisha mësuese të cilat më kanë dhënë mësim kur isha vetë gjimnaziste. E si të mbaja unë fjalim përpara tyre kur unë gjithmonë isha në bankë dhe ato në krye të klasës, tani e kundërta.


Cili ishte mendimi i parë në ato momente?

Tani, pas 15 viteve punë, m’u besua një detyrë mjaft e rëndësishme, i ftova të bashkëbisedojmë dhe të më ndihmonin, të më tregonin nëse më shihnin diçka të gabuar. Ato besuan se unë do ia dilja mbanë. M’u duk e vështirë, por nuk ishte ashtu siç mendoja, u mësova shumë shpejt me detyrën e re.


A i trembeshit diçkaje në këtë pozicion punë? Çfarë dhe përse?

Nuk “trembesha”, kisha një frikë se si do ia kaloja me kolektivin në detyrën e re. Me nxënësit ia kam dalë mbanë. Në një sondazh të realizuar nga psikologia e shkollës ku kam punuar më parë kam fituar si mësuesja më e dashur dhe e mirë kuptueshme për nxënësit. Kështu që për mua nuk ishte e vështirë.


Si nis dita juaj e punës dhe kur përfundon?

Dita ime nis me paraqitjen në punë në orën 7:40 dhe përfundon në orën 14:00 ose dhe më vonë. Gjatë ditës jam e disponueshme për nxënësit i ndihmoj kur kanë nevojë, kërkesa apo ankesa. Jam munduar të jem e komunikueshme me ta dhe jo në rolin e “policit”, kur e shikoj që nuk përgjigjen mirë i ftoj në zyrë dhe ju flas miqësisht pa të bërtitura.


Çfarë ka ndryshuar në këtë shkollë nën drejtimin tuaj?

Ka ndryshuar kërkesa e llogarisë ndaj mësuesve, të komunikojnë më shumë me prindërit për nxënësit problematikë; hapja e faqes së shkollës ku ne shfaqim aktivitetet tona me nxënësit, sepse deri tani nuk kishte një faqe e cila shihet online.


Sa nxënës ka shkolla?

Shkolla jonë ka 361 nxënës nga të cilët 182 janë femra, kemi dhe nxënës të komunitetit egjiptian.


Çfarë ju ka mbetur në mendje gjatë punës suaj?

“Fëmija është një libër ku lexojmë dhe në të cilin duhet të shkruajmë”.


Cila është motoja juaj në punë?

Motoja ime: “Buzëqeshuni nxënësve tuaj dhe pse buzëqeshja juaj është e trishtueshme, sepse me e trishtueshme se një buzëqeshje e trishtueshme është trishtimi kur nuk buzëqesh kurrë”.


Cili është çelësi i suksesit të një drejtuesi?

Çelësi i suksesit: Mirëkuptimi, toleranca këshillimi (si busulla e zgjidhjes së punëve të vështira) të ndërthurura me humanizmin na ndihmojnë në jetën e përditshme në marrëdhëniet mësues-nxënës për zhvillimin drejt një rruge të mbarë.


Cili është urimi juaj për mësuesit dhe nxënësit?

Urimi im: Uroj që t’i ngjisin sa më lart shkallët e dijes, të arrijnë majat më të larta dhe ëndrrat që kanë në sirtar t'i realizojnë.

Për mësuesit: Të bëjnë durim, t'i mësojnë dhe të jenë shembull për t'u ndjekur nga nxënësit.


(Portali Shkollor)

8,430 Lexime
7 vjet më parë