INTERVISTË

Festa e Abetares për herë të parë online, mësuesja Nexhmije Allkja rrëfen kremtimin e paharruar

Festa e Abetares këtë vit u kremtua online për shkak të pandemisë COVID-19. Por bashkëpunimi i trekëndëshit mësues-nxënës-prindër tregoi se kjo festë për të vegjlit e këtij brezi të 2020-tës do të mbetet gjithsesi e paharruar. Intervista me mësuesen e fillores, Nexhmije Allkja flet për këtë sukses.

Në përfundim të klasës së parë ngjarja që mbetet e paharruar është Festa e Abetares. Por këtë vit për shkak të situatës që u krijua si pasojë e pandemisë COVID-19, kjo festë u realizua në mënyrë virtuale.  

Ashtu si shumë mësues dhe nxënës të tjerë, edhe mësuesja Nexhmije Allkja së bashku me nxënësit e saj (të ndihmuar nga prindërit) e kenë bërë këtë festë nga shtëpia. Ne pamë shumë elemente të veçantë në projektin që ata kanë realizuar për Festën virtuale të  Abetares. Përmendim këtu ekranin simbolik të një smartphone-i  ku shfaqen materialet e montuara dhe në sfond të tij një skenë teatri, si për të treguar zëvendësimin e tradicionales me të renë, online; hapjen e festës me përshëndetjen e mësueses drejtuar të vegjëlve për t’i uruar suksese të mëtejshme; përshkrimet e vlerave më pozitive të secilit nxënës; interpretimet e tyre të sinqerta dhe me emocione...



Zj.Nexhmije ju keni kaluar shumë breza nën edukimin tuaj si mësuese filloreje. Por si ishte kjo përvojë e re për ju, pra ku edhe Festa e Abetares u realizuar online? 

Së pari ju falënderoj për mendimin dhe vlerësimin pozitiv që shprehni për realizimin e Festës së Abetares! Të jesh mësuese është jo vetëm profesion i bukur, por edhe mision plot përgjegjësi. Ndër vite, në punën time kam kaluar breza nxënësish dhe sfida nga më të ndryshmet. Por këtë vit shkollor patëm fatin të përballemi me situata jo të zakonshme, madje as të imagjinuara ndonjëherë. 

Pikërisht këto situata na bënë të mendojmë ndryshe, të sillemi ndryshe dhe të përjetojmë ndryshe.  Nuk do të isha realiste t’ju thoja që ishte e lehtë gjithçka që na u desh të bënim.  

Si gjithmonë në punën time i kam qëndruar besnike bashkëpunimit me prindërit në dobi të fëmijëve. Dhe kjo gjendje e re më bëri të shoh realisht edhe më shumë sa i rëndësishëm është ndërveprimi mësues – nxënës – prindër. 

Jam falënderuese ndaj tyre për gjithë mbështetjen dhe ndihmën që më ofruan, si në ndjekjen e mësimit  në distancë edhe për realizimin e Festës së Abetares. 

Sapo marr klasën e parë, një nga projektet e planifikuara që në fillim të vitit shkollor, është dhe  kjo festë. Pavarësisht ndryshimeve në kurrikulën e re, ku nxënësit  i kanë mësuar që në klasën përgatitore të gjitha shkronjat, vazhdon të jetë një dëshirë e pandryshuar tek fëmijët dhe prindërit për ta festuar përfundimin e Abetares. Padyshim që kjo festë është një moment  i veçantë, i cili u mbetet gjatë gjithë jetës si një nga kujtimet e paharruara të fëmijërisë. Kjo ishte një nga arsyet që dhe në këtë vit të vështirë, të mos ua mohoja këtë kënaqësi edhe pse jo në mënyrën tradicionale duke qëndruar në praninë e njëri-tjetrit, të mbushur me atmosferë dhe përqafimet e ngrohta në fund.



Si ishte për ju të gjithë (mësuese-nxënës-prindër) të mirërealizonit një festë të tillë për herë të parë në mënyrë virtuale? Si u rakorduat? Ishte e vështirë? 


         Për të realizuar një projekt ndiqen disa hapa të mirëmenduar që në krye të herës.  Duhet të kem të qartë cili është qëllimi dhe synimi i projektit. Për këtë realizoj një skemë në vija të përgjithshme për mënyrën e organizimit. Ndërkohë me njohjen më të thellë të fëmijëve, filloj të shtoj elemente të reja, të cilat plotësojnë idenë fillestare. Kur gjithçka është qartësuar në mendjen time, nis nga puna për ta vënë në zbatim deri në prezantim. Kjo është rruga që unë kam ndjekur ndër vite gjatë punës sime.

  Festa e Abetares është paksa e veçantë për fëmijët, ndaj dhe kërkon një punë më specifike. Kjo, jo vetëm për moshën e tyre, por dhe për seriozitetin që ajo merr si një festë lamtumire. Duke patur parasysh gjithë këtë peshë që ka festa për klasën e parë, do të dukej një mision i pamundur në kushtet e distancimit fizik. Por duke i qëndruar besnike mendimit që çdo problem e ka një zgjidhje edhe këtë herë e gjetëm rrugën. 

Si fillim, për secilin nxënës përzgjodha e përshtata nga një vjershë të vogël për ta mësuar. Kjo nuk ishte e detyruar, pasi secilit i sugjerova të jetë krijues dhe improvizues për të realizuar një material sipas dëshirës. Mund të ndërronin vjershën nëse nuk u pëlqente apo mund të shtonin këngë e recitime të tjera të preferuara. Më pas prindërit, sipas mundësive, mund të krijonin në ambjentet e tyre një kënd festiv dhe të regjistronin me celularë materialin e interpretuar nga fëmijët. Çdo regjistrim ma dërgonin mua për ta parë dhe për t’i këshilluar nëse kishte dicka për t’u përmirësuar.

 Kjo ka marrë  mjaft kohë, pasi fëmijët kanë patur emocione dhe shpesh filmimet m’i dërgonin disa herë. Pa përmendur këtu vështirësinë që kisha me aparatin tim celular për të ruajtur materialet  e duhura.  Megjithatë pas shumë shkëmbimeve munda të kisha gjithçka më duhej për ta realizuar me sukses festën.



A ju shkoi në mendje që ta anulonit këtë festë, qoftë edhe për një moment të vetëm? 


      Edhe këtë vit, unë kisha të projektuar në mendjen time një skenar për festën tonë. Zakonisht pas muajit mars ne fillojmë me përgatitjet e para. Gjendja e jashtëzakonshme na gjeti të papërgatitur, ndaj muajin e parë nuk e kujtova këtë projekt  të planifikuar. Kur ditët kaluan, shpesh në bisedat me prindër, kuptova sa keqardhje ndienin ata për pamundësinë e realizimit të festës së shumëpritur. Atëherë më lindi ideja ta organizoja atë në kushtet e reja në të cilat ndodheshim. 

    Së pari duhet të ndryshoja përmbajtjen e disa prej materialeve, mënyrën e organizimit të tyre, regjistrimin e vidiove e të tjera detaje. Nuk ishte e lehtë të mendoja për çdo element, ndërkohë që për asnjë çast nuk mund të ndërprisja mësimin online, sipas orarit çdo ditë apo edhe angazhimet e tjera me mësimdhënien në TV. 

    Megjithatë e vetëdijshme për vështirësitë, vendosa ta realizoja festën tonë. E quaj festën tonë dhe jo festën time, sepse kurrsesi nuk do të ishte bërë e mundur pa ndihmën e prindërve, fëmijëve apo personave të tjerë që më ndihmuan për ta finalizuar.



Sa kohë ju mori realizimi i kësaj feste në këtë formë? 


     Si çdo punë që do kohën e saj edhe kjo festë mori jo pak kohë. Nëse do të merrja si një fillim të punës kohën kur nisa të përshtatja dhe ndryshoja skenarin, mund të them rreth një muaj e gjysmë.

Në mesin e muajit prill kristalizova idenë se si mund ta organizoja festën në distancë. Ripunova materialet dhe fillova të ndaj idetë me prindërit. Nga të gjithë mora miratimin dhe mbështetjen për ta realizuar si projekt. Më pas, gjatë muajit maj vazhduam me realizimin e vidiove për secilin nxënës, ku në disa raste edhe u kërkoja ta ribënin filmimin për arsye të ndryshme. Shpesh ndihesha në siklet kur ua kërkoja këtë, por doja të bënin më të mirën në çdo rast. Nuk di sa ja kam dalë me sukses me kërkesat e mia ndaj tyre.  

Pjesa më e vështirë ishte montimi i festës në një të vetme, pasi duhet  të ruaja një linjë logjike të përmbajtjes, por dhe të mos lija asnjë material pa e vendosur në vendin e duhur.  Jam detyruar disa herë t’i rikthehem kur kuptoja pasaktësira të ndryshme apo nuk më pëlqente diçka. Megjithëse u përpoqa, nuk ishte e lehtë ta përmbyllja pa ndonjë mangësi të vogël, sidomos kur disa nga nxënësit i kishin regjistruar materialet të shkëputura.  Më pas me keqardhje kam kuptuar që nuk i kisha përfshirë në montimin final dy-tre materiale që në morinë e videove në celularin tim më kishin shpëtuar pa u vënë re. U kërkoj ndjesë nëse ndonjë nga vogëlushët e mi është mërzitur për këtë. Jam e vetëdijshme që kjo festë nuk është perfekte, por e them me siguri që  jam përpjekur me zemër të bëj më të mirën.



Mund të na rrëfeni ndonjë emocion të të vegjëlve gjatë kohës së përgatitjeve?


     Sigurisht  si çdo prezantim dhe interpretim shoqërohet me emocione të veçanta. Ne i kishim provuar emocionet e festave pranë njëri-tjetrit, por nuk e dinim si ishte të recitoje a këndoje para një celulari. Në këtë situatë, ku teknologjia na u bë pjesë e përditshmërisë, nuk ishte aspak e lehtë të përshtatnim veten në shumë gjëra. Prindërit më tregonin se si shpesh për ditë të tëra nuk arrinin të regjistronin si duhet apo pasi kishin mbaruar regjistrimin e ma dërgonin, u vija në dukje detaje. Për shembull ndodhte të ishin veshur bukur, por kishin harruar këpucët, apo në video ndiheshin shumë zërat dhe zhurmat përreth dhe kjo i shpërqendronte fëmijët. Megjithatë të gjithë më kanë lënë pa fjalë për interpretimin me shumë emocion të materialeve të tyre. Sa shumë jam mallëngjyer kur  shihja si më drejtonin përshëndetjet, puthjet dhe përqafimet. Aty ndjeja mallin e tyre, por dhe sa më mungonin mua.

Nëse në fillim isha pak dyshuese për performancën e fëmijëve, kur shoh interpretimet e tyre, ndihem krenare për nxënësit e mi. Ata ia dolën të ishin më të mirët.

Uroj dhe shpresoj të festojmë në të ardhmen të gjithë së bashku!



Këta nxënës i kanë thënë lamtumirë Abetares tashmë, cilat janë këshillat e tua si mësuese por edhe si prind për ta?


      Shpesh kemi dëgjuar shprehjen “Mësuesja është si një nënë e dytë”. Kjo shprehje merr kuptimin e saj të vërtetë për vitet e para të shkollës, sidomos për fëmijët në klasën e parë.  

Ditën e parë kur janë të ulur në bankë, në sytë e tyre sheh sa gëzim dhe emocion aq edhe frikë të përzier me pasiguri. Pikërisht në këtë çast ti je aty për t’ua shtuar buzëqeshjen dhe për t’ua larguar çdo dyshim  e pasiguri për gjithçka që i tremb. Prandaj ndoshta tek gjithkush prej nesh, mësuesja e klasës së parë, mbetet nga të paktët njerëz jashtë  familjes që nuk e harrojmë kurrë.

E dua profesionin tim dhe përpiqem të jap shumë nga vetja tek fëmijët me të cilët punoj. Për mua të punosh me fëmijët do të thotë të jetosh e rrethuar me ngjyra, tinguj dhe me plot  shpresë për të ardhmen. 

Por, mbi të gjitha e ndjej si një detyrim moral përkushtimin ndaj brezave. 


Një komb pa njerëz të edukuar e arsimuar, do të jetë një komb i dështuar. Për sa kohë do ta ushtroj misionin tim, nuk do të kursej nga vetja potencialin intelektual, energjinë fizike dhe dashurinë për fëmijët.


U uroj fëmijëve të mi dhe të gjithë fëmijëve që mbaruan klasën e parë, suksese në rrugën e sapo  nisur!  Ajo është e gjatë dhe me plot sfida. Kam besim tek secili prej jush që me dëshirë, me punë këmbëngulëse dhe me vullnet mund t’ia dilni të realizoni ëndrrat tuaja.  




Video e Festës online e Abetares 

Mësuesja: Nexhmije Allkja 

Klasa: I-D

Shkolla: "Skënder Çaçi"

Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,055 Lexime
3 vjet më parë