PROJEKT KURRIKULAR

Festojmë 75-vjetorin e Çlirimit me ushqime tradicionale

Mësuesja e palodhur Ardiana Kodheli, e shkollës “Adem Haxhija” Postribë, krijoi një atmosferë mbreslënëse në këtë 75-vjetor të Çlirimit të vendit, duke u kujdesur edhe për detajet më të vogla.

Në kuadrin e javës së veprimtarive për festën e 75-vjetorit të Çlirimit, klasa e XII (A) në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës “Adem Haxhija” Postribë paraqiti një projekt kurrikular me temë: “Të ushqehemi shëndetshëm - Ushqime tradicionale të krahinës së Postribës”. Ky projekt u organizua nga mësuesja e palodhur Ardiana Kodheli e cila me përkushtimin e saj krijoi një atmosferë mbresëlënëse në këtë 75- vjetor të Çlirimit të vendit, duke u kujdesur edhe për detajet më të vogla. 

Në këtë projekt dolën në pah veçoritë e kësaj krahine me gatimet e ndryshme tradicionale që e karakterizojnë atë. Në fillim një mesazh urimi për festën e 75-vjetorit të Çlirimit, pastaj një reportazh i shkurtër për këtë krahinë. Paraqitja e emërtimeve tradicionale të mbledhura nga nxënësit dhe së fundmi një panair me prodhime të zonës.

I ftuar ishte mësuesi specialist i historisë së zonës Faik Uraj, i cili foli për rëndësinë gjeografike dhe historike të Postribës. Ai vë në dukje se: Postriba ishte pjesëmarrëse në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të qëndresës ndaj  pushtuesve. Të dokumentuara veçanërisht në 250 vitet e fundit, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e përfaqësuar nga Isuf Sokoli, në mbrojtjen e trojeve nga coptimi i shovinistëve fqinje serbo-malazeze, të udhëhequr nga Hodo Sokoli. Postribasit morën pjesë në mbrojtjen e Shkodrës së rrethuar nga serbo-malazezet 1912-1913, në luftën e Koplikut 1920  të drejtuar nga komandanti me qeleshe Adem Haxhija, në kryengritjen e Postribës të 9 shtatorit 1946 drejtuar nga Osman Haxhija (vëllai i Adem Haxhisë). Gjithashtu ai vuri në dukje vlerat kulturore, etnografike, morale, arkitekturore të kësaj krahine.

Faik Uraj theksoi rëndësinë e kësaj zone e cila qëndron në disa aspekte: Së pari kjo lidhet me historinë, trashëgiminë dhe kulturën. Një ndikim të veçantë ka edhe pozicioni gjeografik, larmia e territorit, afërsia me qytetin e Shkodrës. Postriba ka pozitë gjeostrategjike shumë të rëndësishme. Kjo zonë lidh Shkodrën me zonën turistike të Thethit dhe Dukagjinin me zonën e Shllakut. Postriba është një nga krahinat më të vjetra e më të njohura të Shqipërisë Veriore. Kjo dëshmohet nëpërmjet Tumave ilire të Shtojit, kalasë ilire të Kratulit si dhe asaj të Mesjetës së Drishtit. Në Postribë ndodhet “Ura e Mesit”, një monument i rrallë me vlera kulturore dhe arkitektonike në Shqipëri - theksoi ai. 



(Parajsa Shtini; Portali Shkollor)

2,659 Lexime
4 vjet më parë