Aktivitet

Fjala dhe fuqia e saj në Ditën Ndërkombëtare të Librit - Urimet e disa prej autorëve shqiptarë

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, gjatë aktivitetit “Letërsia që jetojmë” në Bibliotekën Kombëtare, autorë bashkëkohorë shqiptarë, si Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Virion Graçi, Gazmend Krasniqi, Ervin Nezha, Zhaneta Barxhaj dhe Anila Kruti, ndanë mesazhe frymëzuese për këtë ditë të veçantë.

Nga Nanila Allkja Biçaku


Në një kohë kur fjala konkurron me zhurmën, libri vazhdon të jetë strehë, udhërrëfyes dhe udhëtim i thellë drejt vetes dhe botës. Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit, Shtëpia Botuese Albas organizoi në ambientet e Qendrës “Sotir Kolea” në Bibliotekën Kombëtare aktivitetin letrar “Letërsia që jetojmë”, ku morën pjesë disa nga emrat më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare: Mimoza Ahmeti, Rita Petro, Virion Graçi, Gazmend Krasniqi, Ervin Nezha, Zhaneta Barxhaj dhe Anila Kruti. 


Ky takim i ngrohtë me autorët, i moderuar nga Sevi Lami Agolli, u bë edhe më domethënës me praninë e gjimnazistëve nga shkollat “Kristaq Rama”, “Qemal Stafa” dhe “Luan Hajdaraga”, të cilët sollën frymën e leximit të ri dhe kureshtar.


Në vijim, po ndajmë me ju disa nga urimet, reflektimet dhe mesazhet që këta autorë ndanë në këtë ditë të veçantë, si një ftesë për të mos harruar asnjëherë fuqinë që ka libri për të ndriçuar jetën. 


Gazmend Krasniqi: Kur lexuesi është ende i ri, një “fletë e bardhë”, shoqëria (demokratike) ka përgjegjësi, që letërsia e mirë të mos jetë periferike. Vargjet që shfaqen në muret e ndërtesave, që recitohen në raste të rëndësishme dhe shërbehen me shkronja gjigante në mediet sociale, duhet të shoqërohen me lista të zgjedhura leximi. Ky medium evoluon edhe kur situatat janë treguar indiferente me të. Në mënyrë të ndërsjellë, ka evoluar edhe mendimi letrar, për të na thënë se kënaqësia e leximit nuk është një kërkesë shkolle, por jete. Shijimi i artit letrar i hap rrugë shijimit të të gjithë arteve, pa të cilat jeta nuk është mjaftueshëm jetë.


Rita Petro: Në një botë kaq teknologjike, ku shpejtësia skëterrë është aq e frikshme, libri e në veçanti letërsia, arti i fjalës na krijon siguri, na jep mbështetje, na zgjon shpirtin e fjetur, na pasuron me imazhe dhe na e bën jetën të bukur edhe para sfidave më të vështira.


Virion Graçi: Në Ditën Ndërkombëtare të Librit përshëndes përzemërsisht kolegët e mi shkrimtarë, botuesit, librarët dhe promovuesit e letërsisë, pavarësisht profilizimeve e parapëlqimeve të tyre, në përgjithësi; përshëndes lexuesit, për të cilët shkruajmë e prej të cilëve shpërblehemi shpirtërisht, njerëzisht. Libri, bibliotekat, leximet janë bazat më të sigurta të zhvillimit, dijes, përparimit, qytetërimit; njeriu nëpërmjet librave e leximeve fisnikërohet, iluminohet, bëhet më i mirë, më i ndjeshëm, më largpamës, më miqësor e më solidar me gjindjen e tij, natyrën dhe botën e gjallë. Dijet dhe kënaqësitë e dëlira estetike që na vijnë prej librave bashkojnë breznitë, popujt, epokat ndaj uroj për një botë ku libri të ndihet i privilegjuar.


Zhaneta Barxhaj: Libri është një film bardh e zi, që çdo lexues i vesh ngjyrat e veta. E ku ka më bukur se bota me ngjyra që libri të jep mundësinë ta krijosh brenda vetes, duke të shpënë në hapësira të pafundme, që edhe kur duken argëtuese janë edukuese. Libri, kjo dashuri e madhe larushane! Dashuroni!


Ervin Nezha: Një nga detyrat që i takon të ketë njeriu për të përligjur ekzistencën e vet është përpjekja për të njohur botën. Vetëm kështu mund të qetësohet ndërgjegjja dhe të gjesh një qëllim real për të gjetur kuptimin e jetës. Dy nga mënyrat më të lashta për ta bërë këtë gjë, janë udhëtimi dhe leximi. Të dyja këto mënyra të ndryshme në dukje janë të njëjta në thelb, sepse janë forca transformuese të vetvetes, mundësi për të njohur të ngjashmit, të ndryshmit, veten dhe tjetrin. Madje leximi është një mundësi më joshëse ngaqë përmes tij, mund të udhëtosh jo vetëm vendet fizike, por të udhëtosh edhe në imagjinatën e gjenive. Bije fjala t’i mund të shkosh në tokën e Liliputëve dhe Gjigantëve si Guliveri dhe të “masësh” shtatin me ta; të zhytesh 20. 000 mijë lega nën det si te Romanet e Vernit dhe të kuptosh se sa i mistershëm është oqeani; të udhëtosh në xhunglat më të errëta të Afrikës si te Konrad dhe të ndiesh misterin, apo të zbresësh edhe më poshtë, gjerë në ferr si tek Dante për të kuptuar tragjiken. Dhe këto nuk janë përvoja kaq të vogla, sa po i themi, apo jo? Ndaj mund ta themi lirshëm se leximi është shpikja më e madhe e njeriut dhe nuk e kemi privilegjin të heqim dorë prej tij. 


Anila Kruti: Dita Ndërkombëtare e Librit, mendoj se është një datë simbolike me plot kuptim, sepse fuqia është e fjalës, e librit, për të nxitur shoqërinë e sidomos të rinjtë  të zbulojnë magjinë e leximit. Pse duhet lexuar "Engjëjt rrinë bashkë "?! Sepse shpirtrat me dimensione të njëjta e gjejnë njëri-tjetrin. Ata kanë brenda shpirtit energjinë e mirësisë për të kaluar çdo vështirësi. Pra, magjia e dashurisë njerëzore shëron. Na jep kuptimin Njeri!

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

515 Lexime
6 ditë më parë