8 Marsi

Fjala e Poetes Laureate Rita Petro në FemFest: Letërsia, guximi dhe zëri i grave shqiptare

Portali Shkollor publikon fjalën e Poetes Laureate Rita Petro, mbajtur në mbrëmjen poetike FemFest “E kuqja në vargje”. Në këtë aktivitet u prezantua edhe katalogu i shkrimtareve shqiptare, një nismë që vë në qendër zërin, guximin dhe kontributin e grave në letërsinë bashkëkohore.

Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillon Poetja Laureate Rita Petro, është prezantuar edhe katalogu i shkrimtareve shqiptare bashkëkohore, një nismë që synon të bëjë më të dukshëm kontributin dhe zërin e grave në letërsinë shqipe. Në këtë kuadër u mbajt edhe mbrëmja poetike FemFest “E kuqja në vargje”, e organizuar nga Iliriana Basha, ku poetja Petro ndau një reflektim mbi historinë, sfidat dhe guximin e shkrimtareve shqiptare për të shkruar lirshëm dhe pa autocensurë.


Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Poetes Laureate.



Fjala nuk pyet nëse dora që e shkruan është e një gruaje apo e një burri.


Letërsia nuk ka gjini, por ka histori. Dhe historia e saj ka pasur pabarazi. Kjo histori shkruhet më drejt, kur i përfshin të gjithë.


Në letërsinë shqiptare, për shumë dekada zëri mashkullor ka qenë zëri që ka përcaktuar tonin. Shkrimtarët kanë pasur më shumë hapësirë, më shumë legjitimitet të padiskutuar, më pak nevojë për ta justifikuar këndvështrimin e tyre.


Grave shkrimtare u është dashur të përballen me sfidën se po hyjnë në një territor ku duhej të dëshmonin dyfish: talentin dhe të drejtën për t’i thënë/shkruar gjërat troç. Për një kohë të gjatë, shumë gra kanë shkruar duke mbajtur brenda vetes një filtër të padukshëm, një autocensurë të trashëguar nga frika se disa tema duhej të thuheshin me kujdes ose të mos thuheshin fare. Sot ky raport po ndryshon. Ndërsa shkrimi i burrave shkrimtarë vazhdon traditën e vet me siguri të konsoliduar, gratë shkrimtare po e riformësojnë hapësirën me një guxim të ri, që, në disa vepra, duket sikur po e tejkalon edhe guximin e burrave. Ato po shkruajnë për trupin dhe turpin, për pushtetin dhe intimen, për dhunën dhe për dëshirën personale, jo si temë anësore, por si qendër narrative.


Kur gratë shkruajnë, ato nuk shtojnë vetëm histori të reja në letërsi; ato ndryshojnë këndvështrimin. Ato sjellin në qendër disa përvoja që janë lënë në periferi apo duken si tema të vogla, por letërsia e vërtetë nuk peshohet nga “madhësia” e temës, por nga mesazhet estetike që transmeton. Në këtë kuptim, guximi i sotëm i shkrimtareve shqiptare nuk është kundër dikujt. Është për veten. Është për lirinë e plotë të fjalës.


Kjo është arsyeja kryesore që katalogu hapet me shkrimtaren e parë shqiptare MUSINE KOKALARIN, e cila ishte jo vetëm një grua aq e guximshme përballë gjyqit të diktaturës, por dhe në artin e saj në prozë, që fokusohet veçanërisht te emancipimi i vajzave shqiptare të asaj kohe, si dhe në vargje të tilla delikate, si:  “Të isha një një lule vjollce mes ferrave/të qëndroja e fshehur, e pa dukur/dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve…


Në mbyllje të katalogut janë vendosur -In memoriam- 3 shkrimtare të mrekullueshme që ikën me ëndrrën e qiellit në shpirt: DRITA ÇOMO: “Si mund të jetoj pa pak qiell të kaltër?!”; EDI SHUKRIU: “Prej vetes me flatra ngrihem/sesi më rrëmben marri e kohës…”; LINDITA AHMETI: “Zogjtë, zogjtë e dashur të Afërditës fluturojnë hapësirave…”.


Ky katalog me shkrimtaret e letërsisë së sotme bashkëkohore, i realizuar në kuadër të “Femfest” me moton “Rezisto në të kuqe”, nuk vendos përballë shkrimtaret me shkrimtarët. Përmes tij bëhet i dukshëm një ekuilibër që, për një kohë të gjatë, ka munguar, por që sot ekziston, madje dhe bukur.


Shkrimtaret e përfshira në katalog nuk dallohen vetëm përmes suksesit të veprave të tyre në poezi apo prozë, brenda vendit apo në botë. Ato kanë një kontribut të madh në fushën e letrave shqipe me studimet, shkrimet publicistike, revistat kulturore që drejtojnë, përkthimet, si dhe në fusha të tjera, varësisht profesionit që kanë. Kudo ku jetojnë, në të gjitha trevat shqiptare, si dhe në diasporë, ato kanë treguar përmes artit dhe jetës së tyre se si i kanë përballuar jo vetëm sfidat e të shkruarit, por edhe të të jetuarit në shoqërinë shqiptare me konvencionet e veta, apo në emigracion me përballjet identitare.


Dhe në fund, do të shtoja se ky katalog është gjithnjë i hapur për përmirësime, përditësime dhe në përfshirje. Përveçse, u printua në letër dhe u shpërnda falas, do të jetë dhe online, si dhe në anglisht. 


Rita Petro

Poete Laureate (2025-2027)

P.S. Risi e katalogut është që ka një kod (QR code), ku poezia apo fragmenti në prozë mund të lexohet i plotë. Katalogu është shpërndarë falas.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

154 Lexime
18 orë më parë