KRAHASIMI, PASOJAT NEGATIVE

Floriana Hima: Krahasimi, “hajduti” i potencialit dhe motivimit

Prindër dhe mësues, ja pse nuk duhet t'i krahasoni fëmijët tuaj. Përmes eksperiencës personale dhe profesionale Floriana Hima na njeh me të gjitha pasojat e krahasimit. Nëse fëmijët i duam për atë që janë, atëherë, ata do ta duan veten e tyre...

Krahasimi është një qasje e zakonshme për të nxitur arritjet te fëmijët dhe është gati normale të ndodhë kur bëhet fjalë për fëmijët tanë. Kjo mënyrë është bërë aq “e natyrshme”, sa që është kthyer në një praktikë të pashëndetshme kulturore.

 

Ndodh shpesh që të krahasojmë arritjet akademike të fëmijëve me ato të të tjerëve për të përcaktuar nëse këto arritje janë normale, të mira apo të shkëlqyera. Dhe vazhdojmë më tej duke sjellë shembuj të fëmijëve të tjerë me qëllim për të motivuar fëmijët tanë.  Shprehja “Merr shembull nga filani” mund të bëhet shumë stresuese për një fëmijë. Kuptohet se qëllimi nuk është për ta lënduar, por padashur ky evidentim më tepër dëmton sesa bën mirë.

 

Krahasimin e zgjedhim shpesh si mënyrën më të lehtë për të dhënë një mesazh të caktuar, pa menduar gjatë për pasojat. Por, le të ndalemi për një moment dhe të shohim efektet që sjell krahasimi te fëmijët dhe  jo vetëm.

 

Një nga efektet negative të krahasimit është dëmtimi i vetvlerësimit. Konkurrenca mund të jetë e mirë në raste të caktuara, por nuk mund të përdoret si një mënyrë të nxëni se si një fëmijë mund të përmirësohet. Efektet emocionale që ka krahasimi apo fryma e konkurencës te fëmijët janë të padukshme dhe si të tilla, e bëjnë të vështirë rikuperimin e pasojave, kështu që prindi pyet veten se ku ka gabuar. Shpërthimet agresive apo kundërshtuese janë simptoma të nxitjes dhe ushtrimit të presionit për të qenë më të mirët. Prandaj këshillohet që prindi të ketë kujdes të madh ndaj fëmijës, në mënyrë që këto situata të shmangen dhe kjo do të sillte një rritje të shëndetshme. 

 

Arsyeja kryesore pse prindërit bëjnë krahasime ndërmjet fëmijëve të tyre dhe të tjerëve është sepse projektojnë për ta arritje maksimale, por gjithashtu duhen patur parasysh shumë elemente të tjerë që janë të rëndësishëm si: motivimi, interesi, konteksti, kushtet, mundësitë dhe kapaciteti i fëmijës. Pra, krahasimi nuk është e vetmja shtysë që mund të nxisë fëmijën të japi maksimumin e tij. Ai mund të jetë i shëndetshëm dhe të sjellë rezultatet e pritshme nëse merren parasysh elementet e mësipërm dhe nëse vendosen disa qëllime që mund të arrihen në një kohë të caktuar.

 


Krahasimi nuk lëndon vetëm fëmijët, por edhe prindërit. Është një praktikë që zakonisht fillon me krahasimin e etapave të zhvillimit të fëmijëve. Si fillim, kjo ndodh brenda familjes dhe rrethit të afërm familjar, për tu përhapur më vonë edhe në rrethin shoqëror.

 

Krahasimi mund të shkaktojë rivalitet midis fëmijëve, përfshirë këtu edhe vëllezërit apo motrat. Krahasimi, sidomos në prezencën e të tjerëve, i shkakton fëmijës pasiguri dhe distancim nga mjedisi duke e bërë atë të ndjehet i injoruar dhe të humbasë interesin. 

 

Tendenca e krahasimit edhe pse është pjesë e kulturës sonë, duhet kontrolluar sepse në të kundërt shkakton stres dhe nuk është produktive. Që ajo të jetë e tillë duhet të vendosim qëllime realiste me fëmijët, duhet të inkurajojmë progresin drejt këtyre qëllimeve duke i mëshuar pikave të forta, por njëkohësisht edhe duke punuar me ato më pak të forta.

 

Nga ana tjetër çdo fëmijë është unik dhe secili ka potencialin, talentin, interesat, dhe ritmin e vet të zhvillimit.

 

Tendenca e konkurencës dhe krahasimit ndodh më së shumti midis prindërve sesa midis fëmijëve. Është e domosdoshme tu lëmë fëmijëve hapësirën të rriten duke pasur objektiva personale të realizueshme. Le të përpiqemi më shumë të kuptojmë interesat e tyre se sa t’i krahasojmë apo kritikojmë. Prindërimi dhe vetvlerësimi si prind nuk duhet të lidhet me arritjet e fëmijëve tanë. Ju nuk jeni fëmija juaj.  Respektoni fëmijën tuaj për atë që është pa e shtyrë të angazhohet në aktivitete që nuk i pëlqejnë. Mos harroni se nuk mund të jemi prindër perfekt, sikurse nuk mund të kemi dhe fëmijë përfekt. Jini krenar për fëmijët tuaj, për atë që janë. Jepini dashuri pa kushte dhe të gjithë do të ndiheni mirë dhe do të jepni më të mirën tuaj.

 

Mendime të tipit “Ah, sikur të ishe si vëllai yt apo si motra, ose si shoqja” le të përpiqemi t’i mbajmë për veten tonë. Sigurisht është e vështirë të ndryshosh mënyrën e të menduarit, por është e mundur që tendenca për të krahasuar të kthehet në inkurajim për aspektet pozitive që fëmija ka. Mbase është e thjesht ta thuash me fjalë këtë gjë, dhe shumë e vështirë ta praktikosh në jetën reale, por ama është një nga ata gjëra që ia vlen ta provosh.

 

Kur vjen momenti që më duhet të njihem me vlerësimet semestrale të vajzave të mia, në fakt e shtyj veten që t’i gëzohem faktit që atyre u pëlqen shkolla, që kanë shokë e shoqe, që mësojnë aftësitë themelore sociale, si kujdesi dhe që i praktikojnë ato, që mësojnë të jenë empatike në një mjedis real. Sigurisht që ka aspekte të vlerësimit për të cilat me vjen keq, dhe që do doja të ishte ndryshe, por më pas i kujtoj vetes se ato janë dy vajza ende të vogla, kanë kaq shumë për të mësuar akoma, dhe se në fakt janë shumë mirë po t’i krahasoj me një apo dy vite më parë. 

 

Nëse u japim fëmijëve mesazhin se i duam për atë që janë, atëherë, ata do ta duan veten e tyre për atë që janë, gjithashtu, edhe të tjerët do t’i duan për atë që janë. Kjo do të rrisë vetbesimin dhe motivimin për të kuptuar më shumë veten, interesat dhe për t’i përputhur ato me objektivat personale për të qenë të suksesshëm në jetë. Mbi të gjitha, mbetet gjithmonë thelbësore dhe përcaktuese të sigurojmë fëmijen që dashuria dhe mbështetja prindërore është e pakushtëzuar pavarësisht interesave, zgjedhjeve dhe ritmit të zhvillimit të gjithësecilit fëmijë. 

 


(Floriana Hima, psikologe, për Portalin Shkollor)

3,905 Lexime
5 vjet më parë