Georgi Gospodinov, Rita Petro dhe Dinçer Güçyeter në SINTRAK: Letërsia përballë një Europe të pasigurt

SINTRAK, festivali i parë i Letërsisë dhe Koreografisë Bashkëkohore, nisi në Tiranë me Georgi Gospodinov si i ftuar nderi. Rita Petro dhe Dinçer Güçyeter sollën në panel poezinë përballë pasigurisë, identitetit, migrimit dhe konflikteve të kohës.

Në zemër të Tiranës ka nisur edicioni i parë i SINTRAK, Festivalit të Letërsisë dhe Koreografisë Bashkëkohore, një nismë e "Zgjoi", Qendrës së Artit dhe Librit, e cila për tri ditë, më 17, 18 dhe 19 shtator, sjell në një hapësirë të përbashkët poetë, shkrimtarë, përkthyes, artistë dhe të rinj, duke e vendosur poezinë në dialog me letërsinë, përkthimin dhe kërcimin bashkëkohor. 


Festivali zhvillohet me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Traduki dhe Fibank Albania, në bashkëpunim me Teatrin e Kukullave dhe Shkollën e Baletit, ndërsa hyrja në të gjitha aktivitetet është e lirë. 


Hapja e festivalit u shënua nga fjala përshëndetëse e kuratoreve Milena Selimi dhe Ana Kove, të cilat mirëpritën të pranishmit dhe falënderuan institucionet, partnerët dhe të gjithë ata që bënë të mundur këtë edicion të parë, duke prezantuar një program ku poezia nuk qëndron e veçuar, por takohet me trupin, lëvizjen, zërin dhe përkthimin. 


Në këtë pikë, SINTRAK kërkon të krijojë një hapësirë ku letërsia të mos jetë vetëm një tekst i lexuar, por një përvojë që mund të dëgjohet, të përkthehet, të diskutohet dhe të marrë formë edhe përmes koreografisë, ide që u konkretizua që në hapjen e festivalit përmes performancës së nxënësve të Shkollës së Baletit në Tiranë, të cilët sollën në skenë një interpretim të bukur, duke e shndërruar poezinë dhe fjalën letrare në lëvizje e emocion.


Një nga momentet më të rëndësishme të hapjes ishte prania e shkrimtarit bullgar Georgi Gospodinov, i ftuari i nderit i edicionit të parë të SINTRAK. Fitues i International Booker Prize 2023 me romanin “Time Shelter”, Gospodinov është shkrimtari i parë bullgar që ka marrë këtë çmim, ndërsa për lexuesin shqiptar vepra e tij njihet edhe përmes romanit “Fizika e Trishtimit”, sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese Albas, me përkthim të Milena Selimit.


Në fjalën e tij hapëse, Gospodinov u kthye te fillesat e artit, te njerëzit që mblidheshin rreth zjarrit për të treguar histori, për të vallëzuar dhe për të krijuar një ndjenjë bashkësie. “Mbledhja e njerëzve për një histori, një poemë ose një kërcim është diçka e lashtë, një nga ngjarjet më të hershme në historinë e njerëzimit”, tha ai, duke e lidhur këtë traditë me misionin e SINTRAK.


Për shkrimtarin, letërsia është edhe një mënyrë për të përballuar frikën. Duke kujtuar një makth të përsëritur të fëmijërisë, ai tregoi se shkrimi i parë ishte përpjekja për ta hedhur atë frikë në letër. “Pasi e hodha në letër, makthi nuk m’u kthye më kurrë. Por as unë nuk e harrova kurrë. Ky është çmimi”, u shpreh Gospodinov, për të përmbledhur më pas: “Për të zbutur frikërat tona.”


Duke vlerësuar krijimin e SINTRAK në një kohë konfliktesh dhe përçarjesh, ai e cilësoi festivalin një “akt guximi” dhe “një koreografi të veçantë të të kuptuarit”. 


Në qendër të mesazhit të tij ishte fuqia bashkuese e letërsisë dhe komunikimit. “Frakturat brenda një shoqërie fillojnë me fraktura në mënyrën se si njerëzit komunikojnë brenda saj”, tha ai, ndërsa për poezinë shtoi: “Ajo ka për qëllim të zgjojë qenien njerëzore brenda qenies njerëzore. Letërsia është një antidot natyror ndaj helmit të propagandës.” 


Në një botë ku dhimbja dhe konfliktet nuk njohin më kufij, Gospodinov e veçoi edhe përkthimin si një urë mes njerëzve dhe kulturave. “Të duash të dëgjosh zërat e të tjerëve dhe historitë e tyre është diçka thellësisht njerëzore dhe e natyrshme”, tha ai, duke e mbyllur fjalën me thirrjen e Dylan Thomas: “Tërbim, tërbim kundër zhdukjes së dritës.”


Aktiviteti vijoi më pas me panelin e parë të festivalit me temën “Europa e Pasigurt, Poezia në një Botë Largësie dhe Konflikti”


Në bisedë u takuan shkrimtarja, poetja, autore e teksteve dhe botuesja Rita Petro, Poete Laureate e Shqipërisë (2025-2027), si dhe poeti, dramaturgu, redaktori dhe botuesi gjerman me origjinë turko-gjermane Dinçer Güçyeter, ndërsa diskutimin e drejtoi shkrimtarja, poetja dhe përkthyesja Ana Kove. 


Titulli i panelit u bë pikënisje për një bisedë që nuk mbeti vetëm te luftërat, kufijtë dhe pasiguria politike, por u zhvendos te pasiguria intime e individit përballë gjuhës, prejardhjes, identitetit, trupit dhe vendit ku jeton.

 

Dinçer Güçyeter, ishte i pranishëm për herë të parë në Tiranë; me një krijimtari të lidhur ngushtë me temat e migrimit, identitetit, familjes dhe kujtesës, në vitin 2022 ai u nderua me Peter-Huchel-Preis, një nga çmimet e rëndësishme për poezinë në gjermanisht, ndërsa në vitin 2023 fitoi Çmimin e Panairit të Librit në Leipzig në kategorinë e letërsisë artistike për romanin “Unser Deutschlandmärchen”. 


Në bisedën me Ana Kove, Güçyeter zgjodhi të lexojë një fragment nga “Përralla jonë gjermane”, vepra që u konceptua fillimisht si një poemë e gjatë dhe më pas mori formën e romanit. 


Pyetja e moderatores preku pikërisht kuptimin e kësaj “përralle”: kujt i përket ajo, familjes, brezit të emigrantëve, Gjermanisë apo të gjithë atyre që kanë ndërtuar jetën mes dy vendeve dhe dy botëve? 


Përgjigjja e Güçyeter u kthye te historia e familjes dhe veçanërisht te heshtja e grave. “Në shtëpinë mbizotëronte heshtja”, tha ai, duke treguar se pyetja që e ka shoqëruar ka qenë: “Si do të kishte qenë jeta jonë nëse këto gra do të kishin qenë të hapura me ne dhe jo të heshtura?”


Përmes librit, ai tha se është përpjekur të sjellë historinë e këtyre grave dhe, njëkohësisht, të kuptojë më mirë vendin ku ka lindur, Gjermaninë. 


Në këtë pikë, biseda kaloi natyrshëm te Poetja Laureate e Shqipërisë, Rita Petro dhe te romani i saj i parë, “Lindur së prapthi”, i nominuar për Çmimin Europian të Letërsisë 2024. Duke u ndalur te përvoja e saj krijuese dhe te temat e identitetit e lirisë, Petro tha se “Lindur së prapthi” ia ka kushtuar pesë grave të familjes së saj, duke e lidhur historinë e tyre me përpjekjen për të mbijetuar dhe ruajtur identitetin në një sistem komunist. 





“Gjithçka ndodh në një sistem komunist dhe se si mundesh jo vetëm të mbijetosh, por edhe të ruash identitetin, gjë që unë e kam trajtuar gjithmonë edhe në poezinë time, për lirinë e gruas”, u shpreh ajo. 


Për Petron, pyetja mbi lirinë e individit lidhet edhe me mënyrën se si shoqëria dhe institucionet ndërhyjnë në jetën e njeriut që nga lindja. Ajo solli si shembull poemën “Vrima”, ku fëmija pyet vazhdimisht “kush je ti?” dhe përballet me përgjigjet e mjekut, nënës, babait, mësuesit, punëdhënësit, gjykatësit e të tjerëve, derisa secili i thotë në forma të ndryshme: “tani je në dorën time”. 


Për Petron, kjo është edhe një mënyrë për të folur për individin që kërkon të fitojë hapësirën e vet të lirisë.

 

“Ne jemi mësuar t’u themi të rinjve që ‘ti je i lirë sepse je i ri’, por lirinë mundet ta fitojmë”, tha ajo, duke e lidhur veçanërisht këtë përpjekje me përvojën e grave dhe me kërkimin e një “zone” ku individi mund të zgjedhë rrugën e vet. 


Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte marrëdhënia mes poezisë dhe politikës. Pyetjes së Ana Koves nëse poezia politike mund të shndërrohet në parullë dhe çfarë do të thotë sot të shkruash politikisht, Rita Petro iu përgjigj duke e lidhur këtë me natyrën e secilit shkrimtar dhe me mënyrën se si politika ndërhyn në jetën e individit. 


“Ka poetë që na bëjnë poezi shumë të mira politike, ashtu siç ka poetë të cilët e shohin që, këtu unë fus edhe veten time, që nuk mund ta quaj veten poete politike, por ku e ndjej veten që politika ndërhyn shumë në jetën e individit dhe të komunitetit ku ne jetoj, unë them po”, tha ajo. 


Për të, edhe kur poeti nuk shkruan drejtpërdrejt poezi politike, përvoja e individit përballë padrejtësisë, lufta për liri dhe zgjedhja e rrugës personale mbartin një dimension të tillë. 


Güçyeter e pa pyetjen nga një tjetër këndvështrim, duke e lidhur poezinë me fuqinë e fjalës dhe me të tashmen. “Disa fjalë mund të plagosin, por të të çojnë edhe në qiell”, tha ai, duke shtuar se në veprat e tij “iluzionet janë sfondi, por reaksionet apo qëllimet janë gjithmonë, le të themi, me një prapavijë politike”.

 

Në vijim, Ana Kove u kërkoi dy autorëve të imagjinonin Evropën si një kopsht, jo si sistem, kufi apo institucion, dhe të tregonin se çfarë do të donin të rritej në të. 

Për Güçyeter, përgjigjja lidhej me përvojën e migrimit dhe me nevojën për të mos e humbur identitetin. Ai tregoi se para se të vinte në Shqipëri kishte kërkuar informacione për rajonin dhe ishte habitur nga fakti se në këtë hapësirë ndodhet një nga kampet më të mëdha të refugjatëve, i ndërtuar me fonde të Bashkimit Europian. 


Për një autor që mbart pas vetes historinë e tre brezave emigrantësh, kjo përvojë e bëri pyetjen mbi Evropën edhe më personale. “Dëshira ime është kjo, sigurisht që vlen edhe për Shqipërinë: që ne të mos synojmë të jemi Europa, por ne synojmë të jemi ne”, tha Güçyeter, duke shpjeguar edhe zgjedhjen e titullit “Përralla jonë gjermane”. Për të, fjala “jonë” është thelbësore, sepse historia nuk mund të shkëputet nga njerëzit që e kanë jetuar. 


Rita Petro e pa “kopshtin e Evropës” përmes një metafore më intime, atë të kopshtit të shtëpisë. “Me lule, me të gjitha llojet e luleve, me trëndafilat e dashurisë, por edhe me lulekuqet e kujtesës”, tha ajo, duke e lidhur këtë imazh me diversitetin dhe me aftësinë për të mbijetuar pa humbur ngjyrat.

 

“Ato janë shumë të bukura edhe ato, dhe që dinë të mbijetojnë shumë bukur dhe që dinë të ruajnë gjithë ngjyrat e tyre”, u shpreh Petro. 


Në mbyllje të panelit, Ana Kove iu kthye edhe një herë përkthimit, një prej shtyllave të vetë festivalit: “Dhe përkthimi është një mënyrë e fuqishme për të kaluar kufij: nga një gjuhë në tjetrën, nga një përvojë në tjetrën, nga një njeri te një tjetër.” 


Pas kësaj ajo solli një fragment të shkurtër nga epilogu  “Fatma” të Dinçer Güçyeter, për ta mbyllur panelin me një ide që në një farë mënyre përmbledh edhe frymën e SINTRAK: “Dhe ndoshta kjo është ajo që mund të bëjë letërsia: të na kujtojë se përtej të gjitha strukturave, ligjeve, statistikave dhe kufijve, ekziston ende njeriu, që kërkon të prekë dhe të preket, të flasë dhe të dëgjohet.” 


Me këtë ide, edicioni i parë i SINTRAK e vendos poezinë jo vetëm në qendër të një festivali letrar, por në një hapësirë më të gjerë dialogu mes arteve dhe njerëzve. 


Në një kohë kur fjalët shpesh përdoren për të ndarë, SINTRAK zgjedh t’i përdorë ato për të afruar: përmes poezisë, përkthimit dhe artit, përmes takimit të drejtpërdrejtë me autorët dhe përmes një audience që është e ftuar të mos mbetet vetëm dëgjuese, por pjesë e këtij dialogu. Festivali vijon më 18 dhe 19 shtator me poetë, panele diskutimi, punëtori përkthimi dhe performanca bashkëkohore nga nxënësit e Shkollës së Baletit. Hyrja është e lirë në të gjitha aktivitetet, duke e bërë këtë festival një ftesë të hapur për lexuesit, të rinjtë, artistët dhe të gjithë ata që duan ta takojnë poezinë jo vetëm në libër, por edhe në skenë dhe në bisedë.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

79 Lexime
6 orë më parë