OPINION

Gëzim Tushi: paspandemia, pikë kthese për sjelljen individuale, sociale e profesionale!

Në shkollë mësuesit duhet të kultivojnë një kulturë të re të mbrojtjes individuale e sociale apo kulturën e ngritjes së “digave” të natyrshme mbrojtëse të nxënësve dhe të vetes. Në shkollë është urgjente të vlerësohet nevoja e ridimensionimit ndryshe të sjelljes sociale dhe të etikës personale.

Pandemia e virusit COVID-19 pati ndikime të shumta dhe me natyra te diversifikuara në shoqërinë tonë. Qoftë në aspektin mjekësor dhe teknik por dhe në ndryshime të dukshme në mënyrën e sjelljes dhe moralit të shoqërisë tonë. Sepse virusi e ka vendosur shoqërinë shqiptare, por jo vetëm atë, në një zonë shumë të ndërlikuar të ekzistencës, sepse ajo si sëmundje e panjohur më parë, dinake e agresive po shoqërohet me shfaqjen e problemeve të reja të sjelljes individuale, profesionale e natyrisht edhe të sjelljes sociale. Në mënyrë sintetike kjo do të thotë se do të ndryshojnë paradigmat dhe parametrat e sjelljes sociale dhe mënyrave të realizimit të marrëdhënieve profesionale. 


Në të gjithë sferat e jetës, të institucioneve të sigurisë morale apo me natyrë abstrakte, në administratë, shkolla, spitale, institucione të riedukimit po ndodhin ndryshime që e bëjnë të domosdoshme dhe të dobishme fillimin e një Dialogu te Madh social. Sepse me sa duket është bimperative, urgjente, e domosdoshme ndryshimi i Kodit Etik dhe Deontologjisë së lidhjeve dhe marrëdhënieve midis administratës dhe punonjësve, mësuesve dhe nxënësit, mjekut dhe pacientit. E para dhe mbi të gjitha është të mësojmë të ruajmë distancat e jetës private, fizike e sociale si zona me rëndësi të madhe personale për jetën. 


Kjo do të thotë se me siguri që do të ndryshojë tipologjia e formave të vjetra të socialitetit dhe ndërtimit të bashkësisë në këto institucione. Sidomos në shkollë dhe marrëdhëniet mësues nxënës. Sepse në shkollë dhe marrëdhëniet brenda saj janë më shumë të pranishme rrisqet me përmasa të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë që në shkollë mësuesit duhet të kultivojnë një kulturë të re të mbrojtjes individuale e sociale duke kultivuar kulturën e ngritjes së digave të natyrshme mbrojtëse të nxënësve dhe të vetes. Në shkollë është urgjente të vlerësohet nevoja e ridimensionimit ndryshe të sjelljes sociale dhe të Etikës Personale të nxënësve dhe mësuesve, duke nxitur ndryshime edhe të ngadalshme por dhe të menjëhershme. 


Kjo dialektikë e ndryshimit të sjelljes dhe marrëdhënieve të reja mësues nxënës është imperative. Kjo do të thotë se institucionet sociale sikurse janë shkollat, spitalet, institucionet e dënimit duhet të vihen në dispozicion të një shoqërie të re paspandemike e cila me sa duket duhet të jetë e koordinuar në gjithçka.


Shkolla duhet të ndikojë kulturalisht në ndryshimin dhe ridiemnsionimin e konceptit të qejfit rinor të natyrshëm moshor, por duke e shmangur atë nga kënaqësitë e parregullta e kaotike të rrugës dhe vanitetit. Padyshim që shkolla ka shumë vështirësi sepse duhet të përballet me qëllimet, sjelljet dhe biografinë emocionale të një numri të madh nxënësish me shije unike dhe sjellje shumë të personalizuara. Është e udhës që mësuesit dhe figurat e tjera profesionale në shkollë të ndihmojnë nxënësit që të administrojnë si duhet subjektivitetin e tyre, ritmin e situatave që kalojmë si kusht për të garantuar integritetin social dhe personalitetin e tyre individual.


Nxënësit tanë kanë nevojë për ndihmën e mësuesve për t’i mësuar si të zhvillojnë “betejat e vogla” individuale për të ditur si të mbrojnë shëndetin dhe të arrijnë suksesin individual. Ndihma për të kapërcyer një lloj hutimi e mpirje psiko-sociale të nxënësve dhe mësuesve, besoj se mbetet një imperative e shkollës në këto moment. Shkolla është përballë një detyre të madhe strategjike. Tani pas pandemisë ajo duhet t’u mësojë nxënësve të vërtetën se, kjo kohë vërtetoi që mbi çdo gjë, janë parimet e shëndetit dhe nxënësit duhet të largohen me vendosmëri nga disa mënyra sjelljeje që tani pas COVID-19 duket se e kanë humbur kuptimin e ekzistencës së tyre. Shkolla dhe mësuesit duhet të jenë në ballë të sulmit me disa zakone arkaike dhe çdo lloj psikovampiri që kërkon të thithë energjitë pozitive dhe të pengojë ecjen e të rinjve në rrugën e duhur. Nxënësve duhet t’u mësojmë në shkollë që të respektojnë një gjeografi të re hapësinore dhe një algjebër mendore ndryshe. Si domosdoshmëri për tu përshtatur dhe mbrojtur nga këto rreziqe te reja…



Gëzim TUSHI, Sociolog

Mjeshtër i Madh



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,185 Lexime
3 vjet më parë