Çmimet Kombëtare të Letërsisë

Granit Zela fiton çmimin si përkthyesi më i mirë i vitit 2020 me librin “Lepur vrapo”

Fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë, për vitin 2020 në kategorinë “Përkthimi më i mirë i vitit” është shpallur përkthyesi Granit Zela me librin "Lepur, vrapo", botim i Albas.

Çmimi kombëtar i letërsisë për kategorinë “Përkthimi më i mirë” i është dhënë përkthyesit Granit Zela, me librin “Lepur vrapo” (John Updike). 


Mes kandidatëve për këtë çmim, Granit Zelës i është dhënë ky çmim me motivacionin: “Për shqipërimin mjeshtëror, duke sjellë me realizëm dhe forcë emocionale përmbajtjen dhe ngarkesën figurative të origjinalit, karakteret dhe botën e tyre të brendshme, ku “realja” njësohet me imagjinaren, përmes një fondi të pasur fjalori me saktësi të lartë semantike dhe kulturë gjuhësore, por gjithmonë besnik i veçorive stilistike dhe i shestimeve të shkrimtarit”.

Përkthyesi Granit Zela 

Juria e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë përbëhej nga z. Mehmet Kraja (kryetar) dhe anëtarët znj. Elda Gjana, z. Ylljet Aliçka, z. Ardian Ndreca dhe z. Shezai Rrokaj. Kjo juri ka nisur punën e saj që në shkurt të vitit 2021, duke shqyrtuar, sipas rregullores, të gjitha veprat e botuara në vitin 2020.


Anëtarët e jurisë, duke vlerësuar punën e autorëve për vitin 2020 kanë përzgjedhur 10 botimet më të mira për secilën kategori: “Proza më e mirë e vitit”; “Vëllimi poetik më i mirë i vitit”; “Vepra studimore/eseistike/publicistike më e mirë e vitit”; “Letërsia për fëmijë/të rinj më e mirë e vitit”; “Përkthimi më i mirë i vitit”. Sipas Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) kjo renditje është bërë sipas rendit alfabetik.


Çmimet Kombëtare të Letërsisë 2020


Çmimi për librin më të mirë studimor:

Artan Fuga, “Origjinat”, botimet “Papirus”


Çmimi për librin më të mirë për fëmijë:

Persida Asllani, “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”, botimet “Pegi”


Çmimi për vëllimin më të mirë poetik:

Bardhyl Londo, “Prill i hidhur”, botimet “Onufri”


Çmimi për përkthimin më të mirë:

Granit Zela, “Lepur vrapo” nga John Updike, botimet “Albas”


Çmimi për librin më të mirë në prozë:

Flutura Açka, “Biri”, botimet “Skanderbeg books”


Çmimet Kombëtare të Letërsisë, të krijuara prej vitesh nga Ministria e Kulturës, si edhe të kthyera tashmë në një traditë, janë aktiviteti më i rëndësishëm në gjykimin e vlerave letrare të një viti. 

Foto nga ndarja e çmimeve, 20 dhjetor 2021

Nanila Allkja Biçaku

© Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,570 Lexime
2 vjet më parë