TAKIM LETRAR

“I keqi i vetes”, Klubi i Librit i PNL takim me shkrimtarin Gazmend Kapllani

Klubi i Librit i shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi” ka zhvilluar një takim me shkrimtarin Gazmend Kapllani për të bashkëbiseduar për librin e tij të suksesshëm “I keqi i vetes”. Për ta ky ishte një aktivitet tepër mbresëlënës jo vetëm letrar.

Në mjediset e bibliotekës së gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, Klubi i Librit të kësaj shkolle, ka zhvilluar një takim sa letrar, aq edhe frymëzues për artin e të jetuarit. 


Nxënësit e këtij klubi patën mundësinë të bashkëbisedojnë nga afër me shkrimtarin Gazmend Kapllani për veprën e tij të suksesshme “I keqi i vetes”. 


Romani, i përkthyer në dhjetë gjuhë të botës deri më sot dhe i vlerësuar nga kritika perëndimore, lexohet me një frymë e që për nga temat që trajton, ndër më të dhembshmet e aktuale të historisë së Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës, mbetet universal. 


Për shkrimtarin ky takim me të rinjtë ishte tepër i veçantë, krahasuar me shumë promovime të mëparshme që i janë bërë veprës. 


“Në këtë takim mora një overdosë bukurie mendore nga nxënësit e gjimnazit ‘Petro Nini Luarasi’. Një diskutim i mrekullueshëm me ta për letërsinë, imagjinatën, artin e shkrimit dhe artin e jetës. Me la mbresa kërshëria, mprehtësia dhe pyetjet e mrekullueshme e intriguese. Falënderim të veçantë mësueses së letërsisë, Oriana Osmani Moja dhe mikes dhe botueses sime Rita Filipi për organizimin e takimit dhe bashkëbisedimin” – u shpreh për Portalin Shkollor shkrimtari Kapllani.


Ndërsa botuesja e ALBAS, Rita Filipi tha se: “Ishte vërtet një kënaqësi ky takim. Nxënësit na befasuan me pyetjet e tyre”. 

Takime të tilla letrare të nxënësve të Klubit të Librit të PNL janë të shpeshta. Në këto aktivitete ata kanë mundësi të njohin nga afër autorë të ndryshëm dhe veprat e tyre më të mira. 


“Letërsia nuk të zgjidh problemet, por ajo pak nga pak, te hap dyer të pahapura, të ofron modele, të cilat ti i shikon, i analizon, i pëlqen, i refuzon, i lufton e në fund kupton shijen e ëmbël të saj!”- u shpreh mësuesja e letërsisë Oriana Osmani . 

                                                            

(Për të mësuar më tepër rreth romanit “Ikeqi i vetes” ju mund të klikoni në këtë link: http://www.portalishkollor.al/news/i-keqi-i-vetes )




(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

703 Lexime
5 muaj më parë