TESTE

Teste për vetëkontroll dhe teste për vetëvlerësim

Ky është një material jo i printuar, i dalë nga shtëpia botuese ALBAS, i cili u vjen në ndihmë mësuesve që të njohin dhe të përdorin sa më mirë dokumentacionin shkollor, veçanërisht atë që bën fjalë për të nxënit me kompetenca.

Ky material, i cili nuk është i printuar si libër, por është në formatin PDF (të cilin mund ta shkarkoni më poshtë dhe ta printoni vetë), do t’u shërbejë mësueseve dhe mësuesve që do t’u nënshtrohen testimeve pas trajnimeve, për testimet për të marrë shkallët e kualifikimit dhe për ata që do t’i nënshtrohen provimit  të portalit “Mësues për Shqipërinë”.


Material në ndihmë të formimit profesional të mësuesve të arsimit parauniversitar

Arsimi Parashkollor

Arsimi Fillor

Arsimi i Mesëm i Ulët

Arsimi i Mesëm i Lartë


Material në ndihmë të mësuesve/eve që do t’u nënshtrohen provimeve. Në këtë material do të gjeni një seri testesh, që do të ndihmojnë mësueset e mësuesit për t’u njohur me dokumentet bazë të kurrikulës të bazuar mbi kompetencat. 


Këto teste janë të një lloji të veçantë, kontribut i kërkimit shkencor të autorit Dr. Bajram Salianji në fushën e vetëkualifikimit të mësuesve.Përmbajtja e këtyre testeve bazohet në përzgjedhjen e disa fragmenteve nga kurrikula zyrtare, duke u ndalur te:

  1. Korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar të Republikës së Shqipërisë
  2. Kurrikula Bërthamë e arsimit fillor
  3. Kurrikula Bërthamë e arsimit të mesëm të ulët
  4. Kurrikula Bërthamë e arsimit të mesëm të lartë.


Ky material u vjen në ndihmë të gjithë mësuesve/eve për të katër nivelet e arsimit duke përfshirë këtu edhe mësueset e kopshteve. Formimi profesional, nëpërmjet këtyre modeleve testesh, do të ndikojë si në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, edhe për t’iu ardhur në ndihmë mësuesve që do t’u nënshtrohen disa tipash provimi, si: provimi pas disa seancash trajnimi, provimi për marrjen e shkallëve të kualifikimit, si dhe provimi për portalin “Mësues për Shqipërinë”. Këta tipa testesh shërbejnë si situata të të nxënit dhe, si të tilla, ato përbëjnë mjete efikase për përvetësimin e përmbajtjeve të dokumenteve të sipërpërmendura. Si të tilla ato motivojnë mësuesit për t’u njohur më gjerësisht me përmbajtjet e materialeve bazë ku mbështetet kurrikula shkollore.



Çfarë përmban konkretisht ky material dhe për çfarë shërben ai?


Nëpërmjet testeve synohet që të jepet një ndihmesë për njohjen e përmbajtjeve të disa prej dokumenteve kurrikulare, pjesë përbërëse e kurrikulës së re shkollore, të bazuar në kompetencat. Artikujt testues të këtyre testeve, janë përzgjedhur nga dokumentet kurrikulare të hartuara apo të miratuara nga institucionet e larta të arsimit si dhe ligjin për sistemin arsimor parauniversitar. Për secilën temë janë shënuar edhe referencat, që tregojnë burimin e materialeve të përdorura për përpilimin e secilit prej testeve. 

Ndryshe nga shumica e rasteve, ku jepen përgjigjet e testeve, në këto modele testesh që po ju paraqitim, përgjigjet do t’i shkruajë vetë mësuesi/ja. Kështu ai/ajo do të provojë njohuritë e veta mbi përmbajtjet e këtyre materialeve. Kjo është edhe arsyeja e emërtimit të tyre: Teste për vetëvlerësim. Mund të ndodhë që disa përgjigje, mësuesi/ja t’i plotësojë saktë, në tabelën e vendosur në fund të secilës nga temat. Disa të tjera do t’i plotësojë duke qenë dyshues për “alternativën” që shënon në tabelë dhe për disa nuk mund të jetë në gjendje të japë përgjigje. Për dy rastet e fundit, mësuesi/ja i rikthehet leximit të dokumentit kurrikular. Për këtë shfrytëzon rubrikën: “Referenca” të shënuar në fund të secilës prej temave. Kjo gjetje është në koherencë me thelbin e reformës sonë arsimore, ku nxënësi/ja i ndërton vetë njohuritë e tij/e saj dhe njëherit zhvillon kompetenca.

Për këtë ai bazohet në situatat e të nxënit. Duke e parë në këtë kontekst, edhe për rastin e mësuesit në kushtet përvetësimit të përmbajtjeve të kurrikulës së re, testet e paraqitura në këtë material shërbejnë si situata të nxënies. Kjo analogji besoj se nuk është thjesht nga ana formale. Nga ana tjetër, kjo gjetje përbën një kontribut modest në angazhimin për kërkimin shkencor në fushën e formimit e të vetëformimit profesional të mësuesve e të mësueseve që janë në sistem, si dhe të atyre që do të bëhen pjesë e tij, nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”. Po kështu, duke i përdorur këto lloje testesh edhe për nxënësit, ato mund të shërbejnë për pasurimin e pedagogjisë, në kushtet e kurrikulës së bazuar mbi kompetencat. 


"Dhe, së fundi, e shoh të arsyeshme të përsërit një fakt të njohur nga të gjithë se njohja deri në perfeksion e përmbajtjeve të dokumenteve kurrikulare, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së mësimdhënies nga mësuesit", thotë autori Dr. Bajram Salianji në hyrje të botimit.


Më poshtë gjeni në formatin PDF materialin e plotë për sa u tha më lartë.

(Autori, Dr. Bajram Salianji; PortaliShkollor) 

101,212 Lexime
4 vjet më parë