Reflektim

Inteligjenca Artificiale në mësimdhënie – A duhen modelet për fëmijët, apo trajnime për ne të rriturit?

Nanila Allkja Biçaku, gazetare dhe nënë, reflekton mbi rolin e prindërve e mësuesve në epokën digjitale. Ajo thekson se fëmijët mësojnë nga sjellja jonë, jo nga teoritë, dhe se edukimi për teknologjinë nis me përdorim të vetëdijshëm nga të rriturit.

Nga Nanila Allkja Biçaku, gazetare e arsimit dhe nënë


Jetojmë në një kohë ku termat “AI”, “botë digjitale”, “platforma online” janë bërë pjesë e fjalorit të përditshëm, madje edhe për fëmijët tanë. Djali im është 6 vjeç. I zgjuar, i çiltër dhe gjithmonë kureshtar. E sheh botën me një natyrshmëri që, ndonjëherë, më lë pa fjalë. Më sheh shpesh me celular në dorë, duke punuar, duke kërkuar, duke lexuar. Më sheh edhe kur jam me laptop në prehrin tim, ose kur më viziton në zyrë dhe më kap në ndonjë moment kërkimi në Google, duke shkruar në ndonjë dokument, ose duke folur me ndonjë koleg/e përmes një platforme që ai e quan thjesht “chat”. E gjitha kjo për të është normale. 


I njeh termat “Google”, “Pro”, “ChatGPT”, “YouTube”, “Tach”,“TikTok”, “Instagram”, “Facebook” etj., etj., – si të ishin pjesë e alfabetit të përditshëm. Nuk i ka mësuar nga ndonjë libër, se ende nuk është në shkollë, por i ka kapur nga ambienti, nga unë, nga bota përreth. Dhe kjo më vë përballë një pyetjeje, që më bën shpesh të ndalem: Në këtë epokë të re teknologjike, kush ka më shumë nevojë për orientim? Fëmijët tanë apo ne?


Si gazetare, që tashmë prej vitesh merrem me arsimin, e shoh çdo ditë se si Inteligjenca Artificiale po futet në mësimdhënie, herë si ndihmës i heshtur, herë si modë që të gjithë duan ta provojnë pa e kuptuar mirë. Por përtej pyetjes “a duhet ta përdorim IA-në në shkolla?”, mua më lind një tjetër pyetje më thelbësore: A dimë ne si ta përdorim me përgjegjësi dhe mendim kritik këtë mjet të ri? Nuk e kam fjalën vetëm për mësuesit, por edhe për prindërit. Ne që duam më të mirën për fëmijët tanë, por shpesh ndiejmë që po na ikën koha për t’u përditësuar, që mbetemi të pasigurt, që ulim kokën e nuk e pranojmë që ndonjëherë nuk e kuptojmë dot aq shpejt sesa ata, atë që po ndodh.


A janë fëmijët “sfungjeri” i informacioni apo pasqyra e sjelljes sonë?


Më shumë sesa një kurs teknologjie, fëmija ka nevojë për një të rritur që di të orientohet në botën digjitale. Dhe nuk ka udhëzim më të fortë sesa sjellja jonë. Nëse djali im më sheh të zhytem në një kërkim në Google, por më pas nëse do t’i shpjegoj se si e analizoj informacionin dhe pse e zgjedh një burim e jo një tjetër – ai do të mësojë më shumë sesa nga çdo mësim teorik. Nëse më sheh të përdor ChatGPT për të organizuar një artikull, por do më dëgjojë t’i vë në dyshim disa përgjigje dhe të bëj kërkime shtesë – ai kupton se edhe Inteligjenca Artificiale ka kufijtë e saj. Sot, përpara se të pyesim “a janë fëmijët gati për IA-në?”, duhet të pyesim veten: A jemi ne modelet që duam ata të kenë? Sepse realiteti është ky: fëmijët nuk i mësojnë zakonet e përdorimit të teknologjisë nga programet shkollore, por nga ne.


Po shkolla, a është gati për këtë epokë?


Shkollat në Shqipëri ende po përballen me sfida bazike të teknologjisë në mësimdhënie. Në disa shkolla ende mungon interneti i qëndrueshëm apo pajisjet. Në të tjera, përdorimi i IA-së shihet më shumë si “trend” për t’u përmendur në dokumente, sesa si mjet i integruar në të menduarit kritik. Ose më keq akoma, me një rol negativ dhe çorientues. Çfarë do të thotë IA në mësimdhënie në praktikë? Do të thotë të mësosh nxënësit të bëjnë pyetje të zgjuara. Të dallojnë informacionin e saktë nga manipulimi. Të përdorin IA-në për të ndërtuar diçka të vetën, jo për të marrë një përgjigje gati. Dhe kjo kërkon një transformim të thellë, jo vetëm të trajnimeve, por edhe të vetë filozofisë mësimore.


Çfarë trajnimesh duhen për prindërit dhe mësuesit?


Kemi nevojë për trajnime që nuk u mësojnë mësuesve thjesht "si të përdorin një mjet", por si të zhvillojnë etikën e përdorimit, si të diskutojnë me nxënësit për rreziqet e manipulimit të informacionit, për privatësinë, për varësinë ndaj pajisjeve. Kemi nevojë për prindër që kuptojnë se “një video e TikTok-ut” nuk është vetëm argëtim e kohë e humbur, por një formë komunikimi që fëmija po e mëson më shpejt se ne. Dhe se për ta drejtuar, duhet të jemi prezent, jo të tërhequr. Fëmijët janë më të shpejtë se ne për t’u përshtatur. Por janë më të ngadaltë në të kuptuarin. Dhe aty hyjmë ne. Ne nuk mund t’i largojmë fëmijët nga teknologjia. Por mund t’u mësojmë si të qëndrojnë njerëzorë në një botë gjithnjë e më digjitale. Dhe këtë nuk mund ta bëjmë, nëse vetë nuk e jetojmë në aspektin e një vlere. 


E ardhmja e arsimit nuk është vetëm në dorën e algoritmeve, por në mënyrën si ne e përdorim teknologjinë për të qenë më të mirë si njerëz, si mësues, si prindër. Dhe mbi të gjitha, si modele që fëmijët tanë kanë përballë çdo ditë. Djali im e di kur unë punoj nga shtëpia. E sheh laptopin tim si një mjet pune, njësoj si unë. Nuk më ndërpret, nuk më kërkon me fjalë, më kërkon me përqafim. Ajo është shkëputja jonë. Dhe ai përqafim, ajo ngrohtësi, ai moment i pazëvendësueshëm, është diçka që asnjë teknologji, asnjë algoritëm, asnjë inteligjencë artificiale nuk mund ta riprodhojë. E kupton natyrshëm që teknologjia është aty, por praninë time e kërkon më shumë se çdo ekran. Dhe kjo është ajo që më kujton çdo ditë se çfarë ka vërtet rëndësi.


Jam në fillim të kësaj rruge si nënë dhe si profesioniste që kërkon të kuptojë më mirë këtë epokë të re. Nuk kam të gjitha përgjigjet, por di që dua të jem aty, krah për krah me djalin tim, për t’i treguar që bota digjitale nuk është armik, por një mjet që duhet ta zotërojmë me mençuri, jo të na zotërojë. Dhe këtë rrugë dua ta ndjekim së bashku: unë, prindërit, mësuesit, dhe të gjithë ata që duan të jenë modele të vërteta për fëmijët tanë. Sepse fëmijët tanë nuk kanë nevojë për një botë të përsosur, por për modele njerëzore të vërteta.


A jemi gati të jemi ne modeli që duam që fëmijët tanë të ndjekin? :)



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,725 Lexime
2 javë më parë