Intervistë me Dr. Alma Dema: Letërsia nuk formon vetëm mendjen, por edhe botën emocionale të fëmijës
Në intervistën për Portalin Shkollor Albas, Dr. Alma Dema flet për librin “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional”, rolin e letërsisë në formimin emocional të fëmijës dhe nevojën që shkolla të edukojë jo vetëm mendjen, por edhe botën e brendshme të nxënësit.
Ka njerëz të dijes që zgjedhin të jenë të pranishëm jo përmes zhurmës së ekranit, por përmes peshës së mendimit, qetësisë së fjalës dhe seriozitetit të punës së tyre. Dr. Alma Dema është një prej tyre. Pedagoge prej vitesh në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, studiuese e letërsisë, antropologjisë kulturore dhe botës emocionale të fëmijës, ajo i përket atij brezi akademikësh që ende besojnë se arsimi nuk është vetëm dije, por edhe formim shpirtëror e njerëzor.
Në librin e saj më të fundit “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional”, Dr. Dema sjell një temë sa delikate, aq edhe të munguar në diskutimin tonë publik: rolin që ka letërsia në ndërtimin e botës së brendshme të fëmijës. Në një kohë kur fëmijët rriten mes ekranesh, ritmesh të shpejta dhe emocionesh të pathëna, ajo rikthen vëmendjen te libri si strehë, si dialog dhe si mënyrë për të kuptuar veten.
“Letërsia ka fuqinë të formojë jo vetëm mendjen, por edhe botën e brendshme të fëmijës”, thotë ajo në këtë intervistë, ku rrëfen jo vetëm si studiuese, por edhe si pedagoge dhe nënë. Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron forca e këtij libri: te përpjekja për ta parë fëmijën jo thjesht si nxënës që duhet të marrë njohuri, por si një qenie emocionale që ka nevojë të dëgjohet, të kuptohet dhe të rritet me ndjeshmëri.
Në këtë bisedë për Portalin Shkollor Albas, Dr. Alma Dema ndalet te sfidat e shkollës sot, marrëdhënia e brezit të ri me leximin, roli i mësuesit dhe nevoja urgjente për më shumë edukim emocional në klasë. Sepse, siç shprehet edhe vetë ajo në një nga frazat më domethënëse të intervistës: “fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për mësues që u mësojnë të lexojnë librat, por për mësues që i ndihmojnë të lexojnë veten dhe botën përmes letërsisë”.
Intervistoi: Nanila Allkja Biçaku
Znj. Dema, ju keni një profil akademik të konsoliduar dhe një rrugëtim të gjatë në universitet dhe kërkim shkencor. Kur shikoni këtë rrugë nga sot, çfarë ju duket më thelbësore në atë që keni ndërtuar si studiuese: temat që keni zgjedhur, apo mënyra si i keni parë ato?
Fillimisht, Ju falënderoj për vëmendjen dhe kohën që po i dedikoni profilit im dhe studimit tim më të fundit! E vlerësoj pa masë!
Janë mbi dy dekada si lektore universitare dhe mes kurseve që kam lektuar, studimeve dhe punimeve, temave të mentoruara,mund të them që më është mprehur shqisa e argumentimit, gjykimit dhe dyshimit. Përpiqem të jem e thellë e saktë dhe e qartë në atë që duhet të them, sepse temat janë të diskutueshme dhe të prekshme nga të gjithë.Mënyra, besoj duhet të jetë autentike dhe e plotë.
Në punën tuaj vihet re një vijë e qartë lidhjeje mes kulturës, antropologjisë dhe letërsisë. Çfarë e mban të bashkuar këtë ndërthurje në mendimin tuaj akademik?
E kam për kënaqësi të them, që jam rritur në një mjedis me përralla, mite, legjenda, tradita e zakone autoktone, të cilat më kanë ushqyer që fëmijë dashurinë e pamasë për vendin, gjuhën dhe kulturën tonë. E gjitha kjo më ka brumosur bindjen se mënyra më e mirë e studimit të kulturës dhe etnokulturës së një vendi, është ndërmjet letërsisë.
Në librin tuaj më të fundit “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional” ju prekni një dimension shumë të ndjeshëm: emocionin në edukim. Pse mendoni se edukimi emocional mbetet ende një “zonë gri” në shkollën tonë?
Më parë, mendoja se edukimi emocional në shkollën tonë ishte një “zonë gri”, por tashmë jam e bindur sepse sistemi arsimor, tradicionalisht ka qenë më i përqendruar te dijet akademike sesa te zhvillimi emocional i fëmijës. Shpesh suksesi matet me nota, rezultate dhe përmbushje programi, ndërsa emocionet konsiderohen si diçka dytësore privateose intime. Në të vërtetë, fëmija nuk mëson vetëm me mendje dhe inteligjencë, por edhe me ndjeshmëri dhe emocione.
Së dyti, theksoj mungesën e formimit të mjaftueshëm të mësuesve për të trajtuar dimensionin emocional në klasë. Shumë mësues ndihen të pasigurt për mënyrën sesi duhet apo mund të flasin për frikën, humbjen, ankthin apo vetëvlerësimin, sidomos në kulturën tonë, ku emocionet shpesh janë parë (a shihen!) si shenjë dobësie dhe jo si pjesë natyrore e zhvillimit njerëzor.
Pikërisht, këtu, letërsia e mirë për fëmijë luan një rol të jashtëzakonshëm. Ajo krijon një hapësirë të sigurt ku fëmijët mund të njohin emocionet e tyre përmes personazheve dhe ngjarjeve. Një libër i mirë, i shkruar nga një shkrimtar i vërtetë për fëmijë, mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojë se frika, trishtimi, dështimi apo humbja nuk janë përvoja individuale, por pjesë e jetës njerëzore. Letërsia nuk edukon vetëm lexues, por edhe njerëz emocionalisht më të vetëdijshëm dhe më empatikë. Prandaj mendoj se edukimi emocional nuk duhet parë si një “aneks” në shkollë, por si një pjesë themelore e vetë procesit edukativ.
Në studimin “Letërsia për fëmijë dhe edukimi emocional”, përveç trajtimit teorik dhe pedagogjik, mësuesit gjejnë modele të gatshme sesi aplikohen idetë e veprave të marra në shqyrtim qoftë në AMU qoftë në AML qoftë në gjimnaz! Kështu, "Princi i vogël", vjen i shoqëruar me aparatin e didaktikës së letërsisë sesi duhet trajtuar dhe aplikuar tema, ideja dhe mesazhet në AMU dhe si në AML.
Si e përkufizoni sot një fëmijë që rritet mes teknologjisë, informacionit të shpejtë dhe gjithnjë e më pak përqendrimi? Çfarë i mungon më shumë në raport me letërsinë?
Fëmija i sotëm, pashmangshmërisht, po rritet në një realitet shumë më të pasigurt, më të shpejtë, më të ngarkuar me informacion dhe më vizual sesa brezat e mëparshëm. Ai është, fatkeqësisht, vazhdimisht i ekspozuar ndaj ekranit, imazheve, videove të shkurtra dhe stimujve të menjëhershëm. Kjo e aftëson në përpunimin e shpejtë të informacionit, por njëkohësisht ia vështirëson përqendrimin, durimin dhe aftësinë për t’u ndalur dhe për të reflektuar.
Mendoj se ajo që i mungon më shumë sot fëmijës në raport me letërsinë është koha e brendshme, pra ajo hapësirë e qetë ku imagjinata ndërtohet gradualisht. Letërsia kërkon të ndalosh, t’i japësh vëmendje, heshtje dhe ta përjetoshemocionalisht, ndërsa kultura digjitale, shpesh ecën mbi dy shina: shpejtësinë dhe fragmentarizmin.
Një tjetër pengesë që kthehet në mungesë është edhe moskontakti i thellë me përvojën emocionale të personazhit. Në rrjetet sociale apo përmbajtjet e shpejta, emocionet konsumohen menjëherë dhe harrohen po aq shpejt. Ndërsa letërsia, nga ana tjetër, e ndihmon fëmijën të njohë një emocion, ta kuptojë, ta përpunojë dhe ta lidhë me jetën e vet.Megjithatë, unë nuk e shoh teknologjinë si armik të letërsisë. Sfida jonë sot është të krijojmë ura mes tyre: ta bëjmë librin akoma një përvojë të gjallë, emocionale dhe kuptimplote për fëmijën modern, sepse fëmijët vazhdojnë të kenë nevojë për histori,ngjarje, ndoshta më shumë se kurrë.
Shpesh thuhet se letërsia për fëmijë është “e thjeshtë”. Si e shihni këtë perceptim si studiuese e kësaj fushe? A është thjeshtësi apo kompleksitet i maskuar?
Ky është një nga paragjykimet më të vjetra ndaj letërsisë për fëmijë. Shpesh ajo quhet “e thjeshtë” sepse përdor një gjuhë më të qartë, personazhe të afërt me botën e fëmijës dhe rrëfime që duken të drejtpërdrejta. Por në të vërtetë, letërsia për fëmijë mbetet një nga format më komplekse të shkrimit.
Të shkruash për fëmijë nuk do të thotë të thjeshtëzosh mendimin, por të arrish thellësi përmes qartësisë. Një shkrimtar i mirë për fëmijë duhet të trajtojë tema shumë të mëdha si frikën, humbjen, vetminë, identitetin, drejtësinë, dashurinë, por pa humbur ndjeshmërinë dhe horizontin e moshës së lexuesit. Kjo kërkon jo pak, por shumë finesë artistike dhe psikologjike.Prandaj, do të thosha se kemi të bëjmë me një “kompleksitet të maskuar”. Pas një tregimi që duket i thjeshtë, shpesh fshihet një strukturë simbolike, emocionale dhe pedagogjike shumë e pasur, sepse fëmija e lexon historinë në njërin nivel, në të tijin, ndërsa i rrituri zbulon kuptime krejt të tjera.
Në këtë kontekst do të doja të thoja se letërsia për fëmijë ka një përgjegjësi më të madhe se letërsia për të rritur, sepse ajo ndikon në formimin emocional, etik dhe estetik të lexuesit në vitet më të ndjeshme të jetës dhe nga ana tjetër, e farkëton atë si lexues të rritur potencial. Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo nuk duhet nënvlerësuar si “letërsi e lehtë”, por vlerësuar si një art që kërkon mjeshtëri të veçantë.
Në përvojën tuaj me studentët dhe mësimdhënien universitare, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në mënyrën si brezat e rinj e kuptojnë emocionin dhe tekstin letrar?
Ajo që më bën përshtypje përditë, është se brezat e rinj janë emocionalisht shumë të ndjeshëm, por jo gjithmonë gjejnë dhe përdorin gjuhën e nevojshme për t’i emërtuar, shprehur dhe përpunuar emocionet e tyre. Ata reagojnë fort ndaj temave që lidhen me vetminë, ankthin, humbjen, identitetin apo pranimin social;si duket, përvoja shumë të pranishme në jetën e tyre, por në leximin e tekstit letrar, vihet re se studentët e sotëm kërkojnë autenticitet emocional. Ata lidhen më shumë me personazhe që janë të brishtë, kompleksë dhe njerëzorë sesa me modele të idealizuara apo idealizuese. Kur një tekst arrin të prekë një përvojë reale njerëzore, reagimi i tyre bëhet i thellë dhe i sinqertë.
Nga ana tjetër, konstatohet vështirësi në lexime të ngadalta dhe analitike. Kultura digjitale ka ndikuar në mënyrën sesi përthithet teksti: shpesh kërkohet shpejtësi, përmbledhje dhe ritëm të shpejtë. Por, pikërisht këtu, letërsia bëhet e rëndësishme, sepse ajo i mëson të rinjtë të ndalojnë, të interpretojnë, të dëgjojnë nuancat dhe të hyjnë në dialog me vetveten.
Ajo që më jep shpresë është fakti se, pavarësisht ndryshimeve të kohës, studentët vazhdojnë të preken nga letërsia kur ajo u flet me vërtetësi. Kjo tregon se nevoja për histori e ngjarje, për kuptim dhe për lidhje emocionale mbetet thellësisht njerëzore.
Sa i përgatitur është sistemi ynë arsimor për ta trajtuar fëmijën jo vetëm si nxënës, por si një qenie emocionale në zhvillim?
Do të doja të thoja që sistemi ynë arsimor ka filluar ta kuptojë rëndësinë e dimensionit emocional në edukim, por ai, akoma, nuk është i përgatitur për ta trajtuar fëmijën si një qenie emocionale në zhvillim. Në praktikë, shkolla vazhdon të mbetet kryesisht e orientuar drejt performancës akademike, rezultateve dhe përmbushjes së programeve, ndërsa aspekti emocional shpesh mbetet në plan të dytë. Fëmija ende shihet më shumë si “një nxënës që duhet të mësojë”, sesa si një individ që përjeton frikë, pasiguri, ankth, nevojë për pranim apo mbështetje emocionale. Kjo u bë veçanërisht e dukshme pas periudhës së Pandemisë, ndryshimeve të përditshme sociale dhe ndikimit të madh të teknologjisë në jetën e fëmijëve dhe të rinjve.
Ashtu siç u përpoqa ta them edhe më lart, mbetet akoma sfidë tjetër pa përgatitja e mësuesve. Shumë prej tyre kanë ndjeshmëri dhe përkushtim njerëzor, por jo mjetet dhe instrumentet e duhura pedagogjike apo psikologjike për të menaxhuar dimensionin emocional të klasës. Edukimi emocional kërkon kohë, trajnim dhe një kulturë shkollore që e konsideron mirëqenien emocionale po aq të rëndësishme sa arritjet akademike.
Në këtë kontekst, letërsia, arti dhe komunikimi i hapur në klasë mund të luajnë një rol kyç. Përmes historive, diskutimit dhe reflektimit, fëmija mëson jo vetëm të lexojë botën, por edhe veten. Dhe mendoj se kjo është një nga nevojat më urgjente të arsimit sot: të formojë jo vetëm nxënës të suksesshëm, por njerëz emocionalisht të ekuilibruar, empatikë dhe të aftë për të kuptuar tjetrin!
Ju keni zgjedhur një profil diskret në media, pavarësisht një karriere të gjerë akademike. A është kjo një zgjedhje e vetëdijshme për të mbrojtur punën nga zhurma e publikes?
Përgjithësisht, kjo është një zgjedhje e vetëdijshme. Besoj se puna akademike dhe kërkimi shkencor kanë nevojë për kohë, qetësi dhe reflektim, gjëra që jo gjithmonë përputhen me ritmin e shpejtë dhe ekspozimin e vazhdueshëm të medias sot. Kam preferuar që puna ime të flasë përmes librave, studimeve dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me studentët, më shumë sesa përmes pranisë së vazhdueshme publike. Kjo nuk do të thotë se media nuk ka rëndësi. Përkundrazi, mendoj se studiuesit duhet të jenë pjesë e debatit publik, sidomos kur bëhet fjalë për arsimin, kulturën dhe fëmijët. Por gjithmonë kam menduar se dukshmëria nuk është domosdoshmërish e barabartë me ndikimin. Ndonjëherë zëri më i qëndrueshëm është ai që ndërtohet me vazhdimësi, në heshtje dhe me seriozitet profesional.
Nga ana tjetër, jetojmë në një kohë ku ekziston rreziku që edhe puna intelektuale të ndikohet nga logjika e shpejtësisë, e imazhit dhe e reagimit të menjëhershëm. Për mua ka qenë e rëndësishme të ruaj një lloj distance nga kjo zhurmë, jo për t’u izoluar, por për të mbrojtur përqendrimin dhe autenticitetin e punës sime.
Në fund, mendoj se secili studiues zgjedh mënyrën e vet të komunikimit me publikun. Unë kam zgjedhur një prani më të matur, sepse besoj se disa tema, sidomos ato që lidhen me letërsinë, emocionin dhe edukimin, kanë nevojë më shumë për thellësi, sesa për “spektakël”.
Nëse do ta përmblidhnit me një ide thelbësore, çfarë do të donit që një kandidat mësues/ mësues të merrte me vete nga puna juaj kërkimore mbi letërsinë dhe edukimin emocional?
Do të doja që çdo mësuese apo kandidat për mësuese ta kuptonte se edukimi nuk është vetëm transmetim njohurish, por para së gjithash marrëdhënie njerëzore. Një fëmijë mëson në të vërtetë atëherë kur ndihet i dëgjuar, i kuptuar dhe emocionalisht i sigurt.
Nga puna ime kërkimore mbi letërsinë dhe edukimin emocional, mesazhi që do të doja të përcillja është se letërsia ka fuqinë të formojë jo vetëm mendjen, por edhe botën e brendshme të fëmijës.
Përmes historive, fëmijët mësojnë të njohin emocionet, të zhvillojnë empatinë, të kuptojnë dhimbjen e tjetrit dhe të ndërtojnë identitetin e tyre emocional e moral.
Nëse një mësuese përdor letërsinë vetëm për të analizuar figura letrare apo për të testuar njohuri, humbet një pjesë shumë të rëndësishme të potencialit të saj edukativ. Teksti letrar duhet të bëhet hapësirë dialogu, reflektimi dhe ndjeshmërie.Prandaj, nëse do ta përmblidhja me një fjali, do të thosha:
fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për mësues që u mësojnë të lexojnë librat, por për mësues që i ndihmojnë të lexojnë veten dhe botën përmes letërsisë!
Nga ana tjetër, është nevojë urgjente që secili mësues kandidat, por edhe mësuesit e rinj, ta shkruajnë dhe ta transmetojnë gjuhën shqipe në përputhje me të gjithë rregullat drejtshkrimore dhe shprehëse të saj, në respekt të simbolit tonë kombëtar dhe të punës së gjithkujt për ruajtjen, kodifikimin, lëvrimin dhe përdorimin e saktë të gjuhës mëmë.
Dhe në fund, si e shihni të ardhmen e fëmijës në shkollë (si profesore por edhe si mam e dy fëmijëve): më shumë të informuar, apo më shumë të kuptuar?
Besoj se sfida më e madhe e së ardhmes nuk do të jetë mungesa e informacionit, sepse fëmijët sot kanë akses në informacion më shumë se çdo brez tjetër, por mungesa e kuptimit, e lidhjes njerëzore dhe e sigurisë emocionale. Prandaj, shpresoj që fëmijët e së ardhmes të jenë jo vetëm më të informuar, por mbi të gjitha më të kuptuar.
Si pedagoge, e shoh çdo ditë se sa shumë ndikon tek një i ri fakti që dikush e dëgjon me vëmendje, e merr seriozisht dhe i krijon hapësirë për të shprehur veten. Ndërsa si nënë, e ndiej edhe më fort se fëmijët kanë nevojë jo vetëm për arritje dhe sukses, por për prani, dialog dhe mirëkuptim emocional.
Mendoj se shkolla e së ardhmes duhet të jetë një vend ku fëmija jo vetëm mëson matematikë, gjuhë apo teknologji, por edhe si të kuptojë emocionet, si të ndërtojë marrëdhënie dhe si të jetojë me empati në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar.
Në fund të fundit, informacioni mund të merret kudo. Por ndjeshmëria dhe perceptimi se je i kuptuar, i pranuar dhe i vlerësuar si njeri, shpesh fillon, në familje e më pas, në klasë. Dhe ndoshta kjo është forma më e rëndësishme e edukimit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Listat emërore për kandidatët e Provimit të Shtetit, sezoni XXI maj-qershor 2026
QSHA: Modele testesh për provimet e klasave të 9-ta