INTERVISTË

Kadri Cikaqi, studenti i dhjetës absolute: Me disiplinë ndaj vetes mund të arrish gjithçka

“Unë kam punuar shumë, kam qenë shumë i përkushtuar gjatë studimeve dhe kam hequr dorë nga shumë gjëra që ndoshta do të më sillnin kënaqësi të momentit”, kështu është shprehur intervistes për Portalin Shkollor Albas studenti nga Kosova Kadri Cikaqi, i cili përfundoi studimet me notën mesatare 10.00.

Jeta në universitet është pa dyshim më e vështirë se ajo e shkollës së mesme apo fillores: temat janë më të ndërlikuara, pritshmëritë për vetë-mësim janë shumë më të larta, ngarkesa akademike është më e madhe dhe shumë studentë përjetojnë mungesë të motivimit, posaçërisht kur lëndët nuk u ngjallin interesim. Por me punë e disiplinë arrihet shumë. Është rasti t’ju prezantojmë me studentin nga Kosova Kadri Cikaqi, i cili për të gjitha vitet e studimit ka arritur të sigurojë notën mesatare 10.00. Gjatë një interviste për Portalin Shkollor Albas ai ka rrëfyer dhe sekretin e suksesit të tij. 



Shumica e atyre që të njohin tashmë ose që kanë lexuar për ty e dinë se ju jeni ai djali fenomen me notën mesatare të studimeve 10.00. Pa dyshim një sukses i vërtetë. Por a mund të na tregoni pak më tepër për veten tuaj, jetën tuaj ndoshta? A keni qenë gjithnjë fëmija, nxënësi e studenti me arritjet më të larta? 


Unë jam Kadri (Shaqir) Cikaqi, jam 24 vjeç, i lindur në fshatin Dobërdelan, komuna e Suharekës. Jam fëmija i katërt në familje, djali më i vogël. Jetoj në Prishtinë dhe pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar këtu. Fëmijëria ime ka qenë si e të gjithë moshatarëve të mi, por mendoj se në fazën e pjekurisë ndryshova qasjen duke menduar ndryshe për jetën dhe duke vepruar ndryshe nga moshatarët e mi. Të them të drejtën gjithnjë kam qenë fëmija, nxënësi dhe studenti shumë kërkues, i përkushtuar dhe ambicioz duke pasur suksese të larta gjithmonë. 



Gjithë këtë aftësi mendoni se e keni të lindur apo të fituar?


Pyetje shumë e vështirë, mendoj se është më mirë ta ndaj në proporcion, 30% mendoj se e kam aftësi të lindur kurse 70% aftësi të fituar me shumë punë e angazhim.



Çfarë ju ka motivuar gjate këtyre viteve studimesh?


Mendoj se motivi më i madh ka ardhur nga sukseset e të tjerëve. Kur dikush arrinte diçka më shumë se unë, filloja të hidhërohesha me veten pasi mendoja se nuk kisha punuar me gjithë kapacitetin që kisha, sepse nëse do kisha punuar me gjithë kapacitetin, do të isha unë ai më i suksesshmi.



Si ishte një ditë e jotja nga mëngjesi deri në darkë, gjatë kohës kur ishe student? Çfarë bënit ju konkretisht për të menaxhuar kohën në mënyrë sa më cilësore?


Gjatë studimeve, isha i përkushtuar vetëm në mësime, mëngjesi fillonte në bibliotekë, nga aty përgatitesha për tërë ditën, ligjëratat i vijoja rregullisht dhe nuk mungoja asnjëherë të vetme. Dita ime mbaronte duke u stërvitur në futboll, pasi e kisha pasion. Orari i gjumit për mua ishte në orën 21:00, i çuditshëm për të tjerët, por unë e kisha bërë rutinë këtë orar.


Pjesa më e vështirë e jetës sime ka qenë gjithnjë menaxhimi i kohës. E kisha shumë të vështirë të ndaja kohë për gjithçka që doja. Fatkeqësisht duhej të lija shumë gjëra pa i realizuar, edhe pse i kisha shumë për qejf.



Pra daljet për qejf nuk i praktikonit shumë ndërkohë? 


Të them të drejtën shumë pak, kisha zgjedhur një jetë ndryshe nga të tjerët, por që nuk jam pishman aspak për këtë zgjedhje.



Për cilat lëndë keni qenë më i interesuar gjatë studimeve?


Lëndët që i kisha më shumë për qejf ishin Ekonometri dhe Statistikë Aplikative. Nëse në këto lëndë mësoja me orë të tëra pa pushim, nuk mërzitesha asnjëherë.



Çfarë roli apo ndikimi ka për ju një mësimdhënës në arritjet e një njeriu të suksesshëm në shkollë, universitet apo edhe jetë?


Këtu ndoshta do të gjykohem nga lexuesit për përgjigjen time. Mendoj se mësimdhënësi është i rëndësishëm vetëm në klasat 1-5 të ciklit fillor. Aty mësimdhënësi ka punën më të vështirë pasi nga angazhimi dhe sjelljet e tij varet se sa me qejf shkon në shkollë një fëmijë dhe se sa i hyn në zemër mësimi. Nga shkolla e mesme e ulët e tutje, edhe nëse mësimdhënësi angazhohet jo sa duhet, është nxënësi që me punën dhe përkushtimin e tij të arrijë çfarëdo që ai dëshiron.



A keni pasur ndonjëherë mosmarrëveshje me ndonjë profesor për notat tuaja? Nëse po cilat ishin arsyet?


Jo, asnjëherë. U jam mirënjohës për punën, angazhimin dhe sjelljet e tyre ndaj meje.



Çfarë ju ka pëlqyer më së shumti në fakultetin e bujqësisë dhe veterinarisë? Çfarë ju ka penguar?


Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë e fillova për një arsye shumë të thjeshtë, mendoja se bujqësia do të jetë një fushë më shumë perspektivë në të ardhmen. Mendoja se lidheshin të dyja fakultetet që isha duke i vijuar, edhe Fakulteti Ekonomik, edhe Fakulteti i Bujqësisë, pasi në këtë të dytin kisha zgjedhur drejtimin Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit. Pengesa dhe vështirësi nuk kisha asnjëherë, as nuk mendoja se do kisha ndonjëherë, sepse vijoja studimet me shumë qejf.



Si i keni menaxhuar projektet apo detyrat për të cilat nuk keni pasur mjaftueshëm kohë për t’i dorëzuar?


Gjithnjë jam munduar që secilin projekt apo detyrë që kisha të përfundoja në kohë që të mos më grumbulloheshin, për ato detyra që nuk kam pasur kohë të mjaftueshme t’i dorëzoja, të gjitha profesorët kanë pasur konsideratë për mua, pasi e dinin se arsyeja e vetme e mosdorëzimit ishte mungesa e kohës jo diçka tjetër, sepse isha i përgjegjshëm çdoherë.



Cilat janë synimet tuaja profesionale pas diplomimit tashmë?


Synimet që kam tashmë janë të vijoj studimet e doktoraturës jashtë vendit. Kam disa mundësi, por po i shqyrtoj ato me shumë kujdes pasi që nuk është një hap i lehtë. Kam synim që të arrij përsëri një sukses të jashtëzakonshëm duke dëshmuar se nuk ka njerëz të jashtëzakonshëm por ka njerëz të zakonshëm që bëjnë gjëra të jashtëzakonshme.



Çfarë këshilla keni për të rinjtë që sapo kanë filluar studimet universitare?


Këshilla ime e vetme dhe më e madhe është që çdo gjë që bëni në jetë, ta bëni me shumë qejf, pasion dhe vullnet. Studimet universitare nuk janë aspak të vështira nëse ju punoni fort, angazhoheni dhe jeni të përkushtuar.



Dhe në fund mund të na rrëfeni sekretin tuaj më të madh që dëshiron ta ndash me të rinjtë të cilët duan të arrijnë si ju mesataren e studimeve 10.00? 


Sekreti im më i madh që dua të ndaj më të rinjtë që dëshirojnë të arrijnë sukses sikur unë dhe pse jo shumë më shumë se unë: Unë kam punuar shumë, kam qenë shumë i përkushtuar gjatë studimeve dhe kam hequr dorë nga shumë gjëra që ndoshta do të më sillnin kënaqësi të momentit, por e dija se një ditë kënaqësia më e madhe do të ishte kur familja ime, rrethi dhe shoqëria do të ndiheshin krenarë me mua dhe me suksesin tim. 


Për të arritur notën 10.00 sikur unë, ju duhet që të mësoni shumë, dhe të mendoni se për ju ekziston vetëm një notë, 10-ta. Kur ju merrni një notë tjetër përveç 10-s, gjëja e parë që duhet të ju vijë në mend është që ta refuzoni, dhe pastaj të mësoni më shumë që të arrini 10. Nëse fillimi juaj apo viti i parë ju përfundon me notë maksimale 10.00, më besoni që do ta keni shumë më të lehtë në vazhdim pasi që motivi juaj do të rritet shumë më shumë sesa e kishit në fillim.


Intervistoi Era Baliu


© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

691 Lexime
3 javë më parë