Hulumtim

“Këto libra” apo “këta libra”?

“Këto libra” apo “këta libra”, kjo është çështja; ky është problemi. Për të zgjidhur një herë e përgjithmonë këtë problem, po merremi bash për këtë dhe po sjellim edhe disa tituj të medieve elektronike.

“Këto libra” apo “këta libra”, kjo është çështja; ky është problemi. Për të zgjidhur një herë e përgjithmonë këtë problem, po merremi bash për këtë dhe po sjellim edhe disa tituj të medieve elektronike. 


Shembujt e dhënë kur e kanë “këto libra” janë marrë në mënyrë të rastësishme në portalin e televizionit “Klan Kosova”, më pas në atë të gazetës “Express” dhe të portalit “Javanews.al”, ashtu siç edhe janë marrë shembuj konkretë me “këta libra” nga portalet “Politiko.al”, “Opinion.al” dhe “Infoglobi.com”. 


Hulumtimi njëditor është bërë për Portalin Shkollor dhe erdhi nergut për lexuesit besnikë të tij. 


Titujt kur është përdorur “këto libra”: 

1. Këto libra duhet t’i lexoni gjithsesi (“Klan Kosova”, 3 nëntor 2016)

2. Këto dy libra i ndryshuan jetën bashkëthemeluesit të Google (“Express”, 5 prill 2017)

3. Shkrimtari Jorge Luis Borges: Lexoni këto 74 libra (“Javanews.al”, 26 gusht 2017)


Titujt kur është përdorur “këta libra”:

1. Besoj se me këta tre libra do të shpëtoja veten: Biblën, Princin e vogël dhe Faustin e Goethes (“Politiko.al”, 11 shtator 2017)

2. Këta gjashtë libra Ismail Kadare i ka rekomanduar të lexohen nga të gjithë (“Opinion.al”, 12 prill 2017)

3. Nëse para gjumit nuk preferoni muzikën, atëherë lexoni këta libra (“Infoglobi.com”, 7 gusht 2017)


SQARIM: 

Fjala “libër” është emër i gjinisë mashkullore që mbaron me temë më -ër. Me prapashtesën -a, ky emër konkret (libër) e formon temën e numrit shumës (libra) dhe e flak tej zanoren -ë të patheksuar në të gjitha format gramatikore të numrit shumës (libr-a, libra-t, libra-ve, libra-sh). Emri “libër” e ruan gjininë mashkullore edhe në numrin shumës dhe merr fjalë përcaktuese të gjinisë mashkullore, si p.sh.: këta libra.   


Vini re!

Jo: Këto libra shkollorë.

Po: Këta libra shkollorë. 


(Nga: MA. Mentor Hajrizi, Portali Shkollor)

7,792 Lexime
6 vjet më parë