"Kitara blu" e Xhon Banvill, romani më i mirë i vitit 2025 sipas Xhoina Salaj
Një vlerësim i shkruar nga lexuesja Xhoina Salaj për romanin e Xhon Banvill, botim i Albas, që e cilëson si librin më të mirë të vitit 2025. Përmes një piktori të rrënuar, romani zhbiron mendjen njerëzore me stil të ftohtë, të saktë, introspektiv dhe një përkthim elegant që e lartëson veprën.
Nga Xhoina Salaj
Me kënaqësinë më të madhe, i vendos damkën këtij libri si romani më i mirë që kam lexuar gjatë vitit 2025. Një nga ata libra që të fut menjëherë në mendjen e një njeriu që hahet me veten më shumë sesa me botën. Xhon Banvill, të cilit nuk i kisha lexuar asgjë më parë, paskësh një stil prej kirurgu, nga ata që unë i dua shumë: të ftohtë, të saktë, të pamëshirshëm dhe tmerrësisht të bukur!
Në thelb, ngjarja është e thjeshtë dhe aspak e jashtëzakonshme apo e padëgjuar më parë: një piktor që ka humbur edhe artin, edhe vetëbesimin, edhe njerëzit përreth vetes, e që përpiqet të kuptojë se ç’i ka mbetur më nga jeta. Qëndrimi i tij është i njeriut që e ka kuptuar se jeta nuk është ndreqje gabimesh, por një sërë veprimesh që nuk shlyhen dot më. Por mënyra se si autori të merr për dore mespërmes këtij rrëfimi, është krejt nivel tjetër: introspektiv, ironik, i ashpër me veten, fjalëpak me të tjerët, po nga ana tjetër, aq i sinqertë e i çiltër, sa e ke të vështirë ta gjykosh në bankën e të akuzuarve. Më shumë se dramë, është një zhbirim i mendjes njerëzore, ku të shkretës s’i ka mbetur më vend për të fshehur tollovi të tjera. Faqe e faqe të tëra që duken sikur janë ujdisur për të zgjuar të gjitha nuancat e një mendimi, jo për të vendosur historinë në shina.
Dhe po, ka çaste kur këto faqe të lënë pa fjalë dhe më vërtetohet ajo çka shkrova një herë për këtë libër, që nëse Gospodinovi dhe Pesoa do të kishin një fëmijë, pa dyshim do të ishte Banvilli: filozofik pa u bërë shtijak, melankolik pa u rënduar, i përhumbur pa u bërë i bezdisur, i përpiktë në çdo detaj.
Përkthimi është qershia mbi tortë e librit, që i jep gjuhës atë elegancën e rafinuar që i shkon për shtat. Është aq i veçantë, sa në disa çaste kisha dyshime nëse autori qe vërtet kaq i mirë sa "ia kishte bërë qejfin” përkthyesi. E përpilova në origjinal dhe u binda që kish gjetur tenxherja kapakun.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Dinastia e Epidamnit - Legjenda e Durrësit para Luftës së Trojës - Botim i ALBAS-it
Planet mësimore dhe ditarët e teksteve shkollore të Albas Shqipëri
Shoqja ime Koni