Nis Festivali i Librit për Fëmijë në Prishtinë, Albas-i sponsor gjeneral me rastin e 25-vjetorit

Ka nisur Edicioni i 3-të i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë në Prishtinë (8-11 tetor 2025), organizuar nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”. Albas është sponsor gjeneral me rastin e 25-vjetorit të themelimit. Ceremoninë e hapjes e nderoi Presidentja Vjosa Osmani.

Ka nisur sot Edicioni i 3-të i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë, që zhvillohet nga 8 deri më 11 tetor 2025, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Ngjarja është organizuar nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës, ndërsa sponsor gjeneral është Albas, me rastin e 25-vjetorit të themelimit. 


Ceremonia zyrtare e hapjes u zhvillua sot, ku përveç organizatorëve, eventin e nderoi me prezencën e saj edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 

Ajo theksoi rëndësinë e leximit për zhvillimin personal dhe qytetar të fëmijëve:


"Të gjithë ju që lexoni sot, nesër do të jeni qytetarë të ditur, qytetarë të mençur dhe qytetarë të ndershëm të këtij vendi. Ju do ta ndërtoni Kosovën shumë më të zhvilluar, ndaj kjo është arsyeja pse duhet të lexoni çdo ditë, qoftë edhe një faqe të vetme, sepse çdo faqe e ka fuqinë që të ndryshojë diçka brenda nesh", tha Presidentja Osmani.


Drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, u shpreh se libri dhe leximi luajnë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e personalitetit të fëmijëve:"Të bëhesh mbi të gjitha njeri i mirë e i dashur për vetën së pari, për familjen, për shokë dhe shoqet, por edhe për vendin ku jetojmë", theksoi Ahmeti.

Nga ana e tij, drejtori i Albas Prishtinë, Fatlum Q. Hetemi, në fjalën e hapjes u shpreh:


"Faleminderit ETEA-s dhe Bibliotekës 'Hivzi Sulejmani' për një organizim të tillë. Ngjarje si kjo janë të mirëseardhura në këtë kohë, prandaj në shenjë mirënjohjeje e inkurajimi për organizatorët ne ofruam gatishmërinë tonë mbështetëse për të dëshmuar si ALBAS përkushtimin ndaj botimeve për fëmijë dhe politikave nxitëse për ta krijuar shprehinë e leximit te brezat e rinj. Këtë vit shënojmë 25-vjetorin dhe gjatë gjithë vitit po organizojmë aktivitete e ngjarje që lidhen me librin në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Preshevë. Po thënë të drejtat kjo mbështetje për këtë festival është më e veçanta. Andaj, Agon, urime nga zemra! Jemi me fat që kemi njerëz si ti, me pasion, vizion e përkushtim për fjalën e shkruar dhe për përhapjen e kulturës së leximit. Faleminderit shumë dhe suksese të mëtejshme!".

Ky festival katërditor pritet të sjellë një atmosferë të gjallë me aktivitete kulturore, edukative dhe argëtuese për fëmijët dhe familjet. Aktivitetet përgjatë ditëve në vijim do të zhvillohen nga ora 10:00 deri në 18:00, dhe vizitorët do të kenë mundësi të marrin pjesë në:Punëtori krijuese, lexime të hapura, përurime librash, aktivitetet shkencore dhe teknologjike si dhe lojëra dhe takime me autorë. 

Edicioni i 3-të i Festivalit dhe Panairit të Librit për Fëmijë synon të nxisë dashurinë për librin dhe leximin tek brezat e rinj, duke ofruar një përvojë të pasur kulturore dhe edukative në zemër të Prishtinës.


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

190 Lexime
20 orë më parë