AKTIVITETI

Klubi i librit i "Petro Nini Luarasi", takim letrar me përkthyesin Ben Andoni, për romanin Humnera

Nxënësit e klubit të librit të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, kanë zhvilluar një takim letrar me publicistin e njohur në Shqipëri Ben Andoni. Ata bashkëbiseduam për letërsinë, përkthimin dhe për librin më të fundit “Humnera”.

“Të flasësh për letërsinë është sikur të flasësh për një art të jashtëzakonshëm”- kështu e ka nisur takimin e këndshëm me klubin e librit të shkollës “Petro Nini Luarasi” mësuesja e letërsisë, Oriana Osmani. Këtë herë ata zgjodhën të bashkëbisedonin për letërsinë e ballkanit dhe si njohës shumë të mirë të kësaj letërsie kishin ftuar publicistin dhe përkthyesin e njohur shqiptar, Ben Andoni. Së fundmi ai është bërë pjesë e tregut të botimeve letrare me përkthimin e librit “Humnera”, me autor Darko Tusevljakovic dhe me botim të shtëpisë botuese ALBAS. 


Nxënësit ishin tepër të motivuar të mësonin më shumë rreth letërsisë së Ballkanit duke qenë se ajo është pak e lëvruar ndër tekstet shkollore të letërsisë. Sipas përkthyesit Andoni, stili i mirë i të shkruarit të shkrimtarëve ballkanas i dallon ata në të pasurit të një letërsie të mirë. "Gërmimi në vetvete" është një tjetër tipar që e veçon letërsinë ballkanase, po ashtu dhe paradoksi. “Letërsia nuk është ngjarje. Ngjarjen duhet ta bëni element të shkrimit” - tha Andoni.  


Nxënësit gjithashtu u bënë pjesë e aktivitetit duke drejtuar pyetje të mirëformuara edhe rreth zhanrit të përkthimit, përzgjedhjes që përkthyesi bënte për veprat me të cilat punonte për t’i sjellë në gjuhën shqipe; ndikimin që ato kanë te vetë jeta e përkthyesit etj. 


Më pas bashkëbisedimi vijoni rreth romanit “Humnera”. Nxënësit kishin interes të dinin më shumë rreth personazheve, nëse ata për shembull ishin të përfshirë ose jo nga kriza e ekzistencializmit. Po kështu interes shfaqën edhe për zhvillimin e ngjarjeve në roman, apo vendet ku ato zhvilloheshin. 


Në fund të aktivitetit një mesazh tepër domethënës u dha nga vetë mësuesja e letërsisë –“Sa më shumë të lexoni aq më mirë do të jetë. Letërsia mund t’ju jap modelin. Të lexuarit do t’ju shërbejë shumë”. 

Klubi i librit ka qenë dhe mbetet një nga vlerat e shkollës së gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.



Libri “Humnera”

Romani Humnera është një pasqyrë e qartë e asaj që ka ndodhur në ish-Federatën Jugosllave dhe e çoroditjes së frikshme të grupeve të ndryshme shoqërore. Autori ka vendosur në qendër dy familje, atë të një ushtaraku dhe të një kolegu të tij, duke na përcjellë jo vetëm gjendjen posttraumatike të luftës, por edhe ndikimin e saj te brezat më të rinj. Në thelb, romani Humnera është një rrëfim rreth shpërbërjes së një familjeje. Romani është i ndërtuar në dy pjesë. Në pjesën e parë, në qendër të rrëfimit vendoset  një burrë që vuan nga çrregullimi i stresit posttraumatik si pasojë e përvojës së tij si një ushtarak gjatë luftës. Së bashku me të shoqen, ai ka shkuar me pushime në Greqi, me qëllimin që të rirregullojë lidhjen me të, tanimë të shkatërruar plotësisht. E, në fakt, kjo s’e ndihmon aspak. Përkundrazi, do t’i thellojë mosmarrëveshjet mes tyre. Në pjesën e dytë ngjarjet zhvillohen në Serbi. Edhe pse është konceptuar si pjesë e veçantë, ngjarjet janë të lidhura me pjesën e parë. Lexuesi kupton se shkaku i mosmarrëveshjes mes çiftit është djali i tyre - një student i cili përpiqet të gjejë vendin e tij në shoqëri, të gjejë  identitetin e tij të humbur. Por për t’ia dalë kësaj, atij i është dashur të kalojë dhe të bëhet pjesë e një serie ngjarjesh dramatike. Akoma më dramatike është kthesa e fuqishme që marrin ngjarjet në fund. Një zgjidhje sa pranë së vërtetës, aq edhe e habitshme dhe e pabesueshme.

Rreth autorit Darko Tusevljakovic

Shkrimtari Darko Tuševljakoviç u lind në Zenica të Bosnje dhe Hercegovinës në vitin 1978. Si shkrimtar ai ka lëvruar romanin dhe tregimin dhe është i pranishëm në jetën letraro-artistike sllave që prej vitit 2002. Ai është botuar në revista letrare dhe antologji në Serbi dhe kudo në Ballkan. Në vitin 2004, ai ka marrë çmimin lokal Lazar Komarčić për tregimin. Përmbledhja e tregimeve Ljudske vibracije (2013) po ashtu ishte në listën e ngushtë të konkurrentëve për çmimin Zlatni suncokret. Deri më sot, ai është autor i dy romaneve dhe i shumë tregimeve, botuar në periodikë të ndryshëm, jo vetëm në Serbi, por edhe kudo në ish-Federatën Jugsollave. Librat e tij kanë qenë në konkurrim dhe kanë arritur deri në përzgjedhjen e ngushtë për disa nga çmimet më të njohura kombëtare serbe. Në vitin 2016, romani i tij JAZZ (fituesi serb i Çmimit Evropian për Letërsi) ishte në përzgjedhjen e ngushtë të Çmimit NIN, çmimit letrar më të njohur në Serbi, si romani më i mirë i vitit. Ai është përkthyer në disa gjuhë. Jaz është romani i tij i parë në shqip dhe hap dritaren e parë të autorit me publikun shqiptar.



Rreth përkthyesit Ben Andoni

Ben Andoni ka lindur më 1966 në Tiranë dhe ka studiuar Histori dhe Gjeografi në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 1996 është gazetar profesionist dhe prej vitesh aktivizohet si publicist. Ka shkruar për gazetën Koha Jonë, ishte redaktor kulture i gazetave Gazeta Shqiptare dhe Korrieri, kryeredaktor i revistës ABC dhe zëvendëskryeredaktor i revistës MAPO dhe i revistës politike Java. Veç kësaj, ka qenë korrespondent i agjencisë së lajmeve të Beogradit BETA dhe disa agjencive të tjera të huaja. Ben Andoni ka mbi 30 autorë të përkthyer nga serbishtja, kroatishtja, boshnjakishtja dhe anglishtja. Disa nga autorët më të njohur ardhur në shqip janë Meša Selimović Derviš i Smrt, Vladimir Arsenijević U potpalublju, Vasko Popa me veprën e tij poetike, Milorad Pavić Predeo slikan čajem, Enes Karić Pjesme divljih ptica, Dasa Drndić Sonnenschein, Ceszlav Milos Facing the River (Poetry), Vladimir Nabukov Pnin, Tadeusz Rozeëicz përmbledhje e veprës së tij poetike, Srđan Valjarević Komo, Srdan Srdić Sator etj.




(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor)

2,196 Lexime
4 vjet më parë