TAKIM LETRAR

Klubi i Librit të PNL takim letrar online me poeten dhe studiuesen Rita Petro

Klubi i Librit të shkollës së mesme Petro Nini Luarasi vendosi të takohet online me poeten Rita Petro për këshilla leximi, interpretim të poezive të saj dhe interpretime të poezive të Lasgush Poradecit e pjesë nga "Xha Gorioi" i Balzak.

Poetja, studiuesja dhe autorja e teksteve mësimore, Rita Petro, ka zhvilluar një takim letrar online me Klubin e Librit të nxënësve të shkollës “Petro Nini Luarasi”. 


Gjatë këtij takimi të veçantë ata shkëmbyen këshilla leximi, ndërsa vetë poetja Petro u ndal tek disa poezi të sajat duke i interpretuar, por vëmendje në këtë takim i kushtuan edhe poezive të Lasgush Poradecit dhe pjesëve nga libri “Xha Gorioi” i Balzak. 


Për poeten Rita Petro ky ishte një takim ndryshe dhe mbreslënës. Pas mbarimit të tij Petro ka dhënë përshtypjet e saj. Me petroninsat një mbasdite e veçantë, me nxënës që kërkojnë t'u respektohet mendimi i tyre i pavarur… shpresë për ndryshim...”, ka shkruar ajo, ndërsa ka vazhduar duke thënë se: “E prita me shumë kënaqësi ftesën e Orianës, mësueses së veçantë të letërsisë për një bisedë online me nxënësit e Petro Ninit. Falenderoj shumë drejtoreshën e gjimnazit Teutën që bashkëbisedoi me ne. Folëm për krijimin si nxitje e frymëzim, por më shumë u ndalëm te mënyra më e mirë e studimit te autorëve dhe veprave letrare, për raportin mes vlerësimit objektiv të studimit të letërsisë dhe vlerësimit subjektiv e shijes estetike që marrim kur lexojmë një vepër letrare”. 

Mei Misaki, një nga nxënëset, shtroi dilemën e të drejtës apo të respektimit të mendimeve ndryshe përsa i përket vlerave apo shijeve letrare. 

“Absolutisht kishte të drejtë, sepse dyshimi i argumentuar nxit te të rinjtë tanë mendimin kritik dhe të pavarur”, është shprehur Rita Petro. 


Gjatë këtij takimi letrar online, bashkëbiseduesit janë ndalur edhe te vlerësimi i eseve, që ndodh ndonjëherë të jetë i gabuar kur mësuesi nuk mbështetet në standarde, por në idetë e veta personale. 


Thembra e Akilit për këtë takim online ishte provimi i maturës për letërsinë. U diskutua për disa "shenja e sinjale" që patjetër duhen përvetësuar e që do ta udhëheqin nxënësin në mënyrën më të drejtë e më të thjeshtë në studimin e veprave të mëdha letrare, për të mos humbur në labirinthet e artit të letërsisë.



(N.Allkja Biçaku, Portali Shkollor)

© Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

300 Lexime
1 muaj më parë