LEHTËSIA

Krijohet për herë të parë aplikacioni “Matematikë Kreative”, flet shqiptari nga Kosova

Shpend Rukiqi është shqiptari nga Kosova i cili ka krijuar për herë të parë një aplikacion që u vjen në ndihmë nxënësve për të mësuar më lehtë matematikën, nëpërmjet shembujve kreativë. Aplikacioni quhet “Matematikë kreative”.

Përgjithësisht ne shqiptarëve na karakterizon fryma e patriotizmit kur vjen puna për t’u krenuar me arritje të ndryshme apo suksese të shqiptarëve nëpër botë. Është e rastit t’ju flasim për mësuesin me origjinë kosovare, por që jeton në Suedi! Shpend Rukiqi ka krijuar për herë të parë një aplikacion që u vjen në ndihmë nxënësve për të mësuar më lehtë matematikën, nëpërmjet shembujve kreativë. Aplikacioni quhet “Matematikë kreative”. 


Aplikacioni për matematikën kreative ka për qëllim të ndihmojë nxënësit e shkollës fillore deri në klasën e 9-të, që ta mësojnë dhe kuptojnë matematikën lehtë përmes shembujve kreativ. Detyrat dhe lojërat kreative stimulojnë dhe mundësojnë ngritjen e aftësisë analizuese të nxënësit dhe njëkohësisht ofrojnë mundësin që matematika të kuptohet thellësisht dhe pa sforcim. Aplikacioni përmban edhe video sqarime për operacionet e ndryshme matematikore. 


Kur Z.Rrukiqi e pyetëm se çfarë e shtyu për të bërë një aplikacion të tillë, ai u përgjigj: “Arsyeja se pse krijova këtë aplikacion ishte mungesa e kreativitetit  nëpër shkolla si dhe mungesa e programeve digjitale në to. Duke pas parasysh që fëmijët kalojnë kohë të gjatë në telefona kjo do të ishte një mundësi unike për të mësuar  dhe kuptuar bazat themelore të matematikës. Në anën tjetër, me ndihmën e aplikacionit mësimdhënësit kanë një mundësi shumë të mirë të shtjellojnë gjërat në mënyrë konkrete e jo ashtu si po ndodh gjithçka në abstrakt duke mos kuptuar asnjëherë pse gjërat janë ashtu si janë”. 


Ky aplikacion ka një kosto minimale, shkarkimi i tij ju kërkon vetëm 1,2 euro. 

“Ky aplikacion ka një kosto minimale sa për t’u mirëmbajt dhe rifreskuar. Kostoja është 1,2 euro.  Versioni për I Phone është në tri gjuhë  dhe quhet Kreativ Matematik. Ndërsa versioni për android është i ndarë në të tri gjuhë dhe versioni shqip quhet Matematikë kreative. Apple nuk lejon tri versione të njëjta në tri gjuhë. Aplikacioni do të plotësohet edhe me video të reja gjatë gjithë kohës”, ka thënë Z.Rrukiqi për Portalin Shkollor.

Një paraqitje e aplikacionit “Matematikë kreative”

Mësuesi i këtij aplikacioni me origjinë kosovare, Shpend Rukiqi, në rrjetet sociale ka deklaruar se kjo ka qenë mundësia e tij për vendin e lindjes! Pra, duket se këtë shpikje ai ja dedikon atdheut të tij e veçanërisht kolegëve dhe fëmijëve, për t’ia lehtësuar disi punën me mësimet dhe veprimet matematikore. 



(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

6,687 Lexime
4 vjet më parë