Kur bie mësuesi, ngrihet dështimi

Një reflektim i fortë nga Manushaqe Hoxha Laçi mbi rolin dhe dinjitetin e mësuesit në shoqëri. Kur mungon respekti dhe bashkëpunimi me prindërit, dëmtohet vetë edukimi i fëmijës. Një thirrje për ndërgjegjësim: mësuesi është aleat, jo kundërshtar.

Nga Manushaqe Hoxha Laçi

Mësuese kimie në gjimnazin “Skënderbeu” Krumë, Has



Po e pyesim veten: kujt i shërben sulmi ndaj mësuesit?


Çfarë fiton shoqëria kur fyen, poshtëron apo zhvlerëson mësuesin? Fëmijët? Jo. Shkolla? Jo. Vetëm një ndjenjë të rreme të drejtësisë që nuk ekziston.


Mësuesi nuk hyn në klasë për të prishur dhe shkatërruar, por për të ndërtuar. Ai nuk e humb durimin për të dhënë më të mirën nga vetja, për të dhënë mundësi, për të dhënë dije. Por çdo ditë, prindër që nuk bashkëpunojnë, shoqëri që gjykon pa ditur e lodhin, e bëjnë atë të lodhet jo nga puna, por nga mungesa e respektit.


Prindër, a e kuptoni? Kur sulmoni mësuesin për çdo vërejtje ose gabim të fëmijës, çfarë po i mësoni fëmijës suaj? Se gjithmonë dikush tjetër mban përgjegjësi për gabimet e tij? Se respekti është opsional? Se edukimi është shërbim “sipas dëshirës”?


Edukimi nuk është treg i dëshirave. Shkolla nuk është fushë beteje për egot tuaja. Mësuesi nuk është kukull që tundet sipas dëshirës suaj. Ai është profesionist, mbajtës i përgjegjësisë i së ardhmes së fëmijëve tuaj. Dhe pa respekt për të, çdo ditë e klasës bëhet betejë për mbijetesë, jo mësim.


Mësuesi është aleati juaj, jo armiku. Por këtë aleancë duhet ta kërkoni me veprime, jo me fjalë. Sepse aty ku prindi dhe mësuesi nuk ecin bashkë, humbet fëmija. Dhe humbja nuk është e ditës, por e jetës.


Pyetja nuk është “Pse dështoi fëmija?”

Pyetja është: Pse po e dëmtojmë mësuesin që mundohet ta bëjë të suksesshëm?

Mos e prek mësuesin, sepse aty fillon ose mbaron e ardhmja.





© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

680 Lexime
1 orë më parë