OPINION

Kur do të hiqet ora 90 minutëshe në procesin mësimor?

Ora 90 minutëshe në arsimin fillor i ka këputur nxënësit e talentuar dhe nxënësit me vështirësi në të nxënë. Të gjitha rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës së lëndës, bashkëngjitur me kompetencat kyçe, nuk arrihen siç duhet.

Sa të qetë do të ishim ne si mësues, po të na bënin orën 45 minuta si më parë për të gjitha lëndët mësimore! Nga shkolla e parë shqipe në vitin 1887 e deri më sot kanë kaluar plot 133 vjet. Por gjatë këtyre viteve arsimi në vendin tonë ka pësuar ndryshime dhe gjatë viteve ka njohur një zhvillim të madh  cilësor, akademik, shkencor dhe kulturor. Kurrikulat lëndore janë tepër të ndërlikuara dhe mjaft të mira, në sistemin tonë arsimor, por ama ora 90 minutëshe në arsimin fillor i ka këputur nxënësit e talentuar dhe nxënësit me vështirësi në të nxënë. Të gjitha rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës së lëndës, bashkëngjitur me kompetencat kyçe, nuk arrihen siç duhet brenda orës mësimore, kur dy orë të një lënde janë të njëpasnjëshme brenda një dite. Në rast se në orën e parë nxënësi përqendrohet dhe aktivizohet në mësimdhënien me në qendër nxënësin, në orën e dytë ai nuk është në gjendje të përvetësojë materialin 100%, pasi boshllëqet e orës së parë, të cilat mund t’i përvetësonte në shtëpi pasdite në mënyrë individuale, e pengojnë për të marrë informacionin e ri gjatë orës së dytë. 


Çfarë ndodh në punën pas mësimit? 

Nxënësi e ka të vështirë të përsërisë dhe të mësojë dy mësime të njëpasnjëshme, pasi reflekset e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara marrin një ngarkesë psikologjike dhe sociale saqë nxënësi nuk është i aftë ta përballojë i vetëm pa kontrollin prindëror. Ndodh që nxënësit e sotëm nuk mund të jenë të talentuar, siç kanë qenë brezat më përpara. Kjo sfidë jo vetëm që do një përkushtim shumë të madh, por edhe me përkushtim nuk arrihet aty ku duhet. 


Po nxënësit me vështirësi në të nxënë si ecin gjatë një viti shkollor? 

Nxënësit me vështirësi në të nxënë kanë më shumë vështirësi tek ora 90 minutëshe. Edhe ai pak vullnet që kanë, u kalon në një stres të brendshëm që u çrregullon përceptimin dhe vëmendjen tek detyrat e tyre. Stresi i dyfishtë ndodh në orët pas mësimit, ku ai nuk është i aftë të bëjë bashkimin e të dy temave, për të zgjidhur detyrat e shtëpisë, sidomos kur nuk ka dhe kontroll prindëror, që ndodh në disa raste. 


Çfarë ndodh me testin përmbledhës të tremujorit? 

Nxënësi e ka shumë të vështirë të sistemojë në kujtesën e tij pyetjet më kryesore që ka marrë gjatë orëve 90 minutëshe. Sado i talentuar të jetë, ai ka mangësi në alternimin e pyetjeve të testit pasi testi është i standartizuar. Testi është një vlerësim përmbledhës i strukturuar i arritjeve të nxënësit dhe i progresit të tij. Testet u lejojnë nxënësve të monitorojnë progresin e tyre dhe ofron informacion të vlefshëm për mësuesin në planifikimin e mëtejshëm të procesit mësimor. Mirëpo orët 90 minutëshe bëjnë që nxënësi të mos jetë kaq i përgatitur për testin, pasi rezultatet e të nxënit nuk i ka përvetësuar 100% gjatë tremujorit, për shkak të orës 90 minutëshe. Kjo gjë ndodh sepse mosha 6-11 vjeç e ka të vështirë një ngarkese të madhe në kujtesën e tij. Ora 90 minutëshe po na e zbeh dashurinë për profesionin tonë dhe po na shqetëson kur shohim edhe femijët tanë si prindër që nuk janë të talentuar si më parë, prandaj shpresojmë që diçka të bëhet dhe të vazhdojmë ritmin e punës si më pare. Ky profesion fisnik kërkon kërkon njerëz të ditur dhe të zgjuar, kërkon kulturë të madhe dhe edukatë, kërkon jetë njerëzore dhe të drejta të barabarta si të gjithë nxënësit dhe mësuesit në të gjithë botën. A do të vijë ora 45 minutëshe përsëri si më parë?



Nga Florinda Palaj

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

16,060 Lexime
3 vjet më parë