Intervistë

Kurrikula e re vë nxënësin në qendër të mësimdhënies

Kurrikula e re vë në qendër të mësimdhënies nxënësin dhe të investosh në krijimin e një fëmije së pari si një individ më i mirë për shoqërinë është një e mirë që duhet pranuar nga të gjithë ne.

Pajtesa Doli është mësuese në FSHMU “Faik Konica” Prishtinë, ku jep lëndën e Edukatës qytetare. Ajo vjen sot në një intervistë për Portalin Shkollor, ku na tregon më shumë për metodat e mësimdhënies që përdor, si po e përvetësojnë mësuesit kurrikulën e re në Kosovë por ka edhe një mesazh për të gjithë ata që e duan arsimin.


Një prezantim i shkurtër për vetën.

Unë quhem Pajtesa Doli dhe jam njëzet e shtatë vjeç. Kam përfunduar studimet, në Fakultetin e Edukimit bachelor Histori Edukatë qytetare në Universitetin e Prishtinës si dhe  master në Univeristetin e Tiranës në fakultetin e Historisë dhe Filologjisë dega Histori, për arsimtare të kësaj lënde. Kam gjithsej 3 vite përvojë pune, tani jam duke punuar në FSHMU “Faik Konica” Prishtinë, ku jap lëndën e Edukatës qytetare dhe mësimit me zgjedhje.


Jam një person i cili i qëndron me korrektësi  çdo problematike që mund të has dhe i zgjidh ato me qetësi. Gjithashtu jam e hapur ndaj opinioneve dhe mendimeve të çdo personi që mund të vihem në kontakt në përditshmëri duke përfituar vlerat humane të domosdoshme për njeriun. Fakulteti i kryer për mësuesi më ka ndihmuar të kem një vizion të pastër rreth ideve të mia për të ardhmen, por mbi të gjitha të punoj me diveristetin e njerëzve që na rrethojnë.

Sa e rëndësishme mendon se duhet të jetë lënda e edukatës qytetare?

Rëndësia e lëndës së edukatës qytetare vlerësohet që në përmbajtje të emrit të saj.

Kjo e fundit na edukon në format më të larmishme të jetës dhe na bënë njerëz më të mirë, në raport me veten dhe të tjerët. Të qenit qytetar në çdo moment na diferencon dhe na ngre vlerat njerëzore …


A të duket e lodhshme puna e arsimtares?

Unë personalisht jam e mendimit që çdo punë sjell lodhje, por diferenca në punën e arsimtarit ndryshon. Puna ime ndryshon nga të tjerët mendoj, sepse kam një qëllim më shumë për t’u zgjuar çdo mëngjes me optimizëm. Qëllimi janë nxënësit, ideja për t’u rritur dhe edukuar ata, nuk sjell lodhje, por kënaqësi e të realizuar gjëra të bukura çdo ditë.


Prej pak kohësh edhe në Kosovë po punohet me kurrikulën e re, si janë përshtatur mësuesit me këtë risi?

Kurrikula e re sigurisht është një risi për të gjithë ne mësuesit e Kosovës edhe të Shqipërisë. Për ta kuptuar më mirë dhe sa funksionale është kjo praktikë e cila duhet trajtuar tek nxënësit na kanë shërbyer më së mirë trajnimet e bëra kohë pas kohe. Sigurisht këto të fundit kanë qenë të nevojshme që ne mësuesit të përthithim të gjitha hapat dhe metodat e mësimdhënies. Diçka interesante që vërehet nga të gjithë mësuesit është mësimi me në qendër nxënësin duke i zgjeruar atij aftësitë e të menduarit kritik, aftësitë e komunikimit etj.


Mendoni se kjo është forma më e mirë?

Kjo është ende një formë e re dhe duhet ende pak më tepër të kuptojmë a është tërësisht funksionale apo jo. Por siç e përmenda dhe më parë nxënësi vihet në qendër dhe të investosh në krijimin e një fëmije së pari si një individ më i mirë për shoqërinë është një e mirë që duhet pranuar nga të gjithë ne.


Çfarë vështirësish keni hasur gjatë punës suaj?

Vështirësitë të cilat kemi pasur kanë qenë vetëm në hapat e parë sa ne mësuesit u ambientuam siç duhet me këtë metodë e kurrikulës. Diçka tjetër që është vënë re edhe nga komunikimi me mësues të tjerë është zhvillimi dhe metodat që duhet të përdorim gjatë mësimit ndonjëherë kanë dalë jashtë funksionit sepse nxënësit sot janë të paparashikueshëm edhe asnjëherë një metodë nuk mund të ngelet e cungët, por duhet të ndërlidhet me metoda të tjera.


A keni pasur mundësi të shkëmbeni eksperiencën tuaj me mësues nga Tirana?

Po kam pasur mundësi për shkëmbime eksperiencash me mësues nga Tirana ku dhe ata kanë treguar ballafaqimin e tyre me këtë kurrikul të re dhe sa po ambientohen me të.


Çfarë metode mësimdhënieje përdorni ju?

Metodat të cilat unë përdor janë të shumëllojshme dhe sigurisht ndryshojnë dhe plotësohen në bazë të temës dhe ngjarjeve që ndodhin në ambientin e mësimdhënies, por sigurisht në krijimin e planit të punës mendoj për fëmijën të cilën takoj përditë duke u munduar sa më shumë që informacioni që marrin të jetë sa më i saktë dhe sa më i dobishëm për ta. Po përmend disa nga metodat që unë përdor:

  • Mësimdhënia dhe nxënia me nxënësin në qendër dhe gjithëpërfshirja.
  • Mësimdhënia dhe nxënia e bazuar në kompetenca.
  • Teknika e të nxënit aktiv
  • DRTA
  • Rrjeti i diskutimit
  • Procesi i të ripyeturit
  • Eseja
  • Punë me grupe dyshe
  • Di, dua të di, mësova
  • Punë me grupe ekspertësh etj.


A jeni njohur me librin digjital?

Po jam e njohur me librin digjital si inovacioni më i ri në fushën e mësimdhënies.


Si e shikoni ju iniciativën për digjitalizimin e librave shkollor ?

Si parim librin digjital e shoh si një të mirë dhe përfitim për të gjitha palët që janë pjesë e sistemit arsimor dhe mbi të gjitha atyre që janë në kontakt të përditshëm me të. Përveç librit digjital që ky të funksionojë me të gjitha etapat e tij ka nevojë dhe për një sërë elementesh të tjerë që janë: tabletat ose ipad për secilin nxënës, laptopi kryesor për mësuesin dhe projektori për çdo klasë kjo është mënyra që funksionon në Tiranë mesa jam në kontakt me mësues atje, por dhe aty nuk është i plotë sepse është funksional vetëm për klasat me mesataret më të lartë. Pra jam e mendimit që para së të arrihet tek libri digjital duhet të kryhen një sërë hapash.


E kujtoni momentin që vendosët të bëheshit mësimdhënëse? Përse morët këtë vendim? Jeni penduar?

Momentin që kam dashur të bëhem një mësuese është një moment i cili është rritur me mua, nga fëmijëria e deri më tani dhe kjo më bën ta dua këtë profesion më shumë se çdo gjë, nuk do ta mendoja veten në një punë tjetër. Nuk jam penduar asnjëherë dhe pse barrierat që më kanë ardhur përpara kanë qenë të shumta. Pa mësues bota nuk do përmirësohej nga gabimet dhe këndvështrimet jo cilësore.


Cili  është mesazhi që doni të përcillni sot nëpërmjet Portalit Shkollor?

Mesazhi që dua t’i përcjell sot këtij portali shkollor është tejet i thjesht: “Mësuesia ka nevojë për njerëz të cilët e duan artin e mësimdhënies dhe ne të gjithë sëbashku kush më shumë e kush më pak të mundohemi për të formuar kristalin e pastër të dijes”.

‘Pa dituri nuk ka lumturi, pa lumturi nuk ka ardhmëri”.


(Portali Shkollor)

8,195 Lexime
5 vjet më parë