Intervistë

Me dijen trashëgimtarë...

Tigri Berberi, drejtues i shkollës “Sulejman Delvina” tregon për Portalin Shkollor sekretet e drejtimit të gjimnazit të vetëm në Delvinë në të cilin mësojnë rreth 270 nxënës.

I vëmendshëm ndaj çdo gjëje që ndodh në shkollë, i përkushtuar, i dashuruar pas punës së tij, i përgjegjshëm për detyrën që i është besuar, premton të udhëheqë drejt suksesit gjimnazin “Sulejman Delvina”. Tigri Berberi drejton shkollën nën moton “Me dijen trashëgimtarë, brezat vijnë e ikin dhe marrin prej shkollës veçse dije, edukim, kulturë”.


Çfarë do të thotë për ju të drejtoni një shkollë?

Pyetja është e gjerë, ajo lidhet drejtpërdrejtë me udhëheqjen e shkollës, realizimin e vizionit të saj, misionit, synimeve të saj, objektivave etj. Arritja e standardeve të vendosura dhe pranuara, nga nxënësit merr rëndësi të dorës së parë në finalizimin e proceseve në shkollë. Planifikimi, koordinimi dhe sigurimi i mbështetjes nga të gjithë aktorët si: familja, komuniteti, pushteti vendor etj., janë elementë të domosdoshëm për rritjen e performancës së shkollës.


Si është dita juaj e punës?

Çdo ditë ka të veçantat e saj. Një mjedis pune ku ndërvepron me të rinj është i mbushur me përgjegjësi dhe emocion. Mëngjesi fillon me shqyrtimin e nevojave që lidhen me pastërtinë e mjediseve, bazës materiale-didaktike, me stafin pedagogjik apo me ndonjë shqetësim të rastit. Më tej vijon me problematika të tjera të planifikuara.


Sa nxënës ka në shkollën tuaj?

Gjimnazi ynë, e vetmja shkollë e mesme në qytetin e Delvinës popullohet nga rreth 270 nxënës, të shpërndarë në tri paralele për çdo klasë; një oaz dijeje rreth 60-vjeçar më i vjetri në  rrethet Sarandë e Delvinë ofron për komunitetin siguri, cilësi dhe argëtim.


Cila është ajo ngjarje që ka ndodhur në shkollë dhe që ju ka mbetur në mendje?

Dinamika e veprimtarive në shkollë është e larmishme, por më duhet të veçoj për këtë vit shkollor projektin “Stop Dhunës”. Në një moment të nxehtë të kësaj dukurie, ku u përfshinë edhe aktorë të ndryshëm si: ZA, Pushteti vendor, Komisariati i Policisë, shoqëria civile, Drejtoria e Shëndetit  Publik etj., ky projekt u mirëprit dhe jo vetëm, nga komuniteti shkollor dhe ai qytetar delvinjot. 


Si është marrëdhënia juaj me mësuesit, po me nxënësit?

Së pari po kujtoj që kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Delvinës, jam formësuar në këtë gjimnaz dikur si nxënës dhe prej 23 vjetësh si mësues në të. E njoh mirë temperamentin e zonës, problematikat madhore që e shqetësojnë, por edhe arritjet dhe resurset që ajo posedon; Në këtë kontekst qoftë si qytetar, si mësues dhe drejtues kam ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme me të gjithë faktorët dhe aktorët që veprojnë në shkollë. Udhëhiqem vazhdimisht nga parimi i të punuarit në ekip, paanësia në zbatimin e çdo detyrimi ligjor, etj.


Cili është momenti më i vështirë për ju si drejtuese e shkollës?

Gjatë realizimit si drejtues shkolle ndeshesh me problematika të ndryshme, herë të buta dhe herë të ashpra që kërkojnë në finale një vendimmarrje; mendoj se momentet më të vështira i përjetoj kur më duhet të zbatoj vendime penalizuese si p.sh: përjashtim nga shkolla të ndonjë nxënësi.


Çfarë metodash përdorni për të motivuar mësuesit, po nxënësit?

Gjatë veprimtarive në shkollë monitoroj apo identifikoj nevojat e nxënësve dhe mësuesve dhe inkurajoj rritjen e performancës.

a) Gjithëpërfshirja: Nxënësit dhe mësuesit përfshihen në vendimmarrje, në grupe pune, forume etj. ku ngrihen dhe diskutohen çështje me rëndësi për mbarëvajtjen e proceseve në shkollë dhe rritjen e cilësisë së shërbimit arsimor që shkolla jonë ofron.

b) Komunikimi: Informim mbi objektivat dhe pritshmëritë e shkollës.

c) Delegim i detyrave dhe autoritetit përkatës.

d) Frymëzimi: Vlerësimi dhe mirënjohja për të rritur vetëbesimin dhe kënaqësinë.


Cila është motoja e shkollës tuaj?

“Me dijen trashëgimtarë”, brezat vijnë e ikin dhe marrin prej shkollës veçse dije, edukim, kulturë.


Cili është mesazhi juaj për mësuesit? Po për nxënësit?

• Të mbështesim në mënyrë konstante nxënësit me profesionalizëm dhe paanshmëri për të kultivuar tek ata indentitetin vetjak dhe kombëtar, shpirtin kritik dhe krijues, aftësitë dhe kompetencat bazë për të përballur ndryshimet dhe ritmin e lartë të ekonomisë së tregut.

• Ta duan shkollën, të respektojnë dhe pranojnë diversitetet mes njëri-tjetrit.

• Të përdorin me efektivitet teknologjitë e reja.

• Të guxojnë dhe këmbëngulin për realizimin e ideve dhe ëndrrave të tyre.


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)

8,890 Lexime
6 vjet më parë