Mësues-Nxënës-Prindër

"Le të jemi trekëndëshi që nuk na thyhen kulmet"

Lizë Voci, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçar "Pjetër Arbnori" Fushë-Arrëz, vjen në një intervistë për Portalin Shkollor, ku na tregon më shumë për punën, kolegët, nxënësit dhe marrëdhëniet me prindërit.


Shkolla Qendër Komunitare duket se i ka zgjuar interesin e qytetarëve për t’u bërë paartnerë me shkollat, për t’i mbashtetur, ndihmuar dhe vlerësuar stafin pedogogjik por edhe drejtuesit. Në adresën tonë kanë qenë qytetarët ata që na kanë shkruar për drejtoreshën e shkollës 9-vjeçar "Pjetër Arbnori" Fushë-Arrëz Lizë Voci, duke e vlerësuar punën e saj na kanë ërkuar që ta intervistonim dhe ta sillnim për ju në Portalin Shkollor. 


Në kontaktuam me drejtoreshën dhe sjellim për ju sot këtë intervistë dhe ju ftojmë të njiheni me drejtoreshën e suksesshme Lizë Voci.


Çdo të thotë për ju të jeni drejtuese e shkollës 9-vjeçare "Pjetër Arbnori" të qytetit të Fushë-Arrëzit? Prej sa vitesh e drejtoni këtë shkollë? Sa nxënës ka shkolla?

Të jesh drejtoreshë e shkollës 9-vjeçar "Pjetër Arbnori" Fushë-Arrëz për mua është një sfidë që e kam marrë përsipër, duke u menduar mirë se është një punë që kërkon shumë  përkushtim, bashkëpunim e komunikim të mirë, për të realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë detyrë si drejtuese e shkollës, duke qënë vatra ku mësohen e edukohen breza të tërë nxënësish. 

Unë e drejtoj këtë shkollë prej më shumë se 4 vite. Shkolla ka rreth 412 nxënës me përbërje heterogjene 80% e nxënësve që vinë nga qyteti dhe 20% nga fshatrat përreth.


A është e vështirë puna juaj si drejtuese? Ku qëndron vështirësia më e madhe?

Puna ime si drejtuese ka vështirësitë e saj, pasi çdo punë nëse je i përkushtuar ta bësh si duhet, ka vështirësitë e saj. Më shumë më shqetëson fenomeni i bullizmit të nxënësve me njëri-tjetrin, megjithëse në raste të rralla. Shqetësim për mua mbetet braktisja, moskomunikimi, apo "dorëzimi" i disa prindërve para fëmijëve të tyre. Mungesa e një  komunikimi, e një gjuhe bashkëpunuese, e të  kuptuarit të shqetësimeve të nxënësve të  ndonjë mësuesi me nxënës të veçantë të ashtuquajtur "problematik".


Si është marrëdhënia juaj me stafin pedagogjik? Po me nxënësit?

Mendoj se marrëdhëniet e mia me stafin pedagogjik janë të mira. Nuk mungon fryma e bashkëpunimit, e debatit, e mirëkuptimit, e tolerances për një qëllim të përbashkët që kemi: Të jemi modeli pozitiv për të përmbushur detyrat tona të domosdoshme, të shenjta, fisnike ndaj brezave të nxënësve që kemi e do të kemi në duart tona. Stafi im pedagogjik i ngjan një familjeje të madhe ku secili punon, flet, dëgjon, debaton, mirëkupton, bashkëpunon dhe e ndjen veten mirë, pasi të gjithë mendojmë për një qëllim të vetëm për të çuar përpara këtë familje të madhe.

Me nxënësit kam një marrëdhënie miqësore. Përpiqem t’i  kuptoj në çdo situatë që mund të ndodhen ata. Jam falenderuese ndaj tyre, respektin e kemi reciprok. Kjo nuk do të thotë që gjithçka shkon "vaj" . Tolerimi me nxënës të veçantë që kanë sjellje negative, që bëhen shkaktarë për prishjen e ecurisë së orëve të mësimit, që ofendojnë të tjerët, dëmtojnë pronën e të gjithëve, ka kufinjtë e saj dhe në keto raste nuk mund të abuzoj dot.


A janë prindërit bashkëpunues, aktiv dhe të interesuar që nxënësit të jenë të suksesshëm?

90% e prindërve janë bashkëpunues, të interesuar për mbarëvajtjen e nxënësve në shkollë, aktiv, bashkëpunues për suksesin e fëmijëve të tyre e të shkollës. Më duhet të them që 10% e prindërve nuk interesohen, nuk bashkëpunojnë me shkollën e nuk kujdesën për mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë, megjithë përpjekjet që bën shkolla për t’i integruar edhe ata që të jenë pjesë e rëndësishme e suksesit që duhet të ketë shkolla.


Në mësuesi dominojnë femrat, çdo të thotë kjo për ju, si e komentoni?

Është e vërtetë. Edhe në kolektivin tim nga 35 mësues, 30 janë femra. Mendoj se femrat e duan këtë profesion. Duke qenë nëna dhe të tjerat që do të bëhen nëna janë me të  dashura, më të afërta, më të kuptueshme, më të durueshme me nxënësit dhe duan që t’i  përkushtohen edhe familjes së tyre.


Të qenit femër në karrierë për ju është avantazh apo disavantazh? Mendoni se po t’i përkisnit gjinisë tjetër do të arrinit më shumë?

Të qënit femër në karrierë është avantazh dhe për këtë femra duhet të luftojnë fort, për ta gjetur veten aty ku ato e meritojnë. Nuk mendoj se po të isha e gjinisë tjetër do të arrija me shumë, pasi gjinia tjetër më respekton. Thjesht tek unë njerëzit kanë pasur dhe kanë besim se do e kryej mirë këtë detyrë që më është besuar dhe mendoj se ia kam dalë falë bashkëpunimit që kam me kolegët e mi. Ende ne kemi shumë punë e përpjekje për të arritur atë që aspirojmë ne.


Cila është motoja juaj në jetë?

Motoja ime në jetë është kjo: Mendo pozitivisht, dashuro profesionin, tolero aq sa duhet, qesh më shpesh, mos u streso nga gjëra të vogla, puno fort se asgjë nuk është e  pamundur.


Cili është mesazhi që doni t’u përcillni kolegëve, nxënësve dhe prindërve nëpërmjet Portalit Shkollor?

Le të jemi trekëndëshi që nuk na thyhen kulmet, ku jemi të barasvlefshëm secili: Mësuesi- Nxënësi- Prindërit, që marrim dhe japim njëri-tjetrit zinxhirin e jetës. Së bashku për kauzën e madhe: Të çojmë përpara shoqërinë në të gjitha dimensionet e saj.


(Portali Shkollor)

11,845 Lexime
6 vjet më parë