BOTIM I RI

"Lepuri" nis vrapimin në shqip

Lepur, vrapo, romani për basketbollistin më të famshëm në letërsi, i pari i tetralogjisë së John Updike. Secili roman paraqet Lepur Engstrëmin në një fazë të ndryshme të jetës së tij të trazuar.

Lepur, vrapo, romani për basketbollistin më të famshëm në letërsi – i pari i tetralogjisë së John Updike


Herri “Lepur” Angstrëm është basketbollisti më i famshëm në letërsi dhe saga prej katër romanesh e shkrimtarit të shquar amerikan John Updike (Xhon Apdajk). Lepur, vrapo (1960), Lepuri kthehet, (1971), Lepuri është i pasur, (1981), dhe Lepuri prehet, (1990) përbën kronikën letrare të tridhjetë viteve të jetës dhe historisë amerikane. Katër romanet përshkruajnë së bashku veprimet dhe përjetimet e Lepurit dhe krijojnë një tablo të përgjithshme të shpirtit të kohës, e reflektuar në jetën e një amerikani të zakonshëm.


Secili roman paraqet Lepur Engstrëmin në një fazë të ndryshme të jetës së tij të trazuar. Pasi ka arritur kulmin e suksesit në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare si yll basketbolli në shkollë të mesme, në qytezën provinciale të Bruërit, ai martohet me Xhenisën, dhe vazhdon të jetë amerikani i klasës së mesme, i cili e kalon pjesën tjetër të jetës duke u përpjekur për të rijetuar suksesin e një karriere të lavdishme. Updike e përshkruan basketbollin me detaje të hollësishme që i japin kuptim jetës së tij të brendshme, por edhe për të zbuluar se, pavarësisht reklamës së pazakontë, ai s’mund të krijojë karakterin e njeriut, marrëdhëniet njerëzore të miqësisë apo vlera të dobishme për mitin e suksesit amerikan.


Skena e basketbollit në fillim të romanit, ku Lepuri përpiqet të rijetojë suksesin e dikurshëm, duke u përhumbur përkohësisht në iluzionin e lavdisë së dikurshme, paralajmëron trazimin, nevojën për të qenë sërish ylli i qytezës, kampioni, i adhuruari i turmës. Ndjesia e lojës ringjall ndjenjën atletike të kampionit, duke forcuar egon e njeriut të njeriut të suksesshëm. Basketbolli ka qenë modeli i jetës. Martesa, atësia, puna, feja, ngjajnë si lojë për të. Përpjekjet e vazhdueshme për të braktisur martesën, qytezën, punët që fillon, janë tregues të dëshirës për të dalë nga fusha. Panikun dhe mllefin Lepur Engstrëmit ia shkakton ideja se duhet të vazhdojë të luajë, edhe pse loja s’i jep kënaqësi fizike dhe shpirtërore. S’është rastësi që ai i kërkon ndihmë ish-trajnerit të tij, Marti Totheros, sepse beson te formulat e tij të dikurshme të suksesit. Veprimet e mëpasme janë përpjekje të kota për ta ringjallur këtë ëndërr me të cilën e kanë molepsur institucione të ndryshme.


Martesa e ka katandisur me një grua të dehur dhe vogëlush me lodra plastike të prishura. Feja  ngjan me përbetim për ta penguar në atë që Lepuri e quan udhëtimin e dritës së brendshme. Vetë natyra duket sikur komploton kundër tij, duke ia nxitur dëshirën seksuale, duke e erotizuar basketbollin dhe duke e refuzuar kur ai shumohet. Ai e dinte që çdo lojë sjell rregull në përvojën kaotike dhe, pa lojë, dallimi midis kësaj sigurie të kaluar dhe paqartësisë së problemeve të brendshme e zë atë në kurth si një lepur. Dekadat që pasojnë, e tërheqin nga loja dhe udhëtimi i brendshëm i dritës.


Në aspektin tematik, basketbolli zbulon problemet me ëndrrën amerikane të suksesit, sepse, megjithëse Totheroja predikon që sporti ndërton karakterin për “lojën më të madhe të jetës”, ai gjithashtu i ka dhënë Lepurit mundësinë për t’u shkëputur nga kjo shoqëri. Duke e parë basketbollin si burim emocionesh të forta, Updike vë në dukje se ai krijon një lidhje të parakohshme midis arritjes fizike dhe mbivlerësimit të vetes. Megjithatë, fluturimi i topit të basketbollit nga duart e Lepurit nuk simbolizonte vetëm mënyrën për të shënuar pikë, por edhe mënyrën për ta bërë më të lumtur. Futja e topit në kosh bënte njësh shpresat shpirtërore të ringjalljes dhe jetës së përjetshme, me ata që nëpërmjet tij përjetonin po atë ndjenjë rrëqethëse lartësuese ngjitjeje që ndiente heroi i tyre. Kësisoj, basketbolli përmban metaforën e përmbushjes seksuale, shpirtërore dhe mitike kundrejt aspekteve të rrejshme të ëndrrës amerikane.


Updike bën paraqitjen grafike të mënyrës si u hoqën kufizimet seksuale në vitet 1960 dhe ajo që u kërkua me ndrojtje në vitet 1950, u dha lirisht një dekadë më vonë. Kur botuesi i Lepur, vrapo kishte frikë se ndaj tij do të ngrihej për padi për skena të pahijshme më 1959, autori pranoi pa dëshirë t’i hiqte skenat e pahijshme “deri në pikën ku libri mund të kalonte pa u pikasur nga sherifët e hamendësuar të zonave të prapambetura, që janë vigjilentë ndaj skenave pornografike”. Më pas i përfshiu përsëri. Lepur, vrapo e vendos seksin edhe qendër të një konflikti vlerash, duke e përqendruar rrëfimin te nevojat seksuale të Herri “Lepur” Engstrëmit, së pari duke e shndërruar Ruth Leonardin nga kinse bashkëshorte, përsëri në  prostitutë, dhe pastaj duke paraqitur kërkesat seksuale shqetësuese për bashkëshorten Xhenisën, pas lindjes. Updike nënkupton që, megjithëse erotizmi shkatërrues s’mund të lejohet, shkrimtari është i detyruar ta shqyrtojë me aq hollësi sa të mund të kuptohet. Qasjet e ndryshme të Updike ndaj lëndës erotike zhvillojnë bindjen e tij se një eksplorim i patrembur i seksit zbulon shumë nga ajo që amerikanët duhet të dinë për veten e tyre.


Më pas, Lepuri  përpiqet të bëhet pjesë e botës së shitjes dhe blerjes, së pari me shitjen e një pajisjeje kuzhine, të cilën mund ta mbajë në dorë si top basketbolli, dhe pas kësaj me makinat. Shitësi, ashtu si heroi i sportit, i bën njerëzit të lumtur dhe shpërblehet prej tyre, por Lepuri mëson dallimet: shitësi duhet të gënjejë, qoftë vetëm duke fshehur të vërtetën, dhe kjo e dobëson ndjenjën e tij të vlerësimit, duke e shndërruar ndjesinë se mund të bëjë gjithçka në ndjesinë se ai është i padobishëm.


Lepuri s’është hero, vihet përfund nga epshi, është baba i keq, bashkëshort dhe biznesmen  dështak. Ai është vetmitari që rend në zbrazëti, duke zhgënjyer dhe lënduar ata që e duan, por në të njëjtën kohë është qenie njerëzore me botë të brendshme, përsiatjet dhe mëdyshjet e veta, me ndjeshmëritë, pikëpamjet e tij për një botë, ku ai ndihet i pështjelluar, i papërmbushur, i zënë në kurth mes shtysës për të përmbushur nevojat vetjake dhe  pritshmërive të shoqërisë, përplasje në të cilën ai nuk arrin të gjejë një ekuilibër. Jeton në epokën e humbjes, sëmundjeve, tradhtive, dhe ushqimit të pavlerë, babëzisë seksuale dhe materializmit, rravgimit për t’u arratisur nga mërzia e jetës, për të gjetur diçka më me kuptim.


Imazhi i heroit modern sportist e ndjek kudo nga pas. Ka qenë yll futbolli në qytezë tetë vjet para se të nisë rrëfimi i historisë, ka njohur adhurimin, vlerësimin dhe suksesin në një moshë shumë të re, një model që ai s’mundet ta rijetojë në moshë të rritur. Basketbolli për të është mënyrë ekzistence dhe ky imazh ia dikton veprimet. Frika se mos humbet në rutinën e jetës konvencionale shoqërore e bën të vrapojë dhe t’ia mbathë nga një situatë pa rrugëdalje në tjetrën.


Updike shquhet për aspektet pamore të prozës së tij, stilin piktoresk dhe tepër përshkrues. Një pjesë e madhe  e romanit ndodh në mendjen e Lepurit në formën e monologëve të brendshëm, kemi monologë të Ruthit, në dy skena rrëfimi zhvendoset te pastori Ekëlls, një monolog tjetër  është ai i Xhenisës, pasi Lepuri e braktis për herë të dytë. Në fund, Lepuri i braktis të gjithë, duke vrapuar kuturu nëpër natë, pa asnjë drejtim të caktuar dhe i pushtuar nga paniku.

Si vëzhgues i mprehtë shoqëror, Updike përkap ngjyresat shoqërore, duke depërtuar në thellësi të personazheve dhe marrëdhënieve njerëzore. Ai besonte se koha e tashme e rrëfimit, barasvlerëse e rrëfimit kinematografik, i përshtatej karakterit të rrëmbyer të Herri Engstrëmit dhe rrëfimi i krijon lexuesit ndjesinë se po jeton me Lepur Engstrëmin në çastet më të të rëndësishme të jetës, përpiqet të kuptojë emocionet që përjeton, ngjan sikur bëhet pjesë jo vetëm e asaj që sheh, por edhe e asaj që dëgjon, shijon, e aromave që percepton, e atyre detajeve ndijore, të cilat shprehin stërhollimet dhe kundërthëniet jetës së përditshme të një Amerike të trazuar.

 



Granit Zela, përkthyesi i romanit

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,470 Lexime
3 vjet më parë