LETËR MËSUESES

Letër e hapur mësueses

Letër e hapur që znj. Silvana Hima i drejtoi mësueses së vajzës së saj, në formën e këshillave.

Ta jetosh këtë jetë të duhet besim, dashuri dhe kurajë.


Mësuese e nderuar,


Do te doja t’i mësonit vajzës sime gjëra që do t’i duhen t’i dije, por butësisht nëse mundeni... Të kuptosh botën e fëmijëve është shumë e vështirë dhe duhet një njeri me durim dhe forcë ashtu si mësuesi. Ata janë si dielli, sa më shumë t’i afrohesh, aq më shumë rrezatojnë fantazi  dhe mirësi brenda tyre, por ata janë dhe si guackat e perlave, duhet shumë punë për t’i hapur, duhet një njeri me durim dhe forcë. Nëse do të hapej kjo guackë do të dilnin mrekullira, ashtu sikurse perla. 


Gjëja kryesore që dëshiroj të mësojë vajza ime është që pikë së pari të jetë njeri me zemër të pastër, të sillet me njerëzit ashtu sikurse do ajo që të sillen të tjerët me të. T’i mësoni asaj që jeta është sfidë: do durim, guxim e forcë.  Jo gjithmonë është e rëndësishme fitorja në jetë, ajo ta kuptojë më së miri që të jesh i drejt me veten dhe të tjerët është më e rëndësishme se çdo fitore e mundshme. Mësojini ju lutem asaj që të shfarosë farën e ligësisë nga zemra, që mund të mbijë nga zilia. Mundohuni t’i shpjegoni fijen e hollë që ndan ambicien nga zilia, guximin nga injoranca, durimin nga shpërfillja, humbjen nga dështimi, vetëbesimin nga mendjemadhësia. Do ju lutesha që t’i mësonit asaj si të ngrihet në këmbë nga rrëzimet që mund t’i sjellë era e jetës. Te dijë si të shprehë mendimin e saj në çdo situatë pa kurrfarë frike dhe pa lënduar të tjeret. Mesojini ju lutem ta jetojë jetën pa i caktuar kufinj. Do ju lutesha shumë që këto të nguliteshin thellë në zemrën dhe mendjen e vajzës sime.


Me respekt, Silvana Hima



(Portali Shkollor)

5,485 Lexime
1 vit më parë