LETËR PËRSHËNDETËSE

Letër përshëndetëse me rastin e festës së 7 Marsit!

Ti nxënësi im, nuk flet vetëm me fjalë, ti flet me sy dhe unë të kuptoj me zemër. Bota jote është aq e madhe sa harrova timen! Një profesion i adhurueshëm, një mision fisnik që nuk skadon kurrë në kohë dhe në hapësirë!


 Festa e dijes sot,  7 mars 2019!

Shumë urime zemre nga nxënësit e mi të rinj e ndër vite, kolegë e prindër! 7 Marset emocionojnë me përmasa të shumëfishta!

Nxënësi im! 

 Sot ti nuk më dhurove vetëm një lule por një univers të tërë! Ti erdhe sot para meje me po ato sy plot shkëlqim dhe shpresë, më mbushe me optimizëm nga optimizmi yt rinor, më freskove mendjen e shpirtin! Ky është superioriteti i profesionit që dashuroj me zemër! Kjo nuk është dita ime, është dita jonë!  Së bashku ndajmë gëzimin e shqetësimin!

Ti je një prej shumë të tjerëve, ndërsa unë një prej disave që ti do të bashkëudhëtosh ne jetë!

Ti nuk je vetëm e përditshmja ime, orari zyrtar i punës!

 Ti je shqetësimi im, gëzimi im, pasqyra ime!

Shqetësohem me trishtimin tënd, gëzoj kur ti gëzon!

Ti nxënësi im, nuk flet vetëm me fjalë, ti flet me sy dhe unë të kuptoj me zemër. E di, nuk është aspak e lehtë të ndash vetveten me të tjerët, aq më shumë  problemin. Bota jote është aq e madhe sa harrova timen! Më tërhoqën ngjyrat e saj, më trishtuan grija dhe e zeza, më emocionoi ylberi që pashë në shkëlqimin e syve të tu.

Një fjalë e ngrohtë e imja : -“ Mos u mërzit, më ke mua, gjithçka do të regullohet” , me kosto ekonomike zero do të thoshte ekonomia, rendiment 100% do të thoshte fizika,  e shpirtin plot do të thoshte psikologjia, është gjithsçka për ty!

....................................................................................................................................


Kthehem në vite, ende fëmijë, kujtoj kthjelltësisht sa shumë emocion ndjeva kur i dhurova lule mësueses time të parë! Sa shumë kujtime, drithërime, kënaqësi që nga ajo ditë e deri më sot! Një jetë e tërë në vendin e shenjtë të quajtur shkollë, nxënës dhe mësimdhënës! Një profesion i adhurueshëm, një mision fisnik që nuk skadon kurrë në kohë dhe në hapësirë! 


- Vërtet, transmeto me pasion, hap një dritare horizonti, jep nga dashuria jote e do të marrësh një det të tërë me mirënjohje e respekt!


- Mësues, ti nuk je makinë që punon sipas nje programi pashpirt, detyra jote është e shenjtë dhe jo vetëm për mision, ajo ka brenda tërheqësen, mistiken, origjinalen, që janë vetëm ti di përdorësh në perfeksion.


- Mësues, ti nuk je prindi i nxënësit, as miku , as psikologu që asiston në drama njerëzore, je pak dhe shumë nga të gjitha! 


- Nëse mësimdhenia eshte akoma kënaqesi për ty , transmetimi dhe asorbimi i dijes është i sigurt!


- Bëj që nxënësit e tu të të kenë qendër referimi në një botë gënjeshtrash e maskash, bëj që të besojnë se janë ata që do të ndryshojnë botën, qoftë dhe të vetëm apo një grup i vogël!




(Brunilda Hoxha, mësuese e lëndës së matematikës, gjimnazi gjuhësor “Faik Konica “ Korçë)

8,250 Lexime
5 vjet më parë