Letër e hapur

Letra më domethënëse që një mësuese ja drejton prindërve të nxënësve të saj...

Kjo mbase është letra më domethënëse që një mësuese ja dedikon prindërve të nxënësve të saj dhe jo vetëm! Nëpërmjet shkrimit të mëposhtëm mësuesja Rudina Jupe, thekson rëndësinë e përkushtimit në dije dhe në kohë që prindërit duhet të kenë për fëmijët e tyre...

Të nderuar Prindër!


Jetojmë në një shoqëri te brishtë, ndonëse me vështirësi rrisim dhe edukojmë breza që mendojmë se do të vazhdojnë dhe zhvillojnë shoqërinë! 


Politikat shpesh te dëmshme sjellin pasoja në rritjen e fëmijëve. Familja baza e shoqërisë duket se po ndryshon shpesh nga divorcet dhe emigrimi i njërit prej prindërve.


 Sa duhet te ndërgjegjësohemi se kemi mungesa thelbësore në shumë familje, jo vetëm nga ana ekonomike, por mbi të gjitha nga ana psikologjike se si rritet një fëmijë sot.  Shpesh faji i mbetet shkollës, por nëse prindi nuk kalon kohën e nevojshme, për përkujdesjen në çdo aspekt të fëmijës detyrimisht do të kemi fëmijë egoist, jo social, të cilët vullnetarizmin e quajnë "qyl" si dhe indiferent për padrejtësitë në shoqëri.


Një shoqëri që fle brenda guaskës së saj dhe nuk reagon, rrit njerëz që nuk do na sjellin risi për të  ardhmen, por do të mendojnë se çdo gjë e mirë duhet të jetë për ta ...


Një shoqëri që nuk do të reagojë për një vjedhje edhe në dyqanin e vogël të lagjes, një shoqëri që do mbylli një sy për të mos parë atë çka duhet të shoh!


Prandaj të punojmë më shumë sot me fëmijët tanë, t’i kushtojmë më shumë kohë, t’i drejtojmë drejt librit edhe gjatë verës, të mësojnë më shumë për jetën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, të jenë të fortë dhe për të përballuar vështirësitë që jeta t’i fal pa kursim, të jenë të aftë për veprimet dhe fjalët e tyre pa goditur dhe fyer askënd!


Ju lutem përkushtohuni më shume në dije dhe jepuni më shumë nga  koha juaj e vyer!

Ju lutem afrohuni më shumë me ta, edhe kur jeni të lodhur apo të mërzitur nga puna dhe vështirësitë e pakursyera të jetës!


Ju lutem bëni çdo ditë një bisedë me ta duke i pyetur si e kaluan ditën, qoftë dhe me detaje të lodhshme fëmijërore dëgjojini, ata janë jeta jonë, janë ata që nesër do të kujdesen për ne, janë e ardhmja e vendit tonë.


Kujdes mos u jepni gjithmonë të drejtë dhe kur nuk kanë se pa e kuptuar do të rrisni tek ata egoizmin nesër!


Ne mësuesit jemi pjesë mbështetëse e juaja dhe anasjelltas, fëmijët janë pjesë e jona e gjithë shoqërisë  sonë!


Të kujdesemi së bashku për të ardhmen tonë, për fëmijët tanë.


Një vit i ri shkollor po afron dhe më shumë punë na presin së bashku, të bëjmë më të mirën me bashkëpunim reciprok që nesër të kemi rezultate më të mira!


Ju lutem gjeni kohën te lexoni një letër nga një prind dhe mësues!

Ju falënderoj që na besoni fëmijët tuaj dhe të ardhmen e tyre!


FALEMINDERIT!



Me shumë respekt!

Rudina Jupe, mësuese në shkollën 9- vjeçare "Liri Kazazi", Lushnjë



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

7,086 Lexime
2 vjet më parë