Fenomeni

Luan Stafasani: Bullizmi në mjediset shkollore

Përmes vetëkorigjimit, monitorimit sa më të gjerë të subjekteve bullizuese, punës edukative, performancës gjithjë në rritje të psikologëve e sociologëve, bashkëpunimit me familjen, do arrihet të amortizohet e zbutet akoma më shumë fenomeni i rrzikshëm e traumatik i bullizmit.

Përkufizimi i fjales Bullizëm sipas të gjitha teorive të komunikimit lidhet me sulmin, shtypjen, dhunën përmes fjalës (verbale) dhe atë fizike (përdorimi i forcës). Shumëkush e lidh edhe me një lloj sporti që ushtrohet në Spanjë, ku demi (bulli) sulmon toreadorin (lojëtarin) që i tregon demit një copë të kuqe e cila nxit instiktet vrastare të shtazës për të copëtuar prenë e tij. Në mënyrë metaforike copa e kuqe në mjediset shkollore është një nxënës i ndrojtur, i dobët, i veçuar e i ndjeshëm, ndërsa bulli ose demi është nxënësi i hedhur, lojcak, i pa edukuar në familje me frymën e respektit ndaj qënieve të brishta dhe që dëshiron të krijojë autoritetin e tij përmes bullizimit tek të tjerët. 


Fenomeni i bullizimit ndodh kudo ku ka prani të theksuar humane. Ka mendime që e lidhin fenomenin edhe me gjenetikën njerëzore, d. m. th. brenda çdo njeriu gjendet prirja për të bullizuar sadopak tjetrin. Dhe nëse kërkon argumenta ose prova për këtë që sapo thashë të orientojnë në kuvendimet e burrave që kur mblidheshin nëpër oda për të kuvenduar, përmes bisedave alegorike (me nënkuptime) shënjestronin prenë që mund të ishte dikush jo shumë i hollë në hedhje-pritjet e batutave. 

Po ashtu një tjetër provë që të sjellin në vëmendje mbrojtësit e idesë se bullizimi lind me njeriun është edhe dhuna verbale e jo rrallë fizike që shkëmbejnë mes tyre politikanët e nivelit të lartë që presupozohet të jenë etaloni i sjelljes qytetare apo më keq akoma kur bullizmi i tyre drejtohet për nga shtresa e popullatës. 


Bullizmi vihet re edhe në stadiumet e futbollit. Tifozeria vendase agreson jo vetëm me fjalë ekipin kundërshtar apo gjyqtarët e takimit, ose kur lojtarët në mungesë të rezultatit që dëshirojnë të arrijnë të përdorin kartën e dhunës verbale e fizike ndaj kundërshtarëve. 


Por le të kthehemi në "fushën tonë", pra në mjediset shkollore. Fenomeni i bullizimit në shkollat tona ka qenë i pranishëm gjithmonë, edhe para viteve 90, sigurisht nuk njihej me këtë term por shkurt i thonin tallje apo vënie në lojë. 


Historia njeh raste të rënda, deri trauma psiqike të pariparueshme të nxënësve të cilët duke mos qenë sa duhet të monitoruar nga mësuesit dhe familjarët e tyre patën këtë fat tragjik. 


Dekada e fundit duhet thënë se ka sjellë një ndërgjegjësim që sa vjen e rritet rreth fenomenit të bullizmit në shkollë. Politikat arsimore të zbatuara në shkollat tona i mëshojnë faktit se mësuesit krahas punës së tyre mësimore duhet të jenë vigjilentë ndaj këtij fenomeni traumatik që vihet re në mjediset shkollore. Po ashtu vendosja e sociologut e psikologut nëpër shkolla e amortizon sadopak fenomenin.

 

Rastet më të përhapura të bullizimit nëpër shkolla janë ato mes nxënësve, që ndeshet në forma verbale e fizike. Bullizmi verbal ushtrohet përmes nofkave apo epiteteve që lidhen me pamjen e jashtme si p. sh “gjirafë” për vajzat shtatlarta, “xhuxh” për nxënësit që vijnë të shkurtër nga shtati, “gagaç” për ata që ju merret goja, “coftinë” për ata që nuk janë shumë të zhdërvjellët, “syze” për ata që mbajnë gjyslykë në sy, “pikalosh apo kuqo” për ata që e kanë fytyrën e trupin të mbuluar me pika të kuqe (lija e pulës), “llariç” për nxënësit e shëndoshë, “gjalpin” për ata që janë të butë. 


Ndërsa bullizmi fizik lidhet me sulmin fizik që pëson zakonisht nxënësi i dobët fizikisht apo i ndrojtur si natyrë, dhe agresioni ndodh kryesisht në oborrin e shkollës, ngaqë është më pak i vëzhguar nga stafi i shkollës. 


Një formë tjetër bullizimi është ai elektronik që lidhet me sulmin në rrjetet sociale që agresorët iu bëjnë shënjestrave të tyre përmes shantazhit e presionit të formave të ndryshme e të mirënjohura tashmë. 


Bullizmi ndeshet rrallë edhe në familje, ku prindërit, zakonisht baballarë, ushtrojnë dhunë e fyerje të pajustifikuara ndaj fëmijëve të tyre. 


Janë raportuar raste bullizimi edhe nga ana e rojeve të shkollave herë nga padija e pakultura përmes të bërtiturave e fyerjeve e herë të qëllimshme nga ana e tyre. 


Një lloj bullizmi mund të quhet edhe sulmi që gati të gjithë nxënësit ndërmarrin ndaj bankave, stolave, dyerve, mureve në klasë, ndaj dyshemesë që e mbushin me mbeturina të farave të lulediellit apo mbetjeve ushqimore. 


Jo rrallë në mjediset shkollore në nivele jo shqetësuese,flitet edhe për bullizëm të mësuesve ndaj nxënësve. Shpjegimi që të japin këto subjekte që ushtrojnë bullizëm lidhet me efektin boomerang (kundërveprim) që mbart bullizmi. 


Mësuesit, nuk duhet harruar se janë qënie njerëzore prej mishi e gjaku e nervash e sado të duruar e kalitur të jenë nga nervat ka momente që kundërveprojnë ndaj agresionit të nxënësit, i cili shfaqet në mosrespektimin e detyrimeve që ka nxënësi gjatë qëndrimit në klasë a në mjediset shkollore si p. sh mungesa e zotërimit të kompetencës qytetare nga ana e nxënësit në formën e zhurmës që shkakton, konsumit të ushqimit gjatë orës së mësimit, përdorimit të celularit, ngacmimit, mungesës së seriozitetit ndaj orës së mësimit e mësuesit, ardhjes i papërgatitur, të folurit pa leje etj. 



Kur mësuesit pyeten a këshillohen nga drejtuesi


Kur mësuesit pyeten a këshillohen nga drejtuesit e tyre rreth këtij fenomeni, të kujtojnë thënien e Franc Kafkës: "Është e lehtë të lëshosh receta, e vështirë është të merresh vesh me njerëzit". 


Një formë tjetër bullizimi që mund të dallohet është edhe bullizmi i fshehtë që haset edhe në radhët e mësuesve që lidhet me komente e interpretime të sjelljeve a qëndrimeve të mësuesve në mungesë të pranisë së tyre apo standardeve jo të njëjta që ndiqen nga drejtuesit në kërkesën e llogarisë, janë tolerantë me "grupet mbështetëse" e më shumë se korrekt me pjesën tjetër. 


Në përfundim ajo që duhet theksuar është se përmes vetëkorigjimit, monitorimit sa më të gjerë të subjekteve bullizuese, punës edukative që duhet të njohë akoma rritje, performancës gjithjë në rritje të psikologëve e sociologëve, bashkëpunimit me familjen (si origjinë e shtetit) do arrihet të amortizohet e zbutet akoma më shumë fenomeni i rrzikshëm e traumatik i Bullizmit. 



Nga Luan Stafasani

Prill 2021. 



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.   

1,677 Lexime
3 vjet më parë